
“Nuk do të më tretë dheu nëse s’do të ma çoni kufomën të tretet në tokën mëmë”- Testamenti i Faik Konicës dhe kërkesa për Fan Nolin! Çfarë mendonte shkrimtari për grekët


Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqipe dhe sot kujtohet 150-vjetori i lindjes së tij (15 Mars 1875-15 dhjetor 1942).
Shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, Konica ka qenë një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë, e jetës politike shqiptare, një intelektual i dimensioneve europiane. Mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë, në një familje të vjetër koniciote.
Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit. Pasi kreu shkollat e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A, ku mori gradën “Master of Arts”. Me 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”. Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themelojnë gazetën Dielli, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”.
Me 1912 në emër të Federatës “Vatra”, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës “Vatra” dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës “Dielli”, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”. Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Vdiq në Uashington më 15 dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë. Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime. Faik Konica mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës sonë moderne.
Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare. Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. U lind në Konicë, në oxhakun e bejlerëve të njohur si Zenelbejllinjtë, i biri i Shahin beut dhe Zeliha hanëm Delvinës, i treti ndër katër djemtë, Mehmeti, Rustemi dhe Hilmiu. Muaji i lindjes figuron i dokumentuar në prill – ndryshim që mbase lidhet me ndryshimet në kalendarët e zbatuara në atë periudhë.
Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësues privatë. Më 1883 vizitoi të motrën, Xheva hanëm që në atë kohë banonte në Shkodër. Ndoqi shkollën saveriane në dy vite shkollore 1883-1885 ku ndoqi lëndë në italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Kthehet në vendlindje për ndoshta një vit dhe më pas vijoi shkollimin në Liceun Perandorak të Gallatasarajit në Stamboll gjatë viteve 1886-1887. Filloi studimet universitare më 1890 në Collège de Lisieux në Normandi; më 1893 ai shkoi në Lycée de Carcassonne në jug të Francës ku studioi deri më 1894, duke u përqendruar në studimet klasike, letërsi dhe filozofi.
Më 1893, gjatë “Année du Rhétorique” doli studenti i parë i kursit në lëndën e kompozicionit në frëngjisht dhe në përkthimet latine. Përfundoi studimet universitare me diplomën of Bachelier de l’Enseignement Secondaire Classique (Lettres – Philosophie) në Fakultetin e Letërsisë të Dizhonit (Université de France) më 16 nëntor 1895, ku u pagëzua i krishterë katolik me emrin Domenik, që e ka përdorur edhe në një letërkëmbim “beg Faik – Dominik Koniza”. Në vitet 1895-1896, Konica filloi studimet pasuniversitare tek Collège de France në Paris, ku u përqendrua në “letërsinë mesjetare frënge, dhe letërsi romake”.
Në 1897 Faik Konica shkoi në Bruksel ku themeloi të përkohshmen “Albania”, me ndihmën e autoriteteve austro-hungareze. Sipas dokumenteve belge, gjatë kohës që jetoi në Francë, Konica kish njohur Sophie Annette Hugon, me të cilën, në 1897, pati një djalë të quajtur Henrik. Më 1903 u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik. Në Londër jetoi pesë vjet dhe studioi dokumentet shtetërore veneciane që lidheshin me Shqipërinë si dhe me dorëshkrime të tjera, disa prej të cilave i botoi tek “Albania”. Në 1909 u ftua prej shqiptaro-amerikanëve të shkonte në Shtetet e Bashkuara, ku të jepte një varg leksionesh, që e bëri në dyvjeçarin 1909- 1911.
Më 22 tetor 1909 mori në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e “Diellit”, botim javor i Shoqërisë “BesaBesë”. Konica punoi si kryeredaktor i “Diellit” deri më 18 mars 1910, për t’u kthyer sërish me 6 maj deri me 1 korrik 1910 dhe mandej prej 1 gushtit 1912 deri më 8 korrik 1913. Më 24 dhjetor 1911 në një mbledhje drejtuar nga Kristo Floqi, Konica caktohet anëtar i Komisionit për Bashkimin e Organizatave shqiptare në SH.B.A. Përpjekjet e mbarë patriotëve shqiptarë, përfshirë Konicën, arritën kulmin me themelimin e Vatrës më 28 prill 1912. Mbledhja e themelimit u zhvillua në Kishën e Shën Gjergjit që atëherë ndodhej në 227 Tremont Street, Boston. “Vatra” bashkoi shoqëritë “Besa-Besën”, “Flamuri i Krujës”, “Kombëtare” dhe “Dallëndyshja” dhe do të luante rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Një Pleqësi e përkohshme u zgjodh për të drejtuar organizatën e re. Sekretar i saj u zgjodh Fan Noli. Konica dhe Floqi u ngarkuan me ngritjen e degëve të reja të organizatës në Masaçusets dhe shtete të tjera. Pas përfundimit të stinës së provimeve për Faikun nuk do të kishte më asnjë ditë pushimi të lirë.
Përreth një muaj rresht, nga 19 maj 1912 deri më 16 qershor 1912 Konica do të udhëtonte pa reshtur në mbarë Anglinë e Re duke ngritur dhe organizuar degë të reja të Vatrës në Worcester, MA, Lynn, MA, Manchester, N.H., Central Falls, R.I. and Southbridge, MA. Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Në arkivin e tij privat më 13 mars 2006 iu gjet kërkesa për punësim, përmes së cilës mëtonte të punësohej si “pedagog në kolegj, shkollë normale ose shkollë tetëvjeçare; në lëndët: gjuhë romane, kryesisht frëngjisht dhe italisht”. Pyetjes se në cilat pjesë të SH.B.A.-së dëshironte të punonte, ai iu përgjigj: “Në 1912-1913, në rrethinat e Cambridge-it; në vitet e mëpasshme kudo”.
Sipas studiuesit Alibali synimi i tij për të mos u larguar nga Bostoni në një periudhë kritike të lëvizjes shqiptare në Amerikë përkon edhe me veprimtarinë e ethshme të Konicës e Nolit gjatë këtyre dy viteve në kuadrin e “Vatrës”. Fakti që formulari i punësimit është gjetur në arkivën private të Faikut dhe jo në arkivën e universitetit tregon se Konica nuk e dorëzoi atë tek zyra përkatëse. Sipas Kastratit, Konicës iu ofrua në fund të studimeve një vend pune si pedagog i anglishtes në Universitetin e Pekinit në Kinë. Me efektin domino të shpejtë të ngjarjeve të gjysmës së dytë së 1912 dhe shpërthimin e Luftës Ballkanike, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i “Vatrës” i 16 shkurtit 1913 vendosi të dërgonte Faik Konicën si delegat në Kongresin e Triestes. Kongresi filloi më 1 mars 1913 nën kryesinë e Faik Konicës. Ai zgjati tri ditë dhe në të morën pjesë përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare, të cilët morën vendime të rëndësishme dhe miratuan një rezolutë në mbështetje të qeverisë së përkohshme dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë.
Në gusht u kthye në Shqipëri, ku pasi e kishte quajtur “njeri të papërgjegjshëm, ambicioz dhe më të urryerin nga shqiptarët” në Vjenë, iu bashkua tarafit të Esad pashë Toptanit, në tetor ndihu në formimin e Pleqësisë së Shqipniës Mesme. Më 3 nëntor në rrugët e Durrësit u shit numri i parë i gazetës së Pleqësisë, Ushtimi i Krojës, që drejtohej nga Konica. Pas diskutimeve për ardhjen e princit, Konica pati një zënkë me Toptanin. Më 7 mars 1914 priti Princ Vidin i veshur me fustanellë të bardhë deri te gjunjët, xhokën e zezë krahëve dhe këpucë allafrënga. Gjatë një qëndrimi dyvjeçar në Vjenë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, u takua me Ahmet bej Zogollin të internuar nga austro-hungarezët dhe u bënë miq. Së bashku u takuan sërish në Itali, ku Konica ishte përfaqësues jo shumë aktiv si delegat i Vatrës dhe kish refuzuar një ofertë për t’u emëruar përfaqësues diplomatik i qeverisë shqiptare në Romë.
Në shtator të 1921, Faiku u kthye nga Napoli në Boston me ftesë të Vatrës për t’u bërë kryetar i saj. Konica nisi të kritikonte Zogun kur u emërua kryeministër më 1922 me pendën e tij të vrerosur. Më 1923 u takua në Boston me 20-vjeçarin Gjon Mili, të cilit do t’i ofronte miqësinë e tij. Pas takimit me mikun e vjetër Fazlli Frashëri më 1925, Konica ndërroi qasje kundrejt Zogut duke u shprehur gjithnjë e më tepër si edukator përmes publicistikës së tij.] Më 13 korrik 1926 dorëzoi letrat kredenciale si Ministër Fuqiplotë i Republikës në Departamentin e Shtetit Amerikan. Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian. Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar.
“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, – thuhet në testamentin e Konicës.
Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Maleshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vet tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare”, “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti– Faik Konica. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe eseist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
Njeri me dituri të madhe dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. Disa nga thëniet e Faik Konicës për shqiptarët janë: Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907). Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906). Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare). Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojërrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271). Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34). Sipas tij “Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe”. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole). “Grekët kanë një amë të fortë, pabesinë” thoshte Faik Konica.

ide

Sikur të kishim nja shtatë a tetë si Kreshnik Spahiu!


Erion Veliaj, kryeredaktori nga qelia
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128