Ish-zyrtari i lartë amerikan James Rubin kritika për Gjykatën Speciale: Kjo nuk është drejtësi

James Rubin, ish-zyrtari i lartë amerikan, vijoi edhe sot me dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pasi u pyet nga prokurorët e çështjes, Rubin tha kritikat kundër “Speciales” duke u shprehur “se kjo nuk është drejtësi”.
“Fakti që të akuzuarit kanë qenë në burg, janë në paraburgim për më shumë se pesë vite, fakti që janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur kaq shumë këtu më shqetëson. Mendoj se lidhet me politikën dhe shtetin e së drejtës. Më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur prej pesë vitesh para se të ndiqet penalisht për një çështje. Këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë bashkëpunues me gjykatën. Nuk e kuptoj pse është dashur të qëndrojë në burg prej pesë vitesh. Nuk e shikoj këtë si shtet të së drejtës ose sundim të ligjit që shpresoja të krijohej nga sistemi ndërkombëtar. Albright nuk ka pasur këtë lloj drejtësie në mendje kur ka iniciuar krijimin e ish-Tribunalit të Hagës kundër Jugosllavisë ose tribunalit të Hagës. Kështu mua kjo më është dukur thjesht si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së nëpër bjeshkë dhe mendoj që asnjë person tjetër jashtë UÇK-së e ka pasur këtë mundësi, duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush mbështetësi. Duke pasur këtë lloj njohurie dhe duke ditur si kanë qenë zhvillimet, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por kam të drejtë të shfaq dhe të them me zë të lartë opinionin tim”, tha James Rubin.
Rubin u shpreh se pas komunikimit me ekspertë ndërkombëtare të fushës, ka dalë në konkluzionin se është e pazakontë mënyra si është trajtuar Hashim Thaçi.
“Kam kaluar duke menduar, duke u përgatitur. Mendoja nga viti në vit që do hapet gjykim sot, e do hapet gjykimi nesër ndërkohë që vitet kalonin dhe asgjë nuk ndodhi për shumë vite. Kam vrarë mendje pse u deshën pesë vite për të krijuar një çështje të tillë ndërkohë që aktakuza është ngritur pesë vite më parë. Nuk e kuptoja gjithë këtë. Kam pyetur njerëzit e kësaj fushe, u kam thënë nëse ishte normale kjo gjë. Kam folur me juristë ndërkombëtarë e me avokatë me emër ndërkombëtarë që më kanë thënë që kjo është një gjë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht dhe në juridiksionin e një gjykate që e ka krijuar vetë kur ka qenë kryeministër për t’i treguar liderëve europiane që kishte dëshirë që vendi të bëhej pjesë e BE-së”, tha ai.
Rubin theksoi një ditë më parë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk kishte fuqi vendimmarrëse në UÇK dhe se sipas tij, ai kishte thjesht një rol politik. Zyrtari i lartë amerikan tha se për vendimet ushtarake, Thaçi duhej të merrte udhëzime nga komandantët e lëvizjes.
Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023.
Sipas akt-akuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


