Enkelejdi i vogël në politikën e madhe

5 Mars 2025, 16:37 / EDITORIAL NGA ALBI XHUNGA

Enkelejdi i vogël në politikën e madhe
"Ça lidhje kanë demokratët euroatlantikë me betejën që unë kam bërë me Sali Berishën 3 vjet më parë?

Kjo është fraza më e pafytyrë e më langaraqe, që komiku Enkelejd Alibeaj mund të shqiptonte. Demokratët euroatlantikë janë ata që i kanë qëndruar përballë Sali Berishës dhe hordhive të tija të korruptuara, për 4 vjet rresht.

I kanë qëndruar përballë, duke pasur kundra të gjitha mediat e mëdha në vend. I kanë qëndruar përballë, me të gjithë pushtetin e korruptuar të Edi Ramës i cili donte të kishte përballë "Opozitën që duam".

I kanë qëndruar përballë edhe kur aksidentalisht kanë pasur në krye një ish-lake të Sali Berishës si Enkelejd Alibeaj, të cilin Sali Berisha e përzuri nga selia e PD me vetëm një vështrim kërcënues. 

Teksa kishte dalë në televizor për të mbrojtur të paimagjinueshmen, Enkelejd Alibeaj, tentoi t'i bënte shërbimin e fundit ish padronit të tij. Kjo tregon se, nëse inteligjenca dhe dinjiteti njerëzor kanë limite, injoranca dhe pafytyrësia nuk kanë asnjë limit. 

Përveç mungesës së karakterit, komiku Enkelejd Alibeaj, tregoi se është dhe një jurist shumë dylekësh. Ai ka bërë një rekurs si ish kryetari në detyrë i PD-së dhe sot mendon se meqenëse ai qëlloi në atë post fare aksidentalisht, tani edhe mund ta tërheqë rekursin. Që domethënë, se ky rekursin e bëri në emër të vet dhe se meqenëse aty është emri i tij, ai mund ta tërheqë atë rekurs kur t'i teket. Nuk mund të pritej më shumë nga një jurist që del në Tv dhe thotë me plotë gojën, se në vendimmarrjet kolegjiale faji është i përbashkët. Që domethënë, se në rastin e ligjit "Fusha", duhet arrestuar i gjithë Parlamenti i Shqipërisë.

Juristi dylekësh ende nuk e ka kuptuar se përgjegjësia është personale dhe se edhe pse dy anëtarë të së njëjtës juri kanë votuar njësoj, kjo nuk do të thotë se janë të dy të pafajshëm, apo të dy të korruptuar. Faji apo pafajësia varen nga motivimi. Nëse njëri anëtar ka votuar pro, sepse të tillë e ka pasur bindjen, ndërsa një anëtar tjetër ka votuar pro sepse ka marrë një zarf, kjo do të thotë se i pari është i pafajshëm, ndërsa i dyti është i korruptuar. 

Opozitari i flaktë falë akteve të zjarrta opozitare të të cilit u dyfishuan rrogat e deputetëve, sot gjoja akuzon Sali Berishën se bashkon votat me Edi Ramën. Për hir të së vërtetës, dyfishimi i rrogës së deputetit edhe Sali Berishës iu duk një aferë fort komprometuese në raport me opinionin publik dhe votoi kundër. Ndërkohë opozitari i zjarrtë Enkelejd Alibeaj bashkoi votat me Edi Ramën, për të dyfishuar rrogën e tij. 

Ndaj nuk më duken shumë të sinqertë ata që sot skandalizohen se si ka mundësi që Enkelejd Alibeaj bashkë me një Kthupi, shkojnë e tërheqin rekursin për legjitimitetin e Partisë Demokratike. Ai që post 21 janarit 2011 mbronte vrasësin e 4 qytetarëve në bulevard dhe që sot do të na shitet si anti Berishist, nuk mund të jetë veçse një komik. Shqiptarët nuk mund të harrojnë se si deputeti Enkelejd Alibeaj ishte pjesë e Komisionit Hetimor parlamentar për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit dhe në këtë cilësi kërkonte zbardhjen e tabulateve telefonike të presidentit të Republikës, të kryeprokurores dhe të gazetarëve kryesorë në vend. 

Pasi dështoi me sukses në krye të një grupi qesharak puçistësh të merrte drejtimin e demokratëve euroatlantikë, Enkelejd Alibeaj, krijoi një parti digitale që ekzistojnte vetem nëpër ekrane televizive dhe ngrifeshin studio më studio bashkë me shokët e tij. Mirëpo tani po vjen 11 maji dhe festës i vjen fundi. Që të kesh mundësi të prezantohesh si politikan më 12 maj, të duhet një bilanc elektoral. 

Këta praktikisht mund të hynin në koalicion me demokratët euroatlantikë. Askush nuk i ka ndaluar dhe askush nuk ua ka mbyllur derën. Por Enkelejd Alibeaj e ka sabotuar enkas këtë koalicion, sepse ai e di se në çdo rast nuk do të zgjidhej deputet në një listë të hapur, pasi nuk ka vota. Atëherë bëri kërkesa absurde për ta sabotuar bashkëpunimin, për t'i prishur punë edhe ndonjërit prej shokëve të tij që kanë pak vota dhe për të marrë peng Dash Shehin që si përfaqësues i denjë i shkollës së vjetër, i rri fjalës së dhënë, megjithëse e di fare mirë se me Alibeaj & Co është njësoj sikur të jesh vetëm. Kanë marrë me vete edhe Fluturën që kishte mbetur pa kabinë dhe të gjithë bashkë, me vendosmëri të rrallë, kanë marrë rrugën drejt koshit të madh të plehrave të politikës. 

Ps; Dikush t'i thotë që kur t'i nisë sërish kushërinjtë e tij për në Bruksel, t'i pajisë me nja dy brisqe. Po vjen pranvera... 

 

Po ndodh...