Çështja Balluku, Neni 103 i Kushtetutës dhe çfarë na mëson rasti i Berishës për interpretimin e këtij neni

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, por edhe figura të tjera mediatike, po përpiqen që në rastin e pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të krijojnë idenë se kemi të bëjmë me një puç kushtetues. Në një shkrim të sotëm në gazetën TemA, Manjani sillte në vëmendje Nenin 103/3 të Kushtetutës, sipas të cilit Ministrat gëzonin imunitet njëjtë si deputetët.
Nuk është hera e parë që sa herë vendoset një kufizim lëvizjeje, ndalim udhëtimi apo pezullim nga detyra, menjëherë ngrihet pretendimi se “po cenohet imuniteti”.
Në fakt, Kushtetuta është shumë më e qartë se politika: imuniteti parlamentar, sipas nenit 73, mbron vetëm nga arresti dhe heqja e lirisë personale, si dhe nga kontrolli personal dhe ai i banesës, të cilat kërkojnë autorizimin e Kuvendit. Asgjë më shumë. Ky është thelbi edhe i nenit 103/3, i cili thotë se ministrat “gëzojnë imunitetin e deputetit”. Pra, pikërisht këtë mbrojtje të ngushtë proceduriale, dhe jo një flluskë të re mbrojtjeje mbi funksionin e tyre ekzekutiv.
Keqkuptimi buron nga ngatërrimi i dy planeve të ndryshme: liria personale dhe ushtrimi i detyrës. Liria personale është ajo që mbron imuniteti, ku përfshihen arresti, ndalimi, paraburgimi, dhe në këto raste kërkohet ndërhyrja e Kuvendit. Por kufizimet që nuk barazohen me heqjen e lirisë personale, si detyrimi për t’u paraqitur apo ndalimi i daljes jashtë vendit, nuk kanë asnjë lidhje me imunitetin.
Këtë e sqaroi edhe Gjykata Kushtetuese në çështjen Berisha, duke thënë qartë se këto masa nuk kërkojnë autorizim të Kuvendit, sepse nuk përbëjnë heqje lirie.
Edhe më tej, ndërhyrjet që prekin statusin apo ushtrimin e detyrës, si pezullimi, nuk mbrohen aspak nga imuniteti, sepse imuniteti nuk është projektuar të mbrojë funksionin politik, por të parandalojë arrestimet politike.
Neni 103 nuk krijon një “super-imunitet” për ministrat, as nuk zgjeron kufijtë e mbrojtjes për ta. Përkundrazi, i vendos ministrat në të njëjtin nivel me deputetët: mbrohen vetëm nga arresti pa autorizimin e Kuvendit, dhe kaq.
Të gjitha pretendimet se imuniteti i deputetit ose i ministrit ndalon masat e tjera të drejtësisë, si kufizimin e udhëtimit, detyrimin e paraqitjes apo pezullimin nga detyra, janë thjesht interpretime të shpikura politikisht, të cilat nuk gjejnë asnjë mbështetje në tekstin e Kushtetutës apo në praktikën e Gjykatës Kushtetuese.
Për këtë arsye, debati publik duhet të ndahet nga iluzioni se imuniteti është një ombrellë e pakufizuar. Ai është një mbrojtje e kufizuar dhe shumë e saktë: kundër arrestimeve arbitrare. Jo kundër drejtësisë, jo kundër ligjit, dhe sigurisht jo kundër masave që nuk prekin lirinë personale. Neni 103 nuk e ndryshon këtë realitet, thjesht e konfirmon.
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
