As 'dendja' me gjoba nuk i edukoi! 2318 shoferë të rrezikshëm përsëritës në shkelje: Shpejt, me celularë në timon e pa rrip

13 Janar 2025, 16:41 / AKTUALITET ALFA PRESS

As 'dendja' me gjoba nuk i edukoi! 2318 shoferë të

Varësia ndaj celularit dhe rreziku social ndaj rinisë dhe jo vetëm, po i shfaq pasojat edhe tek drejtuesit e automjeteve. Përgjatë 2024-ës, në gjithë vendin, mbi 40 mijë gjoba u vendosën nga Policia Rrugore për përdorimin e celularit në timon, shpesh shkaktar për aksidente fatale. Por shifrat që Report Tv siguron, tregojnë fenomenin e frikshëm të mos reflektimit edhe pas masave administrative. 1301 shoferë janë gjobitur më shumë se një herë për mbajtjen e telefonit në dorë teksa njëkohësisht drejtojnë makinën.

Përsëritës dhe të gjobitur 2 herë apo më shumë janë edhe 700 shoferë që nuk kanë siguruar veten duke vendosur rripin. 2024-a u mbyll me rreth 60 mijë gjoba në total vetëm për rripin e sigurimit.

Të konsideruar si më të rrezikshmit, në mesin e shoferëve që ecin me shpejtësi marramendëse, 317 “pilotë të rrugës” nuk janë ndërgjegjësuar pas gjobës së parë, dhe sipas shifrave të Policisë, kanë marrë në vijim edhe gjoba të tjera. Përgjatë 2024-ës, tejkalimi i shpejtësisë kryeson numrin më të lartë të masave administrative, gati 300 mijë gjoba.

Në total për të gjitha shkeljet, gjatë 1 viti, në vendin tonë, janë evidentuar 2318 shoferë të pagdhendur, që kanë përsëritur të njëjtat shkelje në rrugë dhe janë gjobitur në vazhdimësi.

Sipas Kodit Rrugor të ndryshuar në qershor 2022, përveç masave administrative, pas çdo shkelje, shoferëve përsëritës u hiqen pikë nga patenta. Sipas shifrave që Report Tv siguron, në vitin që shkoi janë 300 drejtues automjetesh të cilët i kanë humbur të 20 pikët e patentës. Ata duhet t’i rikthehen auto shkollës nga e para për të mësuar edhe një herë në teori tabelat dhe sjelljet në rrugë dhe më tej testin praktik duke i dhënë makinës. Në rast se nuk ia dalin me të parën, nuk kanë mundësi përsëritje deri në 5 herë të testit, siç është për dikë që dëshiron të bëhet shofer për herë të parë, por duhet sërish të kthehen në auto shkollë dhe të paguajnë nga e para për kursin.

Që prej qershorit 2022 janë në total 1711 shoferë që kanë humbur patentat, por vetëm 13% prej tyre (219 shoferë) kanë mundur t’i rimarrin, sipas të dhënave të DPSHTRR.

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128