Berisha-Rama bashkë kundër Kosovës!

8 Shkurt 2024, 13:48 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Berisha-Rama bashkë kundër Kosovës!
Seanca e sotme evidentoi edhe një herë se Berisha është në koordinim të plotë me Edi Ramën, qoftë përsa i përket nevojës për ta mbajtur në këtë gjendje që është situatën politike, duke mos lejuar ndryshime të Kodit Zgjedhor dhe propozimeve të tjera që PD-ja e Lulzim Bashës ka artikuluar, por, njëkohësisht, ata janë në koherencë të plotë edhe në qëndrimin e tyre kundër Kosovës.

Sali Berisha e ka treguar vazhdimisht gjatë veprimtarisë së tij politike, duke thyer dikur embargon e vendosur ndaj Serbisë, por edhe më pas duke e quajtur UÇK-në si organizatë terroriste, po ashtu sikurse Rama e ka treguar se përballë Kosovës, ka zgjedhur Serbinë, ndërsa përballë Kurtit e ka pasur më të lehtë për të lidhur ‘vëllazëri’ me A. Vuçiçin, ish-ministrin e propagandës së Millosheviçit dhe inskenuesin dhe frymëzuesin e ngjarjeve të fundit në Banskë të Zveçanit në Kosovë.

Përballë këtij realiteti, ishte mundësia që në seancën e sotme të votohej propozimi i Lulzim Bashës, pa asnjë ngjyresë politike, shumë objektiv dhe i arsyeshëm, që mund t’i vinte realisht në ndihmë shtetit të Kosovës, për alokimin e 50 milionë eurove, në mënyrë që Kosova të ketë mundësi më të shumta për të mbrojtur territorin e saj.

Mazhoranca socialiste e Edi Ramës e rrëzoi këtë propozim të Lulzim Bashës me forcën e kartonit, duke e votuar kundër me 75 vota, sigurisht e ndihmuar edhe nga kaosi i shkaktuar në Parlament nga deputetët kamikaz të Sali Berishës, të cilët për të vetmen gjë që duan t’ia dinë në këto kohë është karrigia e deputetit në zgjedhjet e ardhshme.

Nëse dikur është thënë se përpara interesit kombëtar nuk vihet asgjë tjetër dhe lufta e brendshme politike duhet lënë në mënyrë të menjëhershme, ky rast, i rrëzimit të propozimit të Bashës, është tregues i qartë se Rama dhe Berisha për interesa politike nuk duan t’ia dinë as për Shqipërinë, as për Kosovën, as për çështjen kombëtare. Në të njëjtën linjë ishte edhe rrëzimi i amendamentit tjetër të Bashës, i cili kërkonte që korrupsioni i madh shtetërorë dhe politik, të ligjërohet rrezik për Sigurinë Kombëtare. Edhe kjo cedon me atë që janë në thelb Rama dhe Berisha si shtetarë dhe politikanë: Të dy kokë e këmbë në hetimet e gjera që po çon përpara SPAK, për korrupsionin e sotëm dhe atë të "vjetër".

Rasti i sotëm është një humbje më shumë në vetëdijen dhe ndërgjegjësimin kombëtar.