Dardanët nisin përgatitjet për ndeshjet me Islandën, synimi ngritja në Ligën B

17 Mars 2025, 22:27 / SPORT ALFA PRESS

Dardanët nisin përgatitjet për ndeshjet me Islandën, synimi

Kombëtarja e Kosovës ka nisur sot përgatitjet në Kampin Nacional në Hajvali, për dy ndeshjet e “Play-off”-it të Ligës së Kombeve. Dardanët do të përballen me Islandën më 20 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa ndeshjen e kthimit e luajnë më 23 mars në Murcia të Spanjës. Përzgjedhësi Franco Foda ka ndarë skuadrën në dy grupe: një grup ka zhvilluar seancë të plotë në fushë, ndërsa grupi tjetër (Amir Saipi, Amir Rrahmani, Ilir Krasniqi, Baton Zabërgja, Valon Berisha dhe Vesel Demaku) ka vijuar rikuperimin në hotel.
Sulmuesi i Hamburgut, Emir Sahiti, pas stërvitjes u shpreh i entuziazmuar për sfidën e radhës: “Është ndjenjë e mirë të jesh gjithnjë pjesë e kombëtares. Atmosfera është shumë e mirë. Jemi kënaqur të gjithë së bashku, jemi bërë si familje dhe shpresojmë këto dy ndeshjet të tregojmë veten. Luajmë në shtëpi ndeshjen e parë dhe duhet të fokusohemi 100 %. Për këtë ndeshje duhet të koncentrohemi vetëm te vetja jonë. Kemi lojtarë të mëdhenj dhe të talentuar, prandaj duhet ta fitojmë këtë ndeshje në shtëpi. Synimi jonë është ngritja në Ligën B të Ligës së Kombeve”, tha Sahiti.

Ndërkaq, talenti 16-vjeçar i Stuttgarter Kickers U17, Lirjon Abdullahu, u shpreh i lumtur që po grumbullohet me ekipin e parë: ” Nuk e kam pritur ftesën, sepse jam 16-vjeçar. Megjithatë jam i kënaqur për të treguar vlerat e mia në Kombëtaren A. Më kanë pritur shumë mirë. Nuk e kanë pritur edhe të tjerët që mund të jetë pjesë e grumbullimit një 16-vjeçar. Por, i falënderoj të gjithë për pritjen e mirë. Për një 16-vjeçar nuk është lehtë të përfshihet në ekipin A dhe t’i tregojë vlerat e tij. Është ndjenjë e mirë të luash për Kosovën. Dua t’u tregoj të gjithëve se çfarë di unë”, tha ai.

Kosova synon ta shfrytëzojë ndeshjen në “Fadil Vokrri” për të marrë epërsi ndaj Islandës, me synimin e qartë: promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe vazhdimin e progresit në arenën ndërkombëtare. Stërvitjen e radhës Dardanët e zhvillojnë nesër në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

 

Po ndodh...