
Depozita afatshkurtra, apo afatgjata? Çfarë preferuan individët dhe bizneset në janar?

Pas rritjes së ndjeshme të depozitave në lekë, që sipas analizës së mëparshme të “Scan Intel” u zgjeruan rreth katër herë më shumë se ato në valutë të huaj, këtë here përpunimi i shifrave do të fokusohet në strukturën e kursimeve të individëve dhe bizneseve. Të dhënat e fundit tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e depozitave në lekë është orientuar drejt afateve më të shkurtra, një trend që reflekton qasjen e kujdesshme të kursimtarëve ndaj pasigurisë ekonomike dhe ndryshimeve në normat e interesit.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Banka e Shqipërisë” për muajin janar të këtij viti, individët kanë rritur kursimet e tyre në lekë me 19.1% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa bizneset kanë shënuar një rritje më të ulët prej vetëm 3.5%. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kësaj analize është se çfarë preferohet më shumë nga kursimtarët, depozitat me afat apo ato pa afat?
Të dhënat tregojnë se totali i depozitave me afat në muajin janar ishte 401.6 miliardë lekë, ndërsa ato pa afat arritën në 57.8 miliardë lekë. Kjo tregon një rritje më të shpejtë të depozitave me afat, konkretisht në terma nominalë, rritja e depozitave me afat është 8%, ndërsa e atyre pa afat është 6.8%. Në depozitat me afat përfshihen ato depozita që variojnë nga 1 muaj deri në disa vite. Depozitat me afat maksimal njëvjeçar quhen depozita afatshkurtra, ndërsa ato mbi një vit janë depozita afatgjata.
Në totalin e depozitave me afat, individët kanë kursyer më shumë krahasuar me bizneset. Pavarësisht kësaj, kur analizojmë sipas maturitetit, depozitat e individëve me vlerën më të lartë ishin ato me afat mbi 2 vite, të cilat arritën në 175 miliardë lekë. Kjo tregon një preferencë për instrumentet afatgjata, që sigurojnë një kthim më të lartë dhe më të qëndrueshëm në kohë.
Ndërkohë, për bizneset, qasja ka qenë e kundërt, duke u orientuar kryesisht drejt kursimeve afatshkurtra. Kjo mund të shpjegohet nga nevoja e bizneseve për likuiditete të menjëhershme , pasi, bizneset si rregull kanë nevojë të aksesojnë më shpesh fondet depozituara për të përballuar kërkesën e konsumatorëve./SCAN

ide


Bllofi i Primareve me militantë!

Oligarkia politiko-ekonomike në alarm!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128