Zgjodhi Shqipërinë, Napoli e konsideron ish-mesfushorin e Italisë U-21 për në verë

25 Prill 2026, 21:48 / SPORT ALFA PRESS
Zgjodhi Shqipërinë, Napoli e konsideron ish-mesfushorin e Italisë

Luis Hasa po shndërrohet në një nga emrat më të përfolur në klubin e Napolit, teksa klubi italian po projekton të ardhmen e mesfushës për sezonin e ardhshëm. Forma e tij shumë e mirë me Karraresen në Serinë B ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve, të cilët po e konsiderojnë seriozisht rikthimin e tij në skuadër. Mesfushori shqiptar ka treguar rritje të ndjeshme këtë sezon, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës ku aktivizohet aktualisht.

Megjithatë, një hap drejt Napolit do të përbënte një sfidë të madhe, pasi ai mund të gjendej menjëherë përballë pritshmërive të larta në Serie A. Situata në mesfushën e Napolit mbetet e hapur, sidomos me të ardhmen e pasigurt të Frank Anguisa, pasi zërat janë shtuar se mesfushori do të largohet. Nëse mesfushori kamerunas vendos të largohet në fund të sezonit, Hasa mund të jetë një nga alternativat më të guximshme dhe interesante për ta zëvendësuar, duke i dhënë klubit një profil të ri dhe një investim për të ardhmen.

Vetëm pak javë më parë, Hasa ka marrë një vendim të rëndësishëm për karrierën e tij teksa ka zgjedhur të largohet nga Italia, ku ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave, për t’iu bashkuar në të ardhmen Kombëtarja shqiptare edhe pse deri më tani ende nuk është ftuar nga kuqezinjtë në ndeshje zyrtare apo miqësore, megjithëse pritet që të ketë një ftesë në miqësoret e muajit qershor. Në të shkuarën, mesfushori shqiptar ka qenë pjesë e të rinjve të Juventusit por edhe me skuadrën e parë, ku edhe ka fituar Kupën e Italisë pavarësisht se nuk ka pasur hapësira për të. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Napolin, ku Konte e kishte në planet e tij, madje ishte pjesë e skuadrës që fitoi titullin kampion sezonin e shkuar.

Po ndodh...