Festivali “Marie Kraja”/ Sonte në mbrëmje nata finale

31 Mars 2023, 16:13 / JETË ALFA PRESS

Festivali “Marie Kraja”/ Sonte në mbrëmje nata finale

Edicioni i nëntëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar Të Vokalit Operistik “Marie Kraja” sot në mbrëmje ka  finale e këtij rrugëtimi tre ditor dhe do të transmetohet në TCh në orën 21:00. Gjashtëmbëdhjetë konkurrentë, nga katër kontinente kanë garuar për të marrë çmimin që mban emrin e themelueses së operës shqiptare “Marie Kraja”.

Juria ndërkombëtare tashmë ka pasur mundësinë që të reflektojë këto net, dhe duke i bashkuar performancat e finalizimit të sotëm do të nderojnë fituesin. Juria përbëhet nga: Nicolas Payne, Julia Lagahuzère,  Sue Spencer, Plamen Kartaloff, Javier Alvarez Menendez, Alessandro Ariosi , Alessandro di Gloria dhe Vikena Kamenica .

Dirigjenti i orkestrës dhe gjithashtu Drejtor Artistik i Festivalit vjen nga Anglia dhe është i mirënjohuri Martin Andre.

Këngëtarët konkurrentë këtë finale do të këndojnë me artistë të njohur të muzikës së lehtë shqiptare.

Emra të njohur si Aurela Gaçe, Eneda Tarifa, Venera Lumani, Lind Islami, Kamela Islamaj, Era Rusi, Elhaida Dani dhe Juliana Pasha do të këndojnë krah këngëtarëve operistikë në garë dhe pa dyshim kjo do jetë një nga pjesët më të pritura të këtij spektakli.

Përveç misionit të tij kryesor, garës dhe promovimit të talenteve të reja, festivali “Marie Kraja” është dhe dy net koncertore për t’u shijuar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

TCh është partneri zyrtar i Festivalit, që jo vetëm do e sjellë në shtëpitë e të gjithëve drejtpërsëdrejti këtë festival në dy netët e tij, por po ndihmon dhe në promovimin e kësaj ngjarjeje kulturore, duke u bërë një mbështetje e çmuar për të tilla evente, që sjellin në Tiranë ajkën e kulturës së skenave botërore./ TCH