Asetet e pensioneve vullnetare, 100% në lekë - AMF: Edhe fondet e investimeve, vetëm 10% të zotërimeve i kanë në valutë

5 Mars 2025, 14:58 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Asetet e pensioneve vullnetare, 100% në lekë - AMF: Edhe fondet e

Shumica e aseteve të fondeve të investimeve janë në lekë, ndërsa ato në euro rezultojnë me rënie.

Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në vitin që lamë pas, vlera e aseteve neto të fondeve vetëm në valutë ka pësuar rritje në krahasim me fundvitin 2023, për shkak të rritjes së veprimtarisë së këtyre fondeve dhe hyrjes në treg të një fondi të ri investimesh që kryen aktivitetin në monedhën euro gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, pesha specifike që këto fonde zënë ndaj totalit të aseteve neto të tregut të fondeve të investimit ka pësuar një rënie të lehtë në 9.74% në fund të vitit 2024.

Asetet neto të fondeve të investimit, të cilët kryejnë aktivitetin e tyre në valutë të huaj, janë rreth 55 mln Euro (5.394 miliardë lekë) dhe zënë rreth 9.74% të totalit të aseteve neto të tregut. Edhe detyrimet e fondeve që mbahen në valutë të huaj, të cilat përfaqësojnë detyrimet ndaj shoqërisë administruese për tarifën e administrimit, ndaj bankës depozitare dhe detyrime për pagesat ndaj kuotambajtësit, zënë rreth 19% të detyrimeve të tregut. Ndërkohë, asetet neto të fondeve të tjera të investimit, asetet dhe detyrimet e të cilave mbahen në monedhën vendase lekë, janë rreth 50 miliardë Lekë dhe zënë rreth 90.26% të totalit të aseteve neto të tregut.

Në total, vlera neto e aseteve të tregut u rrit me 22% gjatë vitit 2024, ndërsa edhe më shumë individë shfaqën interes për të investuar në këto fonde. Nga 18 fonde investimesh që operojnë aktualisht në Shqipëri, në këtë treg kanë kryer aktivitet 13 fonde të hapura me ofertë publike, 7 nga të cilët ushtrojnë aktivitet në valutë të huaj, kryesisht në euro. Fondet e tjera të investimit kryejnë veprimtarinë në monedhën vendase lekë.

Për sa i përket fondeve të pensioneve vullnetare, ato e kryejnë aktivitetin e tyre tërësisht në lekë. Pagesat për pension vullnetar, qytetarët i realizojnë vetëm në lekë dhe jo në euro.

Statistikat zyrtare tregojnë se tregu i pensioneve private ka një total asetesh neto prej rreth 12 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje prej 16.8%. Si në rastin e fondeve të investimeve, këto asete investohen thuajse plotësisht në bono thesari dhe obligacione të qeverisë shqiptare.

Që prej vitit 2017, Ministria e Financave, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë kanë ndërmarrë disa veprime për të ulur përdorimin e monedhave të huaja në ekonomi sipas sektorëve të cilët mbikëqyrin, apo operojnë në aktivitetin e tyre./SCAN