Berisha dhe modeli Dodik: Çmimi i heqjes së sanksioneve është dalja nga politika

29 Tetor 2025, 16:34 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Berisha dhe modeli Dodik: Çmimi i heqjes së sanksioneve

Nga rikthimi i Paul Manafortit, ish-shefit të fushatës së Donald Trumpit dhe një prej figurave më të errëta të lobimit global, po rilidhen fijet e fshehta mes politikës së Ballkanit dhe korridoreve të pushtetit në Uashington. I falur nga Trump për krime financiare dhe manipulim politik, Manafort po rikthehet si arkitekt i rehabilitimit imazherik të liderëve të sanksionuar dhe të izoluar nga Perëndimi.

Dy nga këta emra janë të njohur për opinionin ballkanik: Sali Berisha dhe Milorad Dodik.

Modeli Manafort: Nga Uashingtoni në Ballkan

Në prill, në Brescia të Italisë, Paul Manafort u shfaq publikisht përkrah Sali Berishës në një takim me diasporën shqiptare. Pjesëmarrja e tij nuk ishte rastësore. Ajo sinjalizonte një strategji të re për imazhin e Berishës— një përpjekje për ta rimodeluar atë përmes një narrative populiste të stilit “Trumpian”: sulm ndaj “elita globale”, kundërshtim i “gjuetisë së shtrigave” dhe viktimizim përballë “sorosizmit”.

Kjo gjuhë, sipas burimeve të Politico, mban vulën e qartë të Paul Manafortit— njeriut që di si të transformojë figurat e kontestuara në “martirë politikë”.
Berisha, i shpallur non grata nga SHBA për korrupsion të rëndësishëm, po ndjek pikërisht këtë manual komunikimi.

Rasti Dodik: Largimi si marrëveshje për rehabilitim

Në anën tjetër të Ballkanit, Milorad Dodik, presidenti i Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, ka ndjekur të njëjtin rrugëtim.
Edhe ai u këshillua nga Manafort— jo për të ndikuar politikën amerikane, por për të rindërtuar bazën e tij politike dhe për të përgatitur një dalje të kontrolluar nga pushteti.
Rezultati tashmë është i qartë: Dodik ka pranuar një marrëveshje për t’u tërhequr nga presidenca, hap që po pasohet nga heqja graduale e sanksioneve amerikane ndaj tij.

Kjo është formula që funksionoi: Largohu nga politika, për të rifituar kredibilitetin ndërkombëtar.

Po Berisha?

Nëse modeli është i njëjtë, atëherë pyetja është e pashmangshme:
A do ta pranojë Sali Berisha të njëjtën marrëveshje që pranoi Dodik?

Në katër vitet e fundit, Berisha ka zhvilluar një luftë politike për mbijetesë, duke shkatërruar strukturat e Partisë Demokratike dhe opozitën reale, vetëm për të ruajtur kontrollin personal. Ai ka bërë çdo koncesion të mundshëm ndaj Edi Ramës, përfshirë edhe ofertat e paprecedenta për ndryshime kushtetuese që nuk ndikojnë në zgjedhje, në kontrollin e krimit apo në standardet demokratike.

Pse?
Sepse problemi i Berishës nuk është politik, por ligjor.
Dosjet në SPAK janë realisht kërcënimi i tij më i madh. Dhe për t’i shmangur ato, Berisha është i gatshëm të negociojë gjithçka— madje edhe me kundërshtarin që dikur e quante “armik”.

Propaganda dhe iluzioni i “rehabilitimit”

Ndërkohë, përmes lobistëve të vet, Berisha ka tentuar të krijojë iluzionin e një zbutjeje të qëndrimit amerikan, duke shpërndarë gënjeshtra se “nuk është më aktiv në politikë”.
Kjo është pjesë e një fushate dezinformimi që synon të krijojë përshtypjen, se “marrëdhëniet me SHBA-të po normalizohen”.
Por faktet flasin ndryshe: Berisha është më aktiv se kurrë, më i izoluar ndërkombëtarisht dhe politikisht më i varur nga mbështetja e Edi Ramës.

Kush do ta paguajë çmimin e sanksioneve?

Në fund, historia po përsëritet me skenar të ngjashëm, por me aktorë të ndryshëm.
Milorad Dodik e kuptoi se për t’u rehabilituar ndërkombëtarisht, duhej të largohej. Sot ai u "shpërblye" nga SHBA. Thesari i Shtetit njoftoi zyrtarisht se i hoqi sanksionet atij vetë, familjes dhe madje edhe bashkëpunëtorëve.
Sali Berisha, nga ana tjetër, vazhdon të besojë se mund të mbijetojë politikisht duke luftuar me të gjithë — përveç vetes.

Nëse modeli i Manafortit funksionon njësoj si në Bosnje, atëherë heqja e sanksioneve amerikane ka një kusht të vetëm dhe të panegociueshēm: Daljen nga politika.
Për Dodikun, kjo është tashmë një rrugë e realizuar.
Për Berishën, është ende një rrugë e mbyllur — dhe ndoshta do të mbetet e tillë, deri në ditën kur politika nuk do të mund ta mbrojë më nga drejtësia./Alfapress.al

Po ndodh...