
Do të kalonin kufirin, dy të rinjtë i pushkatuan, të tretin e shpëtoi rastësia, ngjarja e 25 shkurtit 1990! Kujtimet e të mbijetuarit Enver Malko

Vrasjet e ndodhura në të gjithë vijën kufitare të Shqipërisë në fundin e sistemit kanë qenë epilogu i diktaturës staliniste enveriste. Mendohet se në 1990 janë vrarë 57 shqiptarë, kryesisht të moshës rinore që donin të iknin nga vendi me mënyrë të ndryshme taksore dhe detare për t’i shpëtuar së keqes që ishte mbjellë në këtë vend. 35 vjet më parë një ngjarje vrastare tragjike ndodhi në kufirin shqiptar në Korab në kohën kur rinia shqiptare kishte tendencën të shpërthente kundër diktaturës nga që rinia donte liri dhe demokraci.
Ata ishin tre shokë rinie të qytetit të Cërrikut që kishin marrë një vendim: Ose të vdisnin ose të arrinin lirinë e jetës së tyre! Sokol Hado, Enver Malko dhe Frederik Haruni e kishin vendosur që të kalonin kufirin për të shpëtuar nga mënyra e jetës nën regjimin stalinist që ua kishte sjellë në majë të hundës dhe u kishte bërë jetën ferr.
Që të tre djemtë ishin nga familje të thjeshta, por me ndjenja patriotike, ishin moshatarë dhe me dëshira të heshtura për liri dhe demokraci siç po ndodhte në të gjithë Europën Lindore ku ishin përmbysur regjimet diktatoriale. Që në fillim duhet thënë se tentativa për arratisje nga Shqipëria u pagua me humbjen e jetës me pushkatimin e Frederik Harunit dhe Sokol Hado, ndërsa Enver Malko shpëtoi për një rastësi të çastit. Ishte 25 shkurti i vitit 1990, ende pa nisur shpërthimet masive të protestave dhe ikjeve nga Shqipëria.
Për fatin e madh si një qytetar që kam jetuar mbi 25 vite në Cërrik dhe kam kaluar fëmijërinë dhe rininë time, i njoh personalisht djemtë dhe familjarët e tyre. Ndërkohë që kam gjetur komunikimin me të shpëtuarin Enver Malko që ishte edhe nga Çamëria me orgjinë dhe që sot jeton në Gjermani. Ja se si i kujton ai shokët e tij dhe familjet e tyre: “Sokol Hado vinte nga një familje atdhetare dhe patriote. Kishte arsim të mesëm dhe pjesëmarrës në ekipin e futbollit “Turbina” të Cërrikut. Babai i tij kishte mbaruar shkollën për veteriner në Itali. Për shkaqe të qëndrimit politik të monizmit ai shikohej më syrin e keq të luftës së klasave, por në Cërrik të gjithë e njihnin dhe e thërrisnin “doktor Enver Hado”. Por lidhjet fisnore me nivele të larta nuk shiheshin mira nga sistemi, edhe pse babai i tij ishte një burrë me nderime në qytet”.
“Frederik Haruni ishte djali i Jaho Harunit. Kishte arsim të mesëm dhe i pasionuar për jetën e lirë dhe me ndjesi demokratike. I ati i tij, kishte marrë pjesë në luftën për çlirimin e vendit. “Xha Jaho” siç e thërrisnin të gjithë, ishte një njeri i respektuar në qytetin tonë edhe si një njeri punëtor. Frederiku ishte edhe vëllai i piktorit të mirënjohur Ylli Haruni. Ai ishte i talentuar dhe i njohur qysh në atë kohë në Cërrik dhe më pas edhe në Elbasan në rrethin e intelektualeve, që sot jeton e punon në SHBA.
Enver Malko, vjen nga një familje patriotesh nga babai, gjyshi e stërgjyshi të përgjakur me ultranacionalistët grekë gjyshi Jasin Malko Çelua ishte shok dhe ndihmues i Muharrem Rushitit në luftën për pavarësi. Babai i tij Malko kishte derdhur gjak për Atdheun e tij, por diktatura kërkonte ta poshtëronte për shkaqet e njohura të origjinës nga Çamëria, por edhe pas dënimit që iu bë të ashtuquajturit “grupi çam” i Teme dhe Taho Sejko, Tahir Demi etj, edhe pse në shtëpinë e familjes së tij flitej për heroizmin e “Heroit të Popullit” Ali Demi.
Këta djem u rritëm me këtë frymë duke menduar se ishin ndryshe nga të tjerë. Kështu mendonin ata djem të rinj në moshë në atë kohë se edhe mund të ishin ndryshe në të kuptuarit e jetës. Sokoli ishte i motivuar kundër sistemit për këndvështrimin negativ që i bëhej babait të tij, sa që edhe motrës së tij Arjanës nuk i dhanë të drejtë studimi për në shkollë të lartë edhe pse me nota të shkëlqyera. Sokoli me të vërtetë nuk e donte atë sistem diktatorial dhe shpesh u fliste shokëve të tij të ngushtë Enverit dhe Frederikut me shumë simpati për Amerikën, ndërkohë që idhullin e tij kishte Presidentin Truman.
TENDENCA PËR ARRATISJE SIPAS KUJTIMEVE TË ENVER MALKOS
Janë të panumërta tendencat dhe ikjet nga Shqipëria gjatë diktaturës, me çdo mjet të mundshëm, duke u sakrifikuar edhe jeta. Sipas kujtimeve të shokut të ngushtë të Sokolit dhe Frederikut, Enver Malko tregon:
“Një ditë folëm me Sokolin për të ikur, por nuk njihnim njeri. Menduam se mund të iknim nga deti nëse nuk gaboj kur ishte 1985, pas vdekjes së diktatorit. Siguruam një kamerdare. U nisëm drejt Sarandës. Një natë fjetëm në hotel Apollonia dhe të nesërmen në Sarandë. Aty fshehëm kamerdaren në një gëmushë në breg të detit në të djathtë përballë hotel “Butrintit” ku kishte edhe ndonjë pishë deti aty. U prenotuam në hotel “Butrinti”. Kur dolëm në darkë po shikonim prozhektorin që ndizej e bënte ditë. Deti ishte i qetë, nata me hënë. Menduam se ishte e pamundur të kalohej sepse nga bregu dukej çdo gjë në sipërfaqe edhe drita e hënës që reflektonte. Ajo që nuk dinim atëherë ishte se edhe po të futeshim në det e mos të na shihte njeri, sigurisht do të vdisnim nga Ipotermia ulje te temperaturës së trupit se ishte dhjetor. Zoti na ndihmoi në këtë rast.
Pas kthimit nga Saranda ndiheshim shumë të zemëruar, sepse edhe rrugën e Ksamilit e menduam, por të ikje me kamerdare deri atje ishte e pa imagjinueshme. Pas disa vitesh Sokoli më tha se kishte folur me një shok shumë të besuar që po bënte ushtrinë në kufi. I thashë që të ikim, por Sokoli kishte një problem familjar dhe më tha se nuk mund ta bënte këtë gjë dhe ishte gati të sakrifikonte çdo gjë për këtë. Megjithatë unë asnjëherë nuk e mora vesh kush ishte shoku me të cilin kishte folur Sokoli. Kur e vendosëm, Sokoli më prezantoi Frederik Haruni. Sokoli kishte një adresë të një familje hebreje që xhaxhai i tij i kishte shpëtuar jetën gjatë luftës. Kjo zonjë e moshuar banonte në Montreal në Kanada. Por s’ishte e thënë. Në diktaturë mundësitë për të shpëtuar nga kthetrat e saj ishin edhe më të vogla sesa të hebrenjve.
U nisem të motivuar duke e vlerësuar edhe rrezikun. Nuk biem gjallë në dorë të komunistëve Sokoli dhe Frederiku ishin të bindur dhe shumë të vendosur. Ishin vërtet dy trima që u shndërruan në heronj. Edhe pse Frederik Haruni kishte folur me Kolin për t’u arratisur dhe ishte në kufi kur ka folur me të ai (Frederik Haruni) priti shokë t e tij. E pashë të rënë para syve të mi sesi ra ai djalë trim. Gjatë kalimit të kufirit arritëm në një pikë ku na u tha se po të kalohej matanë ishe jashtë shtetit. Ishte një e përpjetë shumë e rrezikshme në Korab të Dibrës. U përpoqëm ta kalonim. Aty unë jam rrëzuar dhe jam plagosur, më ra të fikët, u çava në ballë. Më vjen Frederik Haruni dhe më përmend. I thashë se ishte e pamundur të kaloja, nuk mundesha, ndjeva shijen e gjakut në gojë. U mblodhëm edhe një herë të tre dhe vendosëm në liri të plotë dhe në emër të asaj që ishte më e shenjtë për ne. Koli vendosi të vazhdojë vetëm përpara, pikërisht aty ku unë u rrëzova dhe nuk u pamë më. Frederiku u kthye me mua për të gjetur një tjetër alternativë me Kolin. Thamë që do shihemi matanë.
Na gjeti mëngjesi pranë kufirit edhe pse i kishim kaluar rojet. Një banorë i zonës na kish parë dhe kishte lajmëruar në postë. U dëgjuan të shtëna nga larg, të cilat bëheshin gjithmonë e më të afërta. Unë ende s’e besoja se mund të ishin ushtarë sepse i kemi parë gjatë natës dhe i kishim lënë larg. Frederiku e kuptoi dhe më tha lëviz se na zunë. Kisha humbur gjak dhe energji. E pashë në sy dhe i thashë ik, Pete, (kështu i thërrisnim Frederikut), ik, ik. Ushtari pas pak arriti dhe e goditi edhe ashtu me plumba në trup vazhdonte të ecte drejt kufirit drejt “lirisë” që aq shumë e donte. Frederiku im i dashur, shoku im i shtrenjtë besnik i pashoq mbylli sytë duke thirrur emrin tim.
Nuk flas për sjelljen e ulë t njerëzore që u rezervua ndaj Frederikut dhe meje. Diktatura nuk kishte respekt as për të gjallë as për të vdekur. Për shokun tim të shtrenjtë, shokun tim të fëmijërisë mësova qe kishte vdekur edhe ai, por këtë e mora vesh muaj më vonë se gjithmonë mendoja se Koli e kaloi kufirin. Isha vërtet i gëzuar që Sokoli ia kishte dalë. Kur e mora vesh që edhe Koli kishte vdekur, kam qarë si fëmijë. Asnjëherë nuk fola për adresën që kishim me vete e cila mund t’i kushtonte shtrenjtë familjes së shokut tim Sokol Hado”.
Mes lotëve që i binin mbi buzët që i dridheshin, Enver Malko që rrëfente ngjarjen pas 35 vjetësh, shprehet me shumë respekt dhe dashuri për shokët e tij që nuk jetonin më, si edhe për familjet e tyre që humbën djemtë e dashur. “Jam me fat dhe i falem Zotit që më mbajti gjallë ashtu rastësisht, por lutem për shpirtin e dy shokëve të mi të shtrenjtë cërrikas që e sfiduan diktaturën dhe vendosën me vetë dijë të plotë të jepnin edhe jetën për atë që sot ndoshta shumë njerëz e mendojnë si diçka të llogaritur që nuk diskutohet”, – shprehet Enveri, edhe pse e ndjen veten me fat.
Ajo që ndodhi natën e 25 shkurtit 1990 në malin e Korabit, është fiksuar në kujtesën e Enver Malkos, të mbijetuarit të pritës fatale me dramacitetin e atyre çasteve. Njeriu që e privilegjoi fati rastësisht, i është kthyer e rikthyer disa herë asaj historie. Barbarinë e goditjes vrastare e ka ende në sy. I çoi në kurthin e vdekjes ëndrra për lirinë e vërtetë. Ishin tre. Të tre 25-vjeçarë që donin lirinë dhe të jetonin në një vend perëndimor europian mundësisht.
KISHTE RËNË MURI I BERLINIT, POR JO ISTIKAMET E KORABIT
Ishte fillimi i ‘90-ës. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe evropianët i gëzoheshin klimës së re. Tirana këmbëngulte në të vetën “As Lindje as Perëndim”. “Ra muri i Berlinit, por jo karakollët e Korabit” stigmatizonin dibranët. Korabi ato ditë përcillte lajme me të vrarë e të plagosur. Lajme me fatkeq që guxonin t’u qepeshin shpateve të tij për të ikur matanë, por përfundonin tragjikisht. Vrulli i inkurajuar nga zhvillimet e kohës për “Tokën e premtuar”, ndëshkohej me plumbat e pamëshirshëm. Ëndrra e dhjetëra fatkeqëve mbyllej tragjikisht këtu. Emrat e tyre pastaj futeshin në raporte e shkresa të cilat brenda ditës nga Korabi përfundonin në Tiranë.
Ëndrrat e tre të rinjve u prenë në mes, por demokracia erdhi një vit më pas. Ata guxuan për liri e demokraci kur të tjerët nuk guxonin as të flisnin. Ëndrra për t’i ngjarë Platinisë si futbollist e Sokol Hados u pre në mes, ëndrra e Frederikut për të gëzuar lirinë u vra, ëndrra e Enver Malkos për të jetuar në liri gjeti mundësinë vetëm në Gjermani ku shkoi për të jetuar me një dhimbje të madhe në zemër e me mendime të goditura nga ajo ngjarje e 25 shkurtit 1990.
Të guxosh për liri e demokraci për të rrëzuar muret e diktaturës në një vend që kishte të instaluar stalinizmin, nuk ishte e lehtë 35 vjet më parë. Ndoshta sot ata tre djem, emrat e tyre meritojnë nderim maksimal se u bënë modeli i rinisë shqiptare për të bërë atë që do të vinte më pas, edhe pse nga Jugu në Veri shumë herë kishim dëgjuar e na tregonin nën zë ngjarje makabre me vrasje të të rinjve, sidomos në Shkodër ku antikomunizmi ishte i fortë dhe ku trupat e të vrarëve që tentonin të iknin, i trajtonin si bagëti mbi karroceritë e zetorëve apo makinave pa rimorkio si një dëshira gjakatare e njerëzve që nuk e dinin se liria nuk mund të dhunohet ashtu siç bëri diktatura staliniste e Enver Hoxhës./Gazeta Panorama

ide


Nëse Amerika mbyll SPAK-un, kush përfiton më shumë, PS apo PD?

A mund të përmirësohet SPAK nga klasa jonë politike?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128