Punonjësja e UKT-së Tiranë shkarkohet me urdhër të fabrikuar/ Inskenim për ta kapur në faj

25 Dhjetor 2025, 21:37 / AKTUALITET ALFA PRESS

Punonjësja e UKT-së Tiranë shkarkohet me urdhër të

Në Tiranë, Marjeta Hoxha punonjëse e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë prej 5 vjetësh, në pozicionin manovruese/klorinuese, denoncon largimin nga puna si të padrejtë.

Ajo thotë se është ndëshkuar me tre masa disiplinore, të cilat sipas saj, nuk qëndrojnë një për ndryshimin e orarit të hapjes së depos, një tjetër për moszbatim urdhri, që nuk lidhej me detyrën e saj, dhe e treta për moszbatim urdhri, që i kërkonte të qëndronte 6 orë në depo, gjë që nuk është pjesë e turneve të manovruesve.

“Kam filluar punë në vitin 2021 te UKT si manovruese/klorinuese, ku duhet të bëja manovrimin e depos dhe të klorizoja ujin. Kam qenë shumë korrekte me punën. Për të dyja depot kisha vetëm një plan pune. Në orën 7:00 do të hapja depon Hoxha dhe do e mbyllja në orën 11:00, depon Botllakëve do e hapja në orën 8:00 dhe do e mbyllja në orën 10:00. Pas pesë vitesh më kanë hequr nga puna, më kanë vënë masë disiplinore sikur unë kam ndryshuar orarin e hapjes së depove me mendjen time, por nuk është e vërtetë, e kam hapur me urdhër të përgjegjësit. Masën e dytë e mora për moszbatimin e urdhrave, unë iu jap përgjigjur çdo urdhri si manovruese/klorinuese, por ishte proces tjetër për të bërë defektin.

 Masën disiplinore të tretën ma kanë vërë, sepse më vunë kusht që duhet të rrish gjashtë orë me një depo edhe më thanë që nëse nuk përgjigjesh je e hequr nga puna, nuk më dhanë kusht tjetër. Unë i dhashë çelësat e depos përgjegjësit dhe i thashë për këtë depo merrni masat dhe për depon Hoxha përgjigjem unë sipas rregullores. Ata nuk më sollën planin e ri të punës, por më hoqën nga puna. Më sollën në datën 30 tetor shkarkimin nga puna. Unë kërkoj të drejtën time, e kam burrin invalid pa punë dhe me atë rrogë mbaja familjen, kam edhe dy fëmijë të mitur dhe dua vendin e punës”, tha për mikrofonin e “Stop” denoncuesja.

Për të vërtetuar pretendimet, Marjeta telefonon punonjësin që kishte dhënë urdhrin për ndryshimin e orarit të depos. Ai e pranon se urdhrin e ka dhënë vetë, madje shton se situata është e njohur prej muajsh.

“Ua kam çuar unë, apo jo? Unë ua kam çuar, që nuk ka lidhje me atë orarin. Tani, ti ke lënë çelësat atje, në dijeninë time. Ajo ka 8 muaj. Ua kam thënë, për këtë. Po pra, po ti ke marrë masën e parë. Ua kam thënë unë, që për këtë arsye, e kam bërë unë. Prandaj dhe Eraldi e la, nuk të vuri asnjë masë”, thotë punonjësi.

Pamjet filmike tregojnë se depoja në orare të ndryshme, është e mbyllur dhe se detyrimi për të qëndruar 6 orë aty ka qenë urdhër i posaçëm vetëm për Marjetën. Juristi Vullnet Cullhaj mbron versionin e institucionit.

Sipas tij, Marjeta nuk ka zbatuar urdhrat e punës, por pranon se nuk ekziston turn 6-orësh për manovruesit. Por, dokumenti zyrtar i firmës e përgënjeshtron pohimin e tij, pasi urdhri i qëndrimit 6-orësh është lëshuar pikërisht për Marjeta Hoxhën.

Vullnet Cullhaj: Për rastin në fjalë që ka ardhur nga përgjegjësi i sektorit. Nuk ka pranuar urdhrin e punës, që të shkojë në depo në orarin e caktuar. Gjithashtu ka thyer dhe ka masë disiplinore për një rast të përsëritur dhe për rastin është marrë kjo masë. Ka thyerje etike si me drejtorin në rastin konkret, ka ardhur te drejtorin dhe në debat e sipër ka thënë që nuk marr urdhra nga ju dhe nuk e bëj punën.

Gazetarja: Zonja pretendon se i është dhënë një urdhër pune dhe një plan që supozohej dhe urdhërohej zonja që të qëndronte 6 orë në një prej depove të përcaktuara. Ky është urdhri?

Vullnet Cullhaj: Unë nuk e di urdhrin, në rast se 6 orë, ajo duhet ta pranonte dhe ta bënte?

Gazetarja: Është një manovrues tjetër që rri atje 6 orë?

Vullnet Cullhaj: Janë zëvendësuar. 2 orë deri në 4 orë di unë që ka pasur, nuk ka pasur 6 orë asnjëherë. Për këtë jam i bindur sepse nuk kemi 6 orë manovruese që të rrijë në dispozicion. Nuk rri manovruesja 6 orë në depo, këtë nga ju po e dëgjoj.

Po ndodh...

ide