Mes bllokimit dhe shtetndërtimit: Pse kompromisi për Presidentin është rruga e vetme racionale në Kosovë

Në teorinë e pastër të një republike parlamentare, rruga drejt zgjedhjes së Kreut të Shtetit është e kufizuar në tri shtigje të qarta: forca e numrave të shumicës, kompromisi për një figurë konsensuale mbi palët, ose—në rast dështimi—shkuarja në zgjedhje të parakohshme me shpresën se një konfigurim i ri do të zgjidhë ngërçin. Për shkak të historikut dhe specifikave të saj, Kosova nuk duhet të largohet nga kjo formë regjimi, por kjo kërkon që aktorët politikë të pranojnë rregullat e lojës: pakica nuk mund t'i diktojë vullnetin e saj shumicës.
Sot, në peizazhin politik të Kosovës, po dëshmojmë një paradoks që kërkon reflektim të thellë. Pakica mund të refuzojë kompromisin dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje, por ky veprim ka sens politik vetëm nëse pretendon se mund t'i fitojë ato. Mirëpo, realiteti flet ndryshe. Asgjë thelbësore nuk ka lëvizur në radhët e opozitës për të garantuar një përmbysje të madhe, ashtu siç asgjë nuk ka ndryshuar në kampin e Albin Kurtit, i cili mbetet lideri më i votuar dhe më i fuqishëm në vend.
Kriza aktuale nuk e favorizon shumicën e as nuk dëmton Kurtin, por dëmton rëndë Kosovën, e cila në këto momente deçizive vazhdon të mos e ketë të plotë panoramën e institucioneve të saj.
Në këtë klimë, personalizimi i politikës nga ana e pakicës, duke e kthyer mospajtimin institucional në një marrëdhënie personale kundër Kurtit, nuk është linjë racionale politike. Përkundrazi, kjo mund të konsiderohet një sjellje primitive dëshpëruese që dëshmon paaftësinë për të prodhuar alternativa reale. Insistimi për zgjedhje të parakohshme, pa pasur asnjë ndryshim në bazën elektorale, nuk është as shenjë force e as patriotizmi; është thjesht një bllokim që prodhon regres dhe dobëson shtetin përballë sfidave të jashtme.
Nëse nuk ka ndryshime rrënjësore në terren, zgjedhjet e reja thjesht do të riciklonin të njëjtin rezultat, duke humbur kohë dhe resurse. Rruga më racionale për opozitën mbetet pranimi i një figure mbi palët që nuk vjen nga radhët e politikës aktive. Ky kompromis nuk është dorëzim, por një akt pjekurie që i shërben stabilitetit të Republikës dhe i jep kohë pakicës të riorganizohet. Duke shmangur zgjedhjet e pashpresa, opozita fiton mundësinë të ndërtojë një alternativë të besueshme, ndërkohë që ushtrimi i pushtetit konsumon natyrshëm figurën e Kurtit deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta. Në fund të fundit, në një sistem parlamentar, hapi prapa për të pranuar një kompromis është shpesh hovi më i sigurt drejt pushtetit të nesërm.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128