Miratohet p/ligji për aderimin në protokollin opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore

11 Nëntor 2024, 17:46 / AKTUALITET ALFA PRESS

Miratohet p/ligji për aderimin në protokollin opsional të Paktit

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, bërë në Nju Jork, në datën 10.12.2008.

Zëvendësministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Enkeled Musabelliu, i ripranishëm në komision bëri të ditur se ky projektligj ka në themel parashikimin e procedurës së ankesave për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, në rast të pretendimeve për shkelje të të drejtave që parashikohen në pakt.

“Arritja e pjesëmarrjes universale në marrëveshjet shumëplanëshe të OKB-së vlerësohet si një nga çelësat për zhvillimin dhe zbatimin efektiv të së drejtës ndërkombëtare dhe përbën një angazhim për të mbrojtur dhe respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe është pjesë e rekomandimeve të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës dhe Komitetit për Eliminimin e Diskriminimit Racor”, tha ai.

Sipas tij, protokolli synon të përmirësojë mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore duke vendosur disa mekanizma kyç, si ankesat individuale ku një individ ose grup pas ezaurimit të të gjitha mjeteve juridike kombëtare mund të paraqesin ankesa në komitetin për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, në lidhje me pretendimet e tyre për shkeljen e këtyre të drejtave.

Ndërsa relatori i këtij projektligji, Alban Xhelili bëri të ditur se aderimi sjell rritjen e mbrojtjes së të drejtave, duke iu dhënë mundësinë qytetarëve shqiptarë të ankohen në nivel ndërkombëtar për shkeljen e të drejtave ekonomike, shoqërore dhe kulturore, duke forcuar mbrojtjen e tyre dhe duke krijuar një mekanizëm shtesë për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara, grave, fëmijëve dhe minoriteteve, duke u siguruar që të drejtat e tyre respektohen e mbrohen dhe më shumë mbështetje e ekspertizë ndërkombëtare për reformat e nevojshme dhe përmirësimet në legjislacionin kombëtar lidhur me zbatimin e ligjeve, që lidhen me të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore.

 

Po ndodh...

ide