Eksluzive/ Behar Bajri flet nga burgu në Francë: Dua të vij të përballem ne drejtësinë në Shqipëri, “dikush” po pengon ekstradimin tim!

11 Nëntor 2023, 14:04 / AKTUALITET NGA ALFAPRESS

Eksluzive/ Behar Bajri flet nga burgu në Francë: Dua të vij

Behar Bajri një nga emrat më të përfolur dhe të akuzuar për ngjarje të rënda kriminale veçanërisht në Shkodër, ka telefonuar në redaksinë e Alfapress.al nga burgu në Paris dhe ka kërkuar që nëpërmjet një interviste të shkurtër për arsye kohe, tu bëjë thirrje autoriteteve shqiptare që të realizojnë apo të përshpejtojnë ekstradimin e tij në Shqipëri, pasi kërkon që të përballet vetë me akuzat e ngritura nga SPAK pas çështjes “Metamorfoza.

Ai gjithashtu tregon se po përballet me një izolim dhe kushte të tmerrshme në burgjet franceze, duke mos i dhënë as ilaçet me të cilat kurohet. Shton se i ka kërkuar të drejtat e tij themelore në burg nëpërmjet avokatit dhe madje, edhe duke hyrë në grevë urie, por sërish gjendja vetëm i përkeqësohet.

Bajri dyshon se “dikush” në Shqipëri po pengon ekstradimin e tij dhe kërkon që të bëjë publike gatishmërinë e tij, për tu vënë në dispozicion të prokurorëve të SPAK sa më shpejtë.

Faktikisht Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Francën, por si në raste të tjera për këtë procedurë mund të shfrytëzohen konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, veçanërisht pasi vetë i akuzuari ka shprehur në gjykatën franceze vullnetin për tu ekstraduar në Shqipëri.

Intervista:

Alfapress.al: Ku gjendeni aktualisht?

Behar Bajri: Që nga arrestimi në 4 shtator kam qenë në izolim total në burgun e Strasburgut. Kufizime të tmerrshme ajrosje, nuk më japin ilaçet pasi nuk më njohin as recetën, jam dobësuar afro 50 kilogramë dhe po vazhdojë kështu mund të shkojë drejt vdekjes. Disa ditë më parë më kanë transferuar në burgun e Parisit por nuk më kanë komunikuar arsyen, shpresoj të më ekstradojnë.

Alfapress.al: Kur jeni arrestuar dhe çfarë procedure ndoqët në Francë?

Behar Bajri: Jam arrestuar në 4 shtatorë të këtij viti. Kuse në datën 5 sipas avokatit, me kërkesë nga Shqipëria jam izoluar në kushtet më ekstreme.

Që përpara arrestimit kisha nisur procedurën për azil së bashku me bashkëshorten dhe 4 fëmijët e vegjël. Familjarët e morën azilin, kurse për mua ende nuk ka një përgjigje përfundimtare. Fillimisht e kam refuzuar ekstradimin për në Shqipëri, por duke parë situatën në burgjet franceze si dhe pasi e mendova që pas akuzave të fundit të rënda të SPAK pas asaj që e quajnë “Metamorfoza” dhe që kanë dalë në mediet shqiptare. Avokati im Emanuel Marsingi këmbëngul, se unë e fitoj të drejtën time këtu në Francë, por duke e ditur se jam i pafajshëm kam vendosur që të përballem me drejtësinë në Shqipëri.

Ndaj në datën 19 tetor kam firmosur në gjykatë, pranimin për tu ekstraduar në Shqipëri. Sipas avokatit në datën 24 tetor ka nisur edhe procedura për tu ekstraduar, por ajo po vonon shumë dhe kam dyshime se “dikush” po e pengon dhe nuk dëshiron që të përballem me drejtësinë në Shqipëri, por të vdes burgjeve në Francë.

Alfaperess.al: Mos ndoshta autoritetet franceze kanë çështje për ty?

Behar Bajri: Jo absolutisht nuk kam asnjë problem me drejtësinë këtu në Francë, kjo është e vërtetuar dhe as nuk më kanë pyetur fare për asgjë.

Alfapress.al: Akuzat ndaj jush këtu sidomos pas zbulimeve të aplikacionit SKY dhe operacionit ndërkombëtarë “Metamorfoza” ku është përfshirë edhe Franca, janë shumë të rënda. Dyshoheni për vrasje, tentative, porosi ekzekutimesh me pagesë në llogari të Pëllumb Gjokës, etj.

Behar Bajri: Meqenëse kohën e telefonatës e kam shumë të kufizuar, nuk mund ti shpjegojë tani të gjithë këto. Deri në një vendim gjykate në Shqipëri unë prezumohem i pafajshëm, ndaj edhe po këmbëngulë që të vij sa më parë në Shqipëri dhe të përballem me të gjitha. I bëj thirrje autoriteteve shqiptare, Ministrisë së Drejtësisë, që të mos pengojnë më ekstardimin tim. Gjithashtu meqenëse jam nënshtetas shqiptarë, kërkoj që ambasada shqiptare në Paris apo nuk e di kush tjetër nga shteti shqiptarë, të vij në burg dhe të mënyrën çnjerëzore që po trajtohem. Kam hyrë disa herë në grevë urie dhe sërish, nuk është marrë asnjë masë. Të paktën të më japin ilaçet, se po rrezikojë që të vdes këtu.

Historia

Faktikisht Prokuroria e Posaçme, (SPAK) i ka kërkuar në datë 7 shtator 2023 Ministrisë së Drejtësisë që të nis procedurat për ekstradimin e Behar Bajrit nga Franca, vetëm 4 ditë pasi ai u arrestua në 4 shtator në një lokal në Strasburg, pasi ishte shpallur në kërkim në muajin korrik për llogari të dosjes “Metamorfoza”.

Në atë kohë SPAK i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë të gjithë praktikën në lidhje me dosjen, në të cilën përfshihen provat konkrete kundër Bajrit dhe veprat penale për të cilat ai akuzohet. Bashkëngjitur është vendosur edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme, i arrestit me burg në mungesë për Bajrin.

Behar Bajri, i cili ka kërkuar azil në Francë që prej vitit 2021 fillimisht ka përdorur çdo praktikë ligjore që përfshinë të drejtat e njeriut për të kundërshtuar ekstradimin e tij drejt Tiranës dhe përballje me drejtësinë për dosjen “Metamorfoza”. Fillimisht ai e refuzoj kërkesën e Shqipërisë, por në datë 19 shtatorë, ka nënshkruar në gjykatën franceze pranimin për ekstradim në Shqipëri.

Edhe mediat franceze shkruanë në atë kohë për arrestimin e Behar Bajrit, shqiptarit të shumëkërkuar nga SPAK në dosjen “Metamorfoza”. “Actu 17” shkruante se shqiptari i shumëkërkuar kishte kërkuar azil në Francë në vitin 2021. Duke e cilësuar Bajrin si bos të mafias, media franceze thekson se i arrestuari në Strasburg, dyshohet se është përfshirë në atentatin ndaj Gjin Boriçit, njërit prej rivalëve të tij në Shkodër më 9 gusht 2020.

Sipas tyre, hetuesit francezë kanë dokumentuar edhe telefonatat e 43-vjeçarit por sipas mediave, pas urdhër arrestit ndërkombëtarë të lëshuar ndaj tij në korrik 2023 lokalizimi i tij është ndihmuar edhe nga të dhënat që ai kishte përdorur në kërkesën për azil dy vjet më parë. Bajri dyshohet se ka plagosur edhe Taulant Pepajn, si pasojë e larjes së hesapeve mes organizatave kriminale.

Franca, vendi që Bajri kishte zgjedhur për t'u fshehur, ndihmoi në zbardhjen e komunikimeve të SkyECC, që zbërthyen krime të fisit Bajri, grupit të Ervis Martinajt, prokurorit Xhevahir Lita dhe ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri.

Bajri ashtu si edhe SPAK, aktualisht po kërkon që të ekstradohet sa më shpejtë në Tiranë. Shqipëria nuk ka një marrëveshje të nënshkruar ekstradimi me Francën, megjithatë, tentativa do të bëhet përmes shfrytëzimit të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për të bindur gjykatat atje.

Ende nuk dihet nëse Ministrisë e Drejtësisë u ka vënë në dispozicion autoriteteve franceze, dosjen e plotë për Behar Bajrin. Në dosjen “Metamorfoza” Behar Bajri përveçse akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogarit të të zhdukurit Ervis Martinaj, dyshohet edhe për sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen asnjëherë të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit.

Të gjitha këto ngjarje sipas SPAK, Behar Bajri i organizoi e planifikoi pas daljes nga burgu me masë të lehtësuar arresti, të firmosur nga prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar pasi dyshohet se mori 30 mijë euro për këtë nder./Alfapress.al

 

Po ndodh...

ide