
Mbrojti të “deklasuarit”, debati i aktorit Naim Frashëri me Fadil Paçramin! Si u bë mburojë në mbledhjet e partisë për kolegët me “njollë në biografi”

Më 18 shkurt të vitit 1975 u nda nga jeta aktori i shquar i teatrit dhe kinematografisë, Naim Frashëri. Nuk qe rastësi që pasardhësi i një familjeje bejlerësh të Përmetit, u quajt me të njëjtin emër si poeti rilindas me prejardhje nga Frashërllinjtë.
Nderimi për figurën e autorit të poemës emblematike “Bagëti e Bujqësi”, i shtyu natyrshëm të parët e aktorit t’i vinin po atë emër që mbetet përjetësisht në analet e historisë dhe letërsisë sonë. Naim Frashëri lindi në Leskovik më 15 gusht të vitit 1923. Në skenën e Teatrit Kombëtar, do të ngjitej për të ekzekutuar rolet e para në vitin 1945. Më herët, mori pjesë në teatrin partizan.
Njëhershëm, luftëtar dhe aktor, Naim Frashëri spikati për gjetjet aktoreske. Valeri te “Tartufi”, Gjoni te “Trimi i mirë me shokë shumë”, gjenerali te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Leka te “Përkolgjinajt”, Nikolla te “Armiqtë”, Sasha Ribakov tek “Orët e Kremlinit”, Lubeni te “Procesi i Lajpcigut” dhe Hamleti te “Hamleti”, qenë disa prej roleve të tij më të duartrokitura. Jonuz Bruga te “Familja e Peshkatarit”, do të ishte petku i 80-të dhe i fundit që do të mbante Naim Frashëri në karrierën e tij të ngjeshur. Në zhanrin e filmit ka interpretuar në tetë prodhime kinematografike, mes të cilave roli te “Skënderbeu” më 1953-shin, si edhe tek filmi “Tana” më 1958-n. Naim Frashëri është nderuar me titullin “Artist i Popullit”.
Vdekja e parakohshme e mori artistin Naim Frashëri më 18 shkurt 1975. Ishte një goditje për artin skenik, mbi të gjitha, një artist potent që kishte dominuar skenën me kryerole të dramaturgjisë botërore e asaj kombëtare për 20 vjet rresht, sidomos me Hamletin e Shekspirit. Në vitin 1970 ai kishte arritur gjithçka, titujt e lartë, “Artist i Popullit”, “Hero i Punës Socialiste”, deputet, sekretar Partie i Teatrit Kombëtar, por, përsëri, nuk ishte i përkëdheluri i regjimit. Ishte artist që nuk bënte kompromise. Kërkoi dorëheqjen nga trupa e teatrit për të shkuar në ILA, si pedagog. Ai e kishte të lidhur jetën e tij me skenën e TK, por ishte i detyruar të bënte këtë zgjedhje. Naim Frashëri kishte kritikuar hapur nivelin e dobët të pjesëve që viheshin në teatër, angazhimin dilentat të disa aktorëve dhe keqpërdorimin politik. “Unë mendoj, shkruante Naimi, se Teatri Qendror nuk duhet të kthehet në laborator për veprat e dobëta. Kjo punë të bëhet jashtë teatrit”.
Në vitet 60-të, pas heqjes së repertorit të huaj, një sërë veprash skematike u vunë në skenën e TK. Përplasja me Fadil Paçramin ishte e fortë, por Naimi ishte i guximshëm dhe trim. Kur Paçrami i tha Naimit: “Do të ishte më mirë të dilnit në pension”, ky i tha: “Dil ti më mirë, se e ke mbushur moshën, je bërë edhe gjysh!”. Në Teatrin Kombëtar, kur u ashpërsua lufta e klasave, Naim Frashëri i doli zot Ilia Shytit, kur deshën ta përjashtojnë, për shkak të arratisjes së vëllait, ruajti të paprekur reputacionin e aktorëve të talentuar Sandër Prosi e Prokop Mima, kur ata nisën t’i përgojojnë për të “kaluarën e tyre të paqartë”, iu bë mburojë aktorit të ri Bujar Lako, kur atë donin ta hiqnin “për arsye biografie”, shoqërohej me aktorët e rinj Bexhet Nelku, Robert Ndrenika, Timo Flloko, kur mbi ta ranë “hijet” e analizës biografike. Naim Frashëri duke u bërë mburoja e të “deklasuarve”, atyre që kishin “njolla në biografi”, nëpër mbledhje partie tregoi se personaliteti i tij nuk përcaktohej nga bindjet politike.
NTERPRETIMET Naim Frashëri ka interpretuar për herë të parë në Priskë të Tiranës, ku teatri partizan shoqëronte pasdite batalionin luftarak të paraditeve. Duke qenë edhe luftëtar, edhe aktor, Naimi spikati në rolet e tij për gjetje të detajeve të besueshme aktoreske dhe seriozitet në punën e përditshme. Ndërsa në Teatrin Kombëtar, që filloi në 1945, ai ishte ndër pionierët themelues të tij. Rolin e parë në filma e luan tek “Skënderbeu” më 1953, ndërsa të dytin tek “Tana” më 1958. Pastaj rolet e tij vijnë me radhë: “Fëmijët e saj”, “Gjurma, “Plagë të vjetra” etj.. Gjatë këtyre viteve ai ka merituar titujt më të lartë artistikë e deri te “Hero i Punës Socialiste”, që ishte një titull i lartë nderi. Por vdekja e tij në moshën 53-vjeçare u dha fund ëndrrave të Naim Frashërit, pikërisht atëherë kur pritej që ai të shërbente si fanar në horizontin e kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Dhe pavarësisht nga jeta e shkurtër, talenti dhe rolet që realizoi mbetën si shembuj përsosmërie për brezin e mëvonshëm artistik të Shqipërisë. Për lartësinë e realizimeve, diksioni i zërit të tij u krahasua me atë të Aleksandër Moisiut.
Humbja e Naim Frashërit, ishte një goditje për artin skenik, mbi të gjitha, një artist potent që kishte dominuar skenën me kryerole të dramaturgjisë botërore e asaj kombëtare për 20 vjet rresht, sidomos me Hamletin e Shekspirit. Ishte data 18 shkurt e vitit 1975, kur Naim Frashëri ishte 53 vjeç; ai sapo kishte mbaruar leksionet në Fakultetin e Dramës dhe në mesditë kishte ndier një dhimbje në pankreas. Më parë ai kishte vuajtur nga një sëmundje verdhëze, por atë ditë pati një goditje akute në pankreas dhe vdekja ishte e menjëhershme. Në varrimin e tij morën pjesë të gjithë nxënësit dhe studentët e kryeqytetit, ndërkohë që, humbja e aktorit skenik u konsiderua si më e madhja në art gjatë viteve të pasçlirimit. Më 19 shkurt gazeta “Zëri i Popullit” botoi nekrologjinë e vdekjes. (Pak kohë më vonë u botua edhe një artikull i gjatë për të ku, mes të tjerash shkruhej edhe këtë fjali: “Heshtni liliputë përpara zërit dhe figurës më të ndritur të Artit, Naimin Frasheri!”). Naim Frashëri mbetet një nga aktorët tanë më të shquar të skenës, i vlerësuar, përveç titujve “Artist i popullit” dhe “hero i Punës”, edhe me Çmimin e Republikës kl.I, me titullin e lartë “Nder i Kombit” dhe së fundi edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Përmetit./Panorama
-
-
-
Zgjidhet lideri i javës – çfarë pritet të ndodhë?
19 Shkurt, 15:03 -
-

ide

Shqipëria Madhështore apo Shqipëria e Pazarit!

Opozita, akoma larg një projekti për rrotacionin e pushtetit

top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128