Rama flet për mediat greke: Keqinformim për pronat në Himarë. Keqardhje për zhurmën “Beleri”

4 Nëntor 2024, 16:47 / POLITIKË ALFA PRESS

Rama flet për mediat greke: Keqinformim për pronat në

Kryeministri Edi Rama pas takimit me shqiptarët e Selanikut në Greqi, mbajti një konferencë për shtyp për mediat vendase, me fokus çështjen e pronave në Himarë, minoritetin grek në Shqipëri dhe çështja e Fredit Beleri.

"Para së gjithash, besoj se ka një keqkuptim total për pronat në Himarë, dhe ka shumë dezinformata në lidhje me çështjen e pronës, sepse nuk ka një gjë të tillë si problem specifik të pronave atje.

Ka një çështje në gjithë Shqipërinë  për pronat, të cilën po e përballojmë çdo ditë dhe po përparojmë. Dhe në fakt me kryebashkiakun e ri të Himarës po bëjmë shumë punë të mirë dhe brenda pak javësh do të përfundojmë regjistrimin e të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë.

Kështu që gjithçka që kam lexuar, dhe kam lexuar shumë marrëzi në mediat greke për shpronësimet, apo disa devijime, nuk  bazohen në fakte.Kjo është thjesht propagandë”, është shprehur kryeministri Rama lidhur me pyetjet për pronat në bashkinë e Himarës.

Ndër të tjera, ai nënvizoi se pritet një marrëveshje mes kadastrës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë që po përparon në dixhitalizimin e kadastrës së saj  dhe shkëmbimi i përvojës do të jetë shumë i rëndësishëm edhe për palën shqiptare.

Ndërsa për minoritetin grek në Shqipëri, Rama tha se ai është konsideruar gjithmonë si një urë lidhëse shumë e rëndësishme mes Athinës dhe Tiranës.

I pyetur për eurodeputetin Fredi Beleri, Edi Rama ka theksuar se ka një këndvështrim që ndryshon nga ai i Greqisë.

"Drejtësia në Shqipëri është e pavarur dhe askush nuk mund të ndërhyjë në të, as qeveria shqiptare, as qeveria greke dhe sistemi i drejtësisë shqiptare ka marrë një vendim. Pra, ky vendim nuk është për diskutim, është vetëm për zbatim.


Dhe një tjetër lajm i rremë është se unë refuzoj të takohem me të, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë thjesht nuk kam takime me eurodeputetët dhe kaq.Nuk i kam takuar europarlamentarët, jo tani, por as në të kaluarën”,- u shpreh ai.

Për më tepër, numri një i qeverisë shqiptare tha se ndjen keqardhje që një çështje e tillë të shndërrohej në problem mes dy vendeve.

 

Po ndodh...