
Pse “pjell” kaq shumë parti PD-ja

Nga 22 marsi i 1992, deri në tetor 2024, Partia Demokratike mbetet grupimi që ka lindur më shumë forca politike në historinë e tranzicionit.13 parti. Çfarë do të ndodhë kësaj radhe me subjektin politik që solli pluralizmin dhe demokracinë në vendin më diktatorial të Europës? Një çarje tjetër, apo një ringjallje e madhe?
Dasia tek demokratët është xholi i lidhur e i rrahur, takat e të cilit i dëgjojmë prej tridhjetë e ca viteve teksa ngjisin shkallët, teksa ecin anekënd vendit, teksa përplasen sa andej-këndej natën vonë. Partia Demokratike ka krijuar bindjen se marifeti i saj më spektakolar i shfaqur periodikisht në këto tre dekada është pikërisht ajo; dasia. Ata nuk i druhen ndarjes dhe as konfliktit. Duket se e gjithë gjuha politike brenda demokratëve i thur lavde asaj. Dasia nuk ngjall frikë edhe pse ajo mund të jetë gërryese si acidi, duke shkatërruar fuqinë përbashkuese të Njëshit, duke i detyruar të numërojnë të paktën deri në dy, deri në tre apo më shumë. Gjithë monologu i gjatë i kësaj force politike, e dalë e frikësuar nga grackat e mendimit totalitar, s’mund të jetë asgjë tjetër, përveç një lavdërim plot pasion i dasisë dhe konfliktit. Edhe kur nuk vepron “vullnetshëm”, Partia Demokratike vazhdon gjithaq, nga një shtysë e natyrshme, të ndajë e të veçojë, herë pa u vënë re dhe herë tjetër plot tallaz e zhurmë. Fryma e tyre e urren pushtetin e Njëshit, e urren përngjitjen me më të fortin. Kështu ka ndodhur që në fillim të saj, kështu është dhe kështu do jetë. Çdo bashkim rreth pushtetit të Njëshit është i destinuar të shpërbëhet dhe pikërisht nga veprimi i një antipatie të tillë.
Kjo forcë u formësua që në krye të herës jo si një alternativë politike e mirëfilltë ideologjike dhe as si një grumbullim i grupeve të veçanta të interesit, por si një lëvizje popullore e gjerë, që brenda saj u strehuan disa rryma: antikomunistët dhe intelektualët, ish-pronarët, ish të përndjekurit politik, ish-komunistët, studentët dhe pragmatistët e të gjitha kohërave. Të gjithë ishin aty. Ndoshta pikërisht për këtë, për faktin se kurdoherë brenda Partisë Demokratike përgjon një konflikt, edhe kur ai nuk vihet re menjëherë nga demokratët, përmes gjetjes së të vërtetës, duke ngulmuar për ta parë drejt e në sy atë, ata do ta kenë më të lehtë t’i bëjnë pritë së keqes, pikërisht atëherë kur ende s’është vonë. Por, shpesh herë ndodh të dëgjojmë gjykime të shpejta, të cekëta, për ngjarje që kanë të bëjnë me grupe të ndryshme apo edhe për jetë të veçanta individësh, të cilëve pak ua njohim historitë vetjake, atë që ata mbajnë heshturazi dhe pa fjalë mbi shpinë. Ndaj, kur duam të gjykojmë, jemi të detyruar të ndalojmë një çast dhe të bëjmë një përpjekje për të njohur të vërtetën në të gjitha përmasat e saj. Ajo çfarë duket qartë brenda forcës më të madhe opozitare në vend, pas tre dekadash, është ajo çfarë ka mbetur pas të nesërmen e stuhisë. Simpatizanti i saj ende vazhdon të shohë me dhembje konfliktet që ndizen brenda partisë së tij dhe, e gjithë kjo ndodh, vetëm për hir të qëndrimeve të padrejta të prijësve të tyre.
Krijimi i tre forcave të reja politike, të dala të gjitha nga barku i Partisë Demokratike, s’mund të konsiderohet sot si diçka e jashtëzakonshme, nga e njëjta parti, shumë më herët, forca të tjera ishin krijuar, disa herë më të mëdha dhe, sigurisht, shumë më të zhurmshme se këto të treja. Historikisht, ky subjekt politik, ka qenë grupimi që ka “pjellë” më shumë forca politike në të gjithë historinë e tranzicionit. Shkaqet sa janë edhe nuk janë shumë. Më 22 mars 1992, Shqipëria përuroi rotacionin e parë paqësor të pushteteve me zgjedhje të lira. Pas trembëdhjetë ditëve Sali Berisha u kurorëzua kryetar shteti. Një prej protagonistëve kryesor të atyre ngjarjeve, Preç Zogaj kujton se të pakët ishin ata që në fjalët e ish-Presidentit të sapozgjedhur të Republikës mund të dallonin plagët dhe shkarëzimat e ardhshme. “Me sloganin elektoral “jemi të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor”, Berisha kishte humbur një grusht votash nga radhët e ish-të burgosurve politikë, por kishte fituar mijëra e mijëra të tjera në zonën gri dhe majtas”. Zogaj mendon se në rrafshin intelektual, kjo do të ishte ikja e parë e madhe e pushtetit të ri prej së vërtetës, prej objektives. Kurse në rrafshin politik, sipas tij, ishte momenti i zhgënjimit të parë të madh të zgjedhësve me Sali Berishën.
Mjaftuan veç tre muaj që të ndodhte fraktura e parë, ajo çfarë shënoi edhe kataklizmën tek demokratët. 26 korrik, 1992. Partia Demokratike thyhet masivisht në zgjedhjet lokale. Fushatën e kishin udhëhequr e animuar ministrat e qeverisë “Meksi” dhe delfinët e rinj të Berishës në kryesinë e partisë, që gëzonin besimin e tij, por që s’kishin aspak karizëm në popull. Shkrimtari Preç Zogaj në librin e tij “Nga fillimi deri në fund”, botim i UET-Press, shkruan se “shkaku themelor i disfatës së PD-së në zgjedhjet lokale ishte afishimi i saj si një parti intolerante, ishte arroganca, ashpërsia, gjëra këto të pajustifikueshme politikisht, pasi PD zotëronte një shumicë tepër komode në parlament, por të justifikueshme kulturalisht. Drejtuesit më të ekspozuar në fushatën elektorale nuk dinin të silleshin ndryshe. Me instiktin e vet të shëndoshë, elektorati e ndjeu se demokratët e kishin keqkuptuar dhe po e shpërdoronin votën plebishitare të 22 marsit. Ndaj, vendosi t’u jepte një mësim, domethënë t’i votonte dy herë më pak”. Korrenti liberaldemokrat i kryesisë së PD-së, i spostuar de fakto nga Berisha pas fitores së 22 marsit, gjeti rastin të ngrinte zërin. Përfaqësuesit e këtij korrenti, si Preç Zogaj, Gramoz Pashko, Arben Imami, Arben Demeti, Ridvan Peshkopia, Edmond Trako, Shahin Kadare e të tjerë themelues të partisë nuk ishin përfshirë as në qeveri, as në fushatën e zgjedhjeve lokale, kështu që atyre u kishte lindur e drejta që të rivendikonin pozitat e mëparshme drejtuese, duke treguar me gisht shkaktarin e humbjes.
Përplasjet brenda kryesisë së partisë sipas Edmond Trakos me Sali Berishën fillojnë shumë më herët, që kur Aleksandër Meksi u zgjodh me votim kryetar i PD-së, por që Berisha e hodhi poshtë, ku brenda 24 ditëve fabrikoi një mbledhje edhe me mbështetjen e Azem Hajdarit, duke e konsideruar një pabesi politike dhe, për të vazhduar më tej, deri tek përjashtimi i Frrok Çupit nga Partia Demokratike në qershor të ’91-shit. Siç duket, pakënaqësitë mes korrentit liberaldemokrat dhe Sali Berishës kishin dalë sheshit dhe nuk fshiheshin më, por ajo çfarë shënoi pikën e vlimit ishte analiza e tyre e hollësishme për humbjen e zgjedhjeve, e paraqitur nga ata, në formën e një mocioni në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të datës 5 gusht, 1992. Në esencë mocioni i hartuar nga Preç Zogaj, Arben Imami dhe Spartak Ngjela bënte përgjegjës “stafin tjetër” dhe kërkonte rikthimin urgjent të partisë në shinat e një politike të moderuar, të hapur, produktive.
Zogaj kujton se Presidenti i Republikës, Sali Berisha, i pranishëm në presidiumin e asaj mbledhje me cilësinë e anëtarit të kryesisë së partisë, nuk i mbajti nervat. Berisha shau me fjalë të rënda, duke orientuar, ose me saktë, tregon ai, urdhëroi linçimin verbal në sallë të të gjithë atyre që e kishin nënshkruar apo që kishin ndërmend ta mbështesnin atë mocion, të cilin e pagëzoi si vepër të Ramiz Alisë dhe të Sigurimit të Shtetit. Me gjasë, pas 22 marsit, Berisha kishte pritur rastin t’i qëronte hesapet me bashkëthemeluesit e Partisë Demokratike. Zogaj kujton se me mocionin e paraqitur në atë këshill të partisë, Arben Imami, vetë ai, Arben Demeti, Edmond Trako dhe Ridvan Peshkëpia kishin rënë brenda, kishin shkuar si cjapi tek kasapi.
Lëvizja e parë e krijuar nga Partia Demokratike në rrethanat e kohës për të cilën flasim, s’mund të ishte asgjë tjetër, përveçse një histori linçimi, pasi disa njerëz me mendje të shëndoshë nuk kishin se si të binin dakord me politikën e lidershipin e Sali Berishës, ata u sulmuan dhe u përjashtuan veç se thanë: “Mbreti është lakuriq”… Fjala është për Partinë Aleanca Demokratike.
Mocionistët
Në mocionin e mosbesimit të 5 gushtit të vitit 1992, i nënshkruar nga themeluesit Arben Imami, Arben Demeti, Edmond Trako, Preç Zogaj, Shahin Kadare, Ritvan Peshkëpia e të tjerë. Ata kishin kritika për qeverinë Meksi, nga e cila ishin mënjanuar në pranverën e atij viti kur PD kishte fituar shumicën absolute të votave në Kuvend dhe qeveriste e vetme Shqipërinë. Pak muaj më pas, në zgjedhjet e 26 korrikut, PD humbi betejën me socialistët dhe ishte një fushatë në të cilën nuk u angazhuan grupi i themeluesve që ishin formësuar si kritikët e presidentit Berisha.
Ishte ndër betejat e para për pushtet brenda Partisë Demokratike e cila do të përfundonte pak ditë më pas me ndarjen e themeluesve dhe lindjen e një partie tjetër prej tyre, “Partinë Aleanca Demokratike”. Në atë parti u bashkuan mocionistët si dhe të tjerë kundërshtarë që nuk e kishin nënshkruar mocionin, si themeluesit Gramoz Pashko e Neritan Ceka. Partia që themeluan mocionistët, u shpërbë pak vite më pas dhe me të njëjtën mënyrë siç ishin larguar nga PD. Rreth vitit 2001, drejtuesit e PAD-së u ndanë përmes debateve të forta deri në përplasje fizike mes tyre. PAD pushoi së funksionuari me kthimin e themeluesve në PD në vitin 2005.
PDD e Kalakulës dhe “Rimëkëmbja” e Baletës
Në fund të vitit 1993-1994, nga PD lindën dy parti që nuk lanë asnjë shenjë në historinë e politikës shqiptare. Ishte Partia e Djathtë Demokratike e drejtuar nga Petrit Kalakula dhe “Rimëkëmbja Kombëtare” e drejtuar nga Abdi Baleta. Të dy këto personazhe ishin konsideruar si pjesa e ekstremit të djathtë në PD dhe që kishin kontribuar fort në ndihmë të Berishës për të përjashtuar mocionistët e vitit 1992. Kalakula e Baleta e panë veten shpejt jashtë vëmendjes së Berishës pasi kishin kryer misionin dhe u detyruan të largohen për të themeluar partitë e tyre, të cilat e mbyllën shpejt aktivitetin pa lënë asnjë gjurmë.
Lëvizja për Demokraci e Dashamir Shehit
Pas ngjarjeve të vitit 1997 prej nga Partia Demokratike doli e dërrmuar, pati edhe një shkëputje të disa ish-drejtuesve të rëndësishëm të kësaj partie. Në krye të tyre ishte Dashamir Shehi, të cilit u duk se iu bashkua edhe Genc Ruli, i cili ishte larguar më herët nga Partia Demokratike. Lëvizja për Demokraci nuk zgjati shumë kohë pasi Dashamir Shehu u vendos në krye të LZHK-së.
Reformatorët e Genc Pollos
Në Kuvendin Kombëtar të vitit 1999, në garën për postin e kryetarit të partisë u përfshi nënkryetari i PD-së, Genc Pollo. Nuk ishte një kandidaturë për hir të plotësimit të numrit në garë, por një kandidaturë reale. Genc Pollo kishte vendosur të përballej me liderin e fortë me shpresën për ta mundur atë në garën për postin e kryetarit. Nuk ishin në kushte të barabarta. Forumet drejtuese të partisë dominoheshin nga kryetari Berisha dhe kjo sigurisht që do të ndikonte në këtë garë. Ndërkohë rreth Pollos ishin mbledhur një grup i konsiderueshëm deputetësh dhe anëtarë të forumeve drejtuese të partisë. Por ata nuk ishin mjaftueshëm në numër dhe në influencë për të mundur Berishën. Genc Pollo u tërhoq nga gara në momentin e fundit duke e akuzuar Berishën për një garë të pabarabartë. Pas shumë përplasjesh Genc Pollo me një grup deputetësh demokratë themeluan partinë e tyre, “Partinë Demokrate të Re”. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, PDR konkurroi e vetme dhe u përfaqësua në Kuvend me një grup deputetësh.
Partia Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës
Në fund të vitit 2008, Spartak Ngjela njëkohësisht edhe deputet i PD-së nisi punën për krijimin e një force të re politike, të cilën e legalizoi në shkurt të 2009. Ajo u regjistrua me emrin “Ligj dhe Drejtësi”, si parti e qendrës së djathtë me fokus në angazhimin për dëmshpërblimin e ish-të persekutuarve të regjimit komunist, kthimin e pronës, ose dëmshpërblimin e pronarëve të ligjshëm. Po gjatë atij viti një ish-deputet tjetër i Partisë Demokratike, i ndjeri Gilman Bakalli bëhet pjesë e bordit të një formacioni të ri politik, “Poli i Lirisë”, të cilit iu bashkua në zgjedhjet e vitit 2009 edhe LZHK e Dashamir Shehit dhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi.
FRD e Bamir Topit
Në shtator 2012 u themelua Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi. Kishte qenë dy herë nënkryetar i Partisë Demokratike, kryetar i grupit parlamentar të saj dhe një ndër drejtuesit politikë më të rëndësishëm të kësaj partie. Ishte numri dy pas Berishës. Bamir Topi u zgjodh president në verën e vitit 2007. Pas ndryshimeve në Kushtetutë, ku iu hoqën kompetencat presidentit, Bamir Topi nisi të kthehet në një prej kundërshtarëve më të fortë të Berishës dhe PD-së. Pas përfundimit të mandatit si president, ai themeloi FRD, me të cilën nuk ia ka dalë të hyjë në parlament. Mbeti në përmasat e një partie me elektorat të vogël, gjë që e detyroi të bëhej aleat me Edi Ramën e PS-së, në krah krejt të kundërt me origjinën e tij politike.
Bindja Demokratike
Në vitin 2013, Sali Berisha humbi zgjedhjet, dha dorëheqjen përfundimtare nga të gjitha funksionet në parti, duke qëndruar vetëm deputet. Lulzim Basha merr drejtimin e partisë, pasi fitoi garën për postin e kryetarit përballë Sokol Olldashit. Mirëpo, pas humbjes së disa palë zgjedhjeve, të përgjithshme e lokale dhe pas përjashtimeve të shumta, brenda PD-së nisi një përçarje e cila sfumohej dhe riparohej herë pas here nga vetë Berisha. Megjithatë, përfoljet për lidership të dobët, i sulmuar shumë herë me të drejtë dhe herë jo, për rol të dubluar të postit të kryetarit, përplasjet me kreun e ri të PD-së plasën sheshit me rastin e zgjedhjeve parlamentare të vitit, 2017. Pa mbledhur forumet e partisë, Lulzim Basha arriti me një të rënë të lapsit të fshinte figura si Ridvan Bode, Astrit Patozi, Jozefina Topalli e të tjerë drejtues në nivele më të ulëta. Largimi i ish-nënkryetarit të partisë Astrit Patozi u shoqërua në prill të vitit 2019, me krijimin e forcës politike, Bindja Demokratike.
Lëvizja për Ndryshim
Në tetor të 2020, Jozefina Topalli prezantoi subjektin më të ri politik “Lëvizja për Ndryshim”, së bashku me disa të rinj dhe profesorë të pa angazhuar më parë në politikë. Ajo më herët ka mbajtur postin e nënkryetares së partisë dhe atë të kryetares së Kuvendit, në kohën kur Partia Demokratike ishte në pushtet. Topalli ka qenë disa legjislatura deputete e PD-së, por pas përjashtimit të saj nga partia, një vit para zgjedhjeve të 25 prillit, vendosi në shënjestër klasën politike Rama-Meta-Basha, të cilën e akuzoi si pengmarrës të zhvillimit ekonomik të vendit.
Lëvizja Demokratike
Para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, deputetët që nuk iu bindën vendimit politik për të braktisur Kuvendin u bënë nismëtar të forcave të reja politike. Muslim Murrizi regjistroi në gjykatë partinë, “Lëvizja Demokratike”, së bashku me Alban Zenelin, Halit Valterin dhe Arlind Çaçanin. Murrizi e konsideroi pjellën e tij politike një parti pa ish-komunistë dhe pa ish-spiunë sigurimi.
Këtu vlen të nënvizojmë se brenda grupit parlamentar të zgjedhur në vitin 2021 u krijuan zyrtarisht edhe dy forca të tjera politike, veçanërisht pas konfliktit të ndezur, deri në absurditet, mes Bashës dhe Berishës, për logon, flamurin dhe selinë e PD-së, duke shtuar akoma edhe më shumë numrin e subjekteve të reja që kanë dalë nga barku i Partisë Demokratike. Nëse një fenomen i tillë do vazhdojë të shihet ende në perspektivë, të gjithë do e kuptojnë se PD vazhdon edhe sot e kësaj dite të mos jetë aspak demokratike dhe as garantuese e pluralitetit të mendimeve dhe krejtësisht e paaftë të ndërtojë një demokraci funksionale të bazuar në vlera, meritokraci dhe alternativa zhvillimi.
Rregulli i pashkruar mbetet: ata që mendojnë ndryshe përjashtohen, emri i tyre hiqet nga lista e kandidatëve në zgjedhjet e radhës, paaftësia për lidership vizionar në grup ka krijuar modelin e liderit që udhëheq turma dhe kult individi; kryetari nuk largohet kurrë përveçse kur dëshiron vetë. Ky model i deformuar i drejtimit të partisë, i bazuar te kulti i individit, tek personalizimi dhe mbajtja peng e karrierave brenda subjektit politik, i nxiti dy deputet të PD-së, së bashku me disa drejtues të tjerë të niveleve të ulëta, të marrin nismën për krijimin e subjekteve të reja politike.
Mundësia
Agron Shehaj u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2017 dhe pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit të vitit 2021, në 13 qershor garoi për kreun e Partisë Demokratike përballë Lulzim Bashës, ku humbi. Prej 12 muajsh i larguar nga PD, ai shpalli me 1 qershor, 2024 krijimin e forcës më të re politike, duke e pagëzuar me emrin “Mundësia”. Forcën e tij politike, Shehaj e prezantoi si një forcë të djathtë që synon t’u japë një mundësi të re shqiptarëve, duke u ndarë nga trashëgimia e tre dekadave të fundit. Në betejën brenda PD-së, Shehaj iu bashkua grupimit të Rithemelimit, të udhëhequr nga ish-kryeministri, Sali Berisha.
Djathtas-1912
Demokratët e ndarë prej kohësh nga Sali Berisha dhe së fundmi të shkëputur edhe nga demokratët euroatlantikë të Lulzim Bashës, prezantuan forcën më të re politike, të cilën e pagëzuan “Djathtas-1912”. Deputeti Enkelejd Alibeaj krah deputetit Arbi Agalliu, anëtarëve Edvin Kulluri, Rezart Kthupi dhe Agron Kapllanaj zbuluan para gazetarëve Kartën e Parimeve dhe Vlerave të kësaj partie, e cila bazohej në pesë shtylla kryesore themelore të lirisë: individi, prona, familja, vetëqeverisja dhe besimi në Zot.
Historia e dasisë brenda Partisë Demokratike ngjan më shumë si një mallkim që është i destinuar të përsëritet, e të përsëritet pafund. Në mos qoftë i tillë, do jetë shpëtim. Çdo ndarje, pavarësisht përmasave, ka dhimbjen e saj. Ata që janë pjesë i ndjenë më shumë se të tjerët dhe kjo është krejt e natyrshme. Ata që i frynë dasisë qëndrojnë gjithmonë në pritë. Të gatshëm për të qëlluar, pasi kanë marrë shenjë. Pushka e tyre është e fortë. Ashtu si krisma që dëgjohet pas çdo të shtëne. Shumë të tjerë rrinë e përgjojnë, disa të tjerë vazhdojnë e rikthehen sërish në pozicionet e rebelit brenda partisë, disa vazhdojnë e qëllojnë dhe disa të tjerë vrasin pa inventar. Viktima ka shumë. Heronj shumë pak.
Viktima, të plagosur, të larguar, të vetëlarguar, të gjithë, papërjashtim të gjithë, kërkojnë demokracinë e munguar prej 30 e ca vitesh. Kjo është historia e shkurtër, po aq edhe e gjatë e konfliktit brenda PD-së./Alfapress.al

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128