Rama: Ambicia jonë, paga mesatare e mësuesve përtej 1 mijë eurove!

7 Mars 2025, 15:06 / POLITIKË ALFA PRESS

Rama: Ambicia jonë, paga mesatare e mësuesve përtej 1 mijë

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje politikat mbështetëse në arsim, ndërsa u shpreh sot se “ambicia jonë është për ta çuar pagën mesatare të mësuesve përtej 1 mijë eurove”.

Kryeministri Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë e vlerësimit për mësuesit që kanë dhënë kontribut të vyer në arsimin shqiptar me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

Ndërsa u ndal te ndryshimet që kanë ndodhur në sistemin arsimor, Rama theksoi se “kemi arritur tri gjëra shumë të rëndësishme që ishin kthyer në një problem shumë të madh për gjithë komunitetin e mësuesve.

Rama theksoi se autoriteti i mësuesit ishte një autoritet i nëpërkëmbur sa s’ka më keq, për shkak të pasigurisë së plotë të vendit të punës.

Po ashtu, sipas tij, “meritokracia në përzgjedhjen e mësuesve dhe në promovimin e mëtejshëm të tyre në karrierë ishte faktikisht e nëpërkëmbur si s’ka më keq”.

Shpërblimi i mësuesve, sipas Kryeministrit, ishte jashtëzakonisht i pamjaftueshëm në kushtet kur sfida e të qenit mësues bëhet gjithmonë e më e vështirë.

“Sot kemi në të trija këto drejtime një situatë të përmbysur për mirë. Të gjithë mësuesit janë plotësisht të lirë të kenë çfarëdolloj opinioni politik që duan. Janë plotësisht të sigurt në vendin e tyre të punës dhe patjetër që janë edhe plotësisht të respektuar për kontributin e përditshëm që japin”, tha Rama.

Të gjithë ata që përfshihen në këtë komunitet njerëzish kaq të rëndësishëm për popullin, sipas tij, “tani hyjnë jo më nga dyert e pasme të gjithfarë lidhjeve, por hyjnë nga një derë e vetme që është dera e meritokracisë, përmes portalit ‘Mësues për Shqipërinë'”.

Rama theksoi se portali “Mësues për Shqipërinë” prej vitesh tanimë është ligj dhe jo thjesht një nismë për të lehtësuar proceset e rekrutimit për ata që kanë meritat dhe nuk kishin lidhjet e duhura.

Duke u ndalur te rritja e ndjeshme e pagave për mësuesit, Rama siguroi se se “do të rikthehemi përsëri te politika e rritjes së pagave”.

“Ta ngrejë dorën kush ka menduar se në vitin 2024 paga mesatare do të ishte 950 euro. Fakt shumë domethënës i fuqizimit të vendit tonë ekonomikisht por edhe i vullnetit për të fuqizuar mësuesit dhe buxhetet e tyre familjare. Patjetër që është një pagë shumë dinjitoze por nuk diskutohet që nuk është absolutisht fundi, por është një stacion në një rrugë ku ne përsëri do të rikthehemi tek pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve dhe të gjithë atyre që i shërbejnë kësaj Republike. Ambicia jonë është për ta çuar pagën mesatare të mësuesve përtej 1 mijë eurove”, theksoi Rama.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje faktin se mësuesit japin mësim sot në shkolla të transformuara të standardeve europiane me laboratorë inteligjentë e palestra sportive.

Kryeministri Rama mori pjesë sot në ceremoninë e vlerësimit për mësuesit që kanë dhënë kontribut të vyer në arsimin shqiptar, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

“Ju jeni në luftë të përditshme një ‘mësues’ tjetër që është në fakt ‘çmësues’ që rri në xhepin apo në çantën e fëmijëve dhe që në mënyrë të vazhdueshme i nxit përmes të gjitha fytyrave të tij, rrjeteve sociale, që të bëjnë krejt të kundërtën e asaj që ju i kërkoni”, tha Rama.

Kryeministri i siguroi mësuesit se kjo është një sfidë ku nuk janë vetëm, dhe qeveria është gjatë gjithë kohës pranë tyre duke përmirësuar vazhdimisht kushtet dhe zgjeruar mundësitë.

“Sot ju shkoni në një vend pune dinjitoz, në shkolla jo thjesht të transformuara por me standardet e shkollave të mira. Sot mësuesit e teknologjisë apo ata që duan të bëhen kanë në dispozicion laboratorë të standardeve më të larta që do të shtohen vit pas vitit për të mbyllur brenda trevjeçarit të gjitha nevojat e të gjitha shkollave për laboratorë inteligjentë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sot në shkolla ka biblioteka ndihmëse që do të vazhdojmë t’i pasurojmë.

Ndërkohë, Rama nënvizoi rëndësinë e rishikimit të kurrikulave dhe teksteve mësimore për të qenë në lartësinë e sfidave të kohës.

“Sot ka edhe dy programe të mëdha që ne jemi të vendosur t’i zgjerojmë më tutje, programi i Arteve dhe Zejeve që është një program që ka pasur shumë impakt aty ku është zhvilluar dhe na ka mësuar se duhet ta zgjerojmë shumë më tepër për t’i dhënë mundësi fëmijëve të kenë akses”, tha Rama.

Programi i Fermave në Shkolla, sipas tij, do të zgjerohet më tutje për të pasur në të gjitha shkollat mundësinë që fëmijët të njihen me tokën dhe prodhimet.

Ndërsa programi i madh i sportit, sipas Ramës, numëron sot 12 mijë fëmijë në një lëvizje që ka ngjallur interesimin dhe respektin e komunitetit olimpik botëror.

“Ky program është i destinuar të rritet duke krijuar një hapësirë të lirë dhe të re për fëmijët, por edhe një fidanishte nga ku jam i bindur se do të dalin talentet e nevojshme për të ngritur nivelet e Shqipërisë dhe në përfaqësimin e saj në kompeticione ndërkombëtare”, shtoi Rama.

 

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128