Përse opozita nuk mban qëndrime për gjeopolitikën e Shqipërisë?

28 Shkurt 2024, 23:11 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

Përse opozita nuk mban qëndrime për gjeopolitikën e
Ditën e sotme është zhvilluar samiti për Ukraninën me pjesëmarrjen e Presedentit Zelensky. Duke qenë se konflikti në Ukrainë është në qendër të vëmendjes botërore, kjo ngjarje u pasqyrua nga shumica e mediave prestigjoze ndërkombëtare. 

Në këtë ngjarje ishte e përfshirë direkt Shqipëria si vend organizator, dhe gjithashtu ishte në sytë e gjithë botës.
Ajo që ra në sy ditën e sotme ishte heshtja totale e opozitës shqiptare. Asnjë qëndrim zyrtar, asnjë mesazh apo qëndrim politik për këtë ngjarje kaq të rëndësishme. Opozita në Shqipëri as nuk e përshëndeti as nuk e kritikoi samitin e sotëm.

Zyrtarisht, pasi ndonjë zë opozitar edhe mund ta ketë shprehur ndonjë qëndrim sporadik.

Kjo e sotshmja ishtë një ngjarje shumë domethënëse për gjeopolitikën e Shqipërisë, të rajonit dhe më tej se kaq. Në këtë kuptim, është e patolerueshme që opozita shqiptare nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë gjë. Samiti i sotshëm e ekspozoi qartësisht Shqipërinë në një konflikt delikat si palë. Jo se ky qëndrim i Shqipërisë zyrtare kishte ndonjë dilemë, por fakti që tashmë është kaq aktive në çështjet gjeopolitike, e bënë diskutimin edhe më të rëndësishëm.

Kur nisi konflikti në Ukrainë, eksponentë të rëndësishëm të opozitës qartësisht ishin pro Ukrainës, ndërsa sot që presidenti i saj ishte personalisht në një samit në Shqipëri nuk kishte asnjë qëndrim politik.

Kjo nuk është hera e parë që opozita shqiptare nuk ka qëndrime politike të qarta për politikën e jashtme dhe gjeopolitike që prekin direkt Shqipërinë. Edhe në rastet e tjera, sa herë që Shqipëria është protagonistse në kontekstin gjeopolitik, opozita zakonisht nuk ka qëndrime të saj. Dhe kjo është një handikap që ajo ka në raport me qeverinë e Edi Ramës.

Të gjitha këto drejtime që po merr Shqipëria në arenën ndërkombëtare duhen gjykuar nga opozita në Shqipëri. A janë mirë për vendin tonë apo jo? A po ecën Shqipëria në rrugën e duhur në këtë drejtim apo jo? A janë për t’u përshëndetur hapat që po hedh qeveria Rama apo janë për t’u kritikuar.

Të gjitha këto çështje kërkojnë qëndrime të qarta. Fakti që i organizon Rama dhe kohët e fundit ai personalisht është kthyer në një lloj protagonisti në arenën ndërkombëtare nuk duhet ta kompleksojnë opozitën shqiptare. Duhet të ketë qëndrime të qarta nëse këto marrëveshje janë pro interesave të Shqipërisë apo thjesht në interes personal të Edi Ramës.

Aq me tëpër në kohët ku po jetojmë, ku gjeopolitika është bërë politikë e brendshme. Gjeopolitika dhe politika e jashtme duhet të jetë pjesë e rëndësishme e programit politik të opozitës. Dhe këtë duhet t‘ja bëjë të qartë votuesve të saj por edhe gjithë shqiptarëve.

Në fakt, në ngjarje të tilla si ajo e sotshmja , por edhe në samite të tjera që janë zhvilluar në Shqipëri, opozita duhet të jetë pjesëmarrëse. Por kjo është një përgjegjësi e sjelljes së pushtetit dhe të mazhorancës. Ajo që duhet të bëjë opozita është të ketë një vizion të qartë gjeopolitik të Shqipërisë dhe t’ja paraqesë atë shqiptarëve.

Duke u sjellë në këtë mënyrë, pra, më një indiferentizëm për çështjet gjeopolitike që prekin Shipërinë, opozita po i lë një protagonizëm të pashpjegueshëm vetëm qeverisë dhe Ramës personalisht. Jo më kot, një nga problemet e opozitës në Shqipëri sot është izolimi ndërkombëtar që ajo ka. Nëse vazhdon me këtë sjellje, kur çështjet gjeopolitike janë kthyer në çështje të brendshme dhe më të rëndësishme, opozita do të vazhdojë të mbetet edhe për shumë kohë e tillë, duke favorizuar pushtetin e Edi Ramës dhe duke bërë që qeveria e tij të identifikohet me Shqipërinë. Ndërkohë Shqipëria është shumë më e madhe sesa pushteti i mazhorancës. Apatia në politikën e jashtme e opozitës po kthehet në një minus të madh në raport me kundërshtarin.

 

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128