Ish-zv.ministri denoncon kreun e ri të AKSHI-t për plagjiaturë: Igli Tafa copy-paste punimin e doktoraturës

18 Shkurt 2026, 11:03 / POLITIKË ALFA PRESS

Ish-zv.ministri denoncon kreun e ri të AKSHI-t për plagjiaturë:

Studiuesi Taulant Muka ka bërë një denoncim të fortë që i adresohet Igli Tafës, i cili sapo është emëruar Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Muka në një denoncim publik deklaroi se Tafa ka vjedhur punimin e doktoraturës, duke e prezantuar si të tijin, po ashtu dhe artikuj shkencorë. Po ashtu ai ka denoncuar një artikull shkencor të publikuar nga Tafa në vitin 2011, me titull “A Survey of QoS Routing Protocols for Ad Hoc Netëorks”, i cili sipas tij, është kopjuar fjalë për fjalë nga studime të mëhershme të publikuara nga autorë në Malajzi dhe Indi.

“Rasti nuk duket i izoluar: edhe ish-drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e kemi treguar për doktoraturën 100% plagjiaturë. Pas gjithë ngjarjeve të rënda që lidhen me AKSHI, janë të qarta pasojat kur institucione kritike drejtohen nga njerëz me standarde të ulëta profesionale” ka shkruar Muka në denoncimin e tij. Më tej ai i ka “dedikuar” një postim denoncues edhe punimit të doktoraturës së Tafës, të cilën e ka mbrojtur në vitin 2013, në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Sipas tij, shkelje të tilla nuk janë vetëm të natyrës etik, por edhe ligjore.

Kujtojmë se Tafa u emërua në krye të AKSHI-t më 13 shkurt 2026, pasi ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj dha dorëheqje, ndërsa ndodhet në arrest shtëpie dhe po hetohet nga SPAK. Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që Muka bën denoncime të tilla, duke demaskuar dhe zyrtarë, apo dhe ministra.

DENONCIMI

DOKTORATURË PLAGJIATURE – Rasti i dytë i Igli Tafës, Drejtorit të AKSHI-t!
Leksionet e profesoreshës rumune Dana Petcu (2009) janë përdorur fjalë për fjalë si kapituj në doktoraturën e Igli Tafës (mbrojtur 2013, Universiteti Politeknik i Tiranës). Pra: shënime leksionesh të një profesoreje të huaj, të paraqitura si punë doktorature!
Që në kapitullin e parë del qartë kopjimi, teksti dhe struktura përputhen identikisht. Ky është standardi i drejtorit të AKSHI-t. Një shembull i keq se si merren gradat dhe titujt shkencorë në Shqipëri, duke dëmtuar arsimin dhe meritokracinë.
Denoncimi i djeshem për artikullin e 2011 kopjuar nga studime malajziane e indiane nuk eshte plagjiature e izoluar e z. Tafa. Si është e mundur që në vitin 2026, kur teknologjia e zbulon kopjimin menjëherë dhe kur mijëra shqiptarë janë edukuar në universitetet më të mira në botë, ne ende drejtohemi nga plagjiatura?
Doktoratura e z. Tafa nuk shkarkohet online në faqen e Universitetit Politeknik, siç kërkon ligji për transparencën në arsimin e lartë dhe aksesin publik të disertacioneve. Kjo mungesë aksesi publik tregon edhe arsyen pse qeveria dhe Biblioteka Kombëtare kanë kufizuar ose “kycur” doktoraturat nga qasja e lirë: praktikisht kane bllokuar meritokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Po ndodh...