Botërori dhe kombëtaret fusin në kolaps Federatën me klubet, Herri Kejn: Ankesat e lojtarëve nuk po dëgjohen

27 Mars 2025, 11:15 / SPORT ALFA PRESS

Botërori dhe kombëtaret fusin në kolaps Federatën me klubet,

Anglia është gati të ulet për bisedime me klubet më të mëdha të Evropës, për të diskutuar mbi disponueshmërinë e yjeve kryesorë të Tomas Tuhelit, përpara ndeshjeve ndërkombëtare dhe Kupës së Botës për Klube në qershor.

11 lojtarë potencialë që mund të grumbullohen për një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës në Andorra dhe një miqësore me Senegalin, mund të kenë përplasje me pjesëmarrjen e klubeve të tyre në turneun e ri njëmujor në Amerikë.

Lista e lojtarëve të prekur nga kjo përplasje, përfshin Xhud Bellingamin, Herri Kejnin, Kol Palmerin dhe Fill Fodenin. Tuhel e ka bërë të qartë se Anglia nuk ka kohë për të humbur në përgatitjet për Kupën e Botës 2026 dhe do të kërkojë të ketë të gjithë lojtarët e tij në dispozicion.

Federata Angleze e Futbollit (FA) ka përparësi për të zgjedhur lojtarët për ndeshjet më 7 dhe 10 qershor, ndërsa Kupa e Botës për Klube nis më 15 qershor, kur Bajerni i Mynihut të Kejnit përballet me Okland Sitin në Ohajo.

Trajneri gjerman tha në lidhje me dërgimin e lojtarëve në Shtetet e Bashkuara pas udhëtimit në Andorra: “Do të shohim. Mendoj se dritarja e FIFA-s në qershor është e diskutueshme nëse ka kuptim apo jo.

Është një periudhë e çuditshme për lojtarët. Ata kanë një pushim prej dhjetë ose katërmbëdhjetë ditësh, pastaj shkojnë në kombëtare dhe më pas u japin pak pushim.

Është një ndeshje kualifikuese dhe ndoshta një mundësi për të ndryshuar pak skuadrën, ndërkohë dhe për t’u dhënë mundësi të tjerëve të luajnë miqësoren.

Dritarja e qershorit nuk është ideale për askënd, veçanërisht për lojtarët. Mendoj se është FIFA ajo që mund të harmonizojë kalendarin dhe të gjejë një hapësirë tjetër për këtë dritare.

Ris Xhejms, Levi Koluill, Noni Madueke, Konor Gallager i Atletikos, si edhe treshja e Sitit: Xhon Stons, Riko Ljuis dhe Xhek Grilish, janë gjithashtu mes atyre që mund të ndodhen mes klubit dhe kombëtares.

Skuadrat që marrin pjesë në Kupën e Botës për Klube, duhet të mbërrijnë tri ditë para ndeshjes së tyre të parë, gjë që do t’u lejojë lojtarëve të luajnë edhe për kombëtaret e tyre.

Megjithatë, për shkak të frikës në rritje për mbingarkesën, me FIFA-n që ka nisur një task-forcë për mirëqenien e lojtarëve të udhëhequr nga Arsen Venger, numri i ndeshjeve është sërish në qendër të vëmendjes.

“Sigurisht që është një tjetër verë ku nuk ke pushim”, tha kapiteni Kejn. “Mendoj se po mësohemi. Nuk ka asgjë që mund të bëjmë për këtë, thjesht duhet të flasësh me trajnerët dhe të menaxhosh sa më mirë që mundesh.

Është e vështirë të zgjedhësh, sepse çdo ndeshje është e rëndësishme. Të luash për Bajernin e Mynihut, është e rëndësishme. Të luash për Anglinë, është e rëndësishme”, shtoi sulmuesi. “Ka argumente nga këndvështrimi i klubeve për të gjeneruar më shumë të ardhura, sepse ne ndoshta fitojmë më shumë para.

Por ka edhe një aspekt të mirëqenies së lojtarëve, sepse ka një kufi se sa mund të luash pa u dëmtuar apo pa u përballur me situata të tjera të vështira.

Është një ekuilibër i vështirë. Nuk mendoj se lojtarët dëgjohen aq sa duhet, për të qenë i sinqertë.

Të gjithë duan pjesën e tyre, turneun e tyre, trofeun e tyre dhe lojtarët janë ata që duhet ta përballojnë këtë. Por unë e dua këtë sport, ndaj nuk do të ankohem kurrë për të luajtur futboll”, përfundoi Kejn.

Po ndodh...