Gazetari Ersid Karaj denoncon bashkinë Kurbin: Punonjësit dhe "njerëzit e fortë" në rrugë dhunojnë median brenda institucionit!

17 Qershor 2025, 19:41 / POLITIKË ALFA PRESS

Gazetari Ersid Karaj denoncon bashkinë Kurbin: Punonjësit dhe

Një rast dhune që i është ushtruar gazetarit dhe grupit të xhirimit në bashkinë e Kurbinit.

Gazetari shprehet se si përfaqësues të medias, kanë shkuar në këtë institucion për një rast denoncimi nga banorë te disa fshatrave në Malësinë e Kurbinit, që kishin shqetësime të mëdha në infrastrukturë, por bashkia e Kurbinit, sipas tij, është bërë një shtetrrethim i cili mbrohet me arrogancë nga njerëzit e fortë dhe vetë punonjësit e saj.

Ai shkruan se policia bashkiake dhe njerëz të paautorizuar të cilët kanë hyrë brenda bashkisë janë bërë palë dhe kanë penguar punën e tij dhe të kolegëve. Në momentin e hyrjes së personave të paautorizuar, pra "e të fortëve të Laçit" brenda bashkisë, policia nuk ka ndërhyrë aspak të mbrojë median nga dhuna fizike e gjuhësore të ushtruar ndaj tyre, por së bashku me këta njerëz, kanë përzënë me forcë median nga institucioni.

Reagimi i plotë

Majlinda Cara jep dorëheqjen! Jeni drejtuesja dhe shembulli më kriminal i bashkive në vend!
Ditën e sotme iu drejtova së bashku me kolegët e grupit të xhirimit të emisionit Xhadat, Bashkisë së Kurbinit, e cila përfaqësohet nga kryetarja, Majlinda Cara.
Në Malësinë e Kurbinit disa fshatra kishin shqetësime të mëdha në infrastrukturë dhe nga neglizhenca e Shërbimit Publik. Asnjë punonjës bashkie nuk interesohej as për mirëmbajtjen e rrugëve, po për asfalt e investime normale as që bëhej fjalë.
Për këtë problem, në mënyrë institucionale iu drejtuam kësaj bashkie, ku u ndeshëm me një shtetrrethim absurd.
Njerëz pa asnjë gram edukate dhe shkolle, që nuk njihnin detyrën e tyre, po të medias jo e jo.
Policia bashkiake sa mori vesh lajmin e pranisë tonë u bë gardh në katin e dytë ku ishte zyra e kryetares dhe nuk na lejonte të futeshim brenda. Më pas njerëz të paautorizuar, madje, thënë shqip, me "shapka shtëpie" u futën në bashki duke na kërcënuar e shtyrë me një gjuhë banale e rrugaçërie. Çfarë doni ju gazetarët këtu? Ç'punë keni? M'u qëroni! Ju vramë, ju therëm!
Policia bashkiake qëndronte aty. I kërkova të ndërhynin, kush janë këta zotërinj që vijnë na kërcënojnë ne si media? As na intereson fare, thoshte një punonjës i policisë bashkisë që e quante veten "Komandant",
mirë e kanë ata, çfarë doni ju këtu?!
Pra punonjësit e policisë bashkiake u bënë gardh për median që kërkonte intervistë me kryetaren në shërbim të informimit dhe transparencës publike, dhe nuk u mor aspak me "gangsterat" e Laçit.
Punonjës policie të bashkisë dhe të tjerë u bënë palë me gangsterat e rrugëve për të na përzënë neve me forcë.
(Do t'i shikoni shumë shpejt pamjet e policisë bashkiake për turpin e tyre!)
Znj. Majlinda Cara jeni niveli më absurd i këtij institucioni. Përfaqësoni një bashki kriminale dhe mbroheni nga rrugaçëria dhe njerëzit e fortë në terren.
Për turpin tuaj dhe asaj që përfaqësoni kishit frikën e përballjes me ne dhe urdhërove policinë e krimit t'ju mbronte!
Jepni dorëheqjen nga ajo karrige!

 

ide