Skandali me pronën në Lushnje, trualli kthehet në pallat 12-katësh me dokumente të falsifikuara

9 Prill 2026, 20:37 / AKTUALITET ALFA PRESS

Skandali me pronën në Lushnje, trualli kthehet në pallat

Më 20 janar 2026, Sefedin Shefa nga Lushnja do të thërritej për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Vlorës nëpërmjet oficerit të policisë gjyqësore Altin Muçaj. Ai do të pyetej në cilësinë e kallëzuesit për një grup magjistratësh, të cilët punojnë në Gjykatën dhe Prokurorinë e Fierit. Shefa do të merrej në pyetje, por kallëzimi i tij do të zinte pluhur nëpër arkivat e Prokurorisë Vlorë nëse nuk do të ishte ankuar te Avokati i Popullit.

Dëshmia nga Sefedin Shefa dhe përgjigjet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Fierit ekspozojnë një devijim të kallëzimit nga Prokuroria e Vlorës, e cila nuk duhe t’ia kishte dërguar Prokurorisë së Fierit pasi kemi konflikt interesi. Ky rast minimalisht ka konflikt interesi në dukje sepse vetë Prokuroria e Fierit nuk mund të hetojë prokurorët dhe gjykatësit e Fierit.

Historia e Sefedin Shefës është një konflikt, që ka nisur me çështjen e rikthimit të pronës te pronari i ligjshëm. Rrugës ky konflikt është zgjeruar nga Ferit Tabaku, i cili u konstatua se kishte falsifikuar dokumentet, por i shpëtoi dënimit penal për shkak të parashkrimit ndërkohë që Shefa ka ngritur pretendime për akuzat për korrupsion ndaj magjistratëve dhe ngatërresat me kompetencat midis Prokurorisë së Fierit dhe Vlorës.

E gjithë historia fillon në vitin e largët 1958, prej një dokumenti pronësie të babait të Sefedin Shefës, i cili ia kaluar të birit. Shefa është trashëgimtari i një trualli prej 392 metra katrorë në qendër të Lushnjës, të cilin babai i tij, Sabri Shefa, e kishte blerë në tetor të vitit 1958.

Vetëm një muaj pas blerjes, në nëntor 1958, prona u shpronësua nga regjimi komunist ndërtimin e kinemasë dimërore. Në vitin 1991, Sefedini do të niste betejën ligjore për të rimarrë këtë pronë dhe në vitin në vitin 2006 ai do të merrte një vendim nga Komisioni i Kthimit të Pronave që ia njihte pronësinë mbi këtë sipërfaqe.

Por këtu do të komplikohej situata pasi Ferit Tabaku pasi ky i fundit kishte privatizuar ish-kinemanë dimërore. Indiciet për falsifikim ishin të dukshme pasi kontrata e Tabakut kishte një gentplan me korrigjime manuale ku sipërfaqja e truallit ishte rritur në 686 metra katrorë. Edhe pse në vitin 1993 Gjykata e Lushnjës e kishte deklaruar të pavlefshme kontratën e Tabakut, ky i fundit e kishte regjistruar pronën në hipotekë në vitin 2006, duke përdorur një vendim tjetër gjyqësor të vitit 2005 që detyronte Agjencinë e Kthimit të Pronave ta njihte si zotërues.

Me rënien e komunizmit Shefa do të rikërkonte pronën e vet, ku ka qenë kinemaja, por pa arritur ta merrte atë pasi dokumentet do të falsifikoheshin nga zyrtarët vendorë me Ferit Tabakun.

Ky i fundit do të merrte kinemanë dhe më pas në atë truall që nuk ishte i tiji do të ndërtonte një pallat 12 katësh në mes të Lushnjes. Do të ishte ky pallat që sfidon të gjitha institucionet e drejtësissë sepse edhe sot e kësaj dite shfrytëzohet nga personi që është shpallur fajtor.

Në 12 shkurt 2026, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të informonte Sefedin Shefën se pasuritë si apartament dhe dyqane ishin të kufizuara sipas vendimit të vitit 2020 nga Gjykata e Lushnjes. Problemi është se prokurorja Merita Selimi nuk i sekuestroi asnjëherë çelësat Ferit Tabakut, i cili shfrytëzon pronën që duhet t’i kishte kaluar shtetit për shfrytëzim.

“Prokuroria e Fierit nuk është pronë private e Merita Selimit! Prokurorja Merita Selimi po e mbron me fanatizëm hajdutin sepse bashkëpunojnë orë e minutë dhe po japin hyrje me qira. Në këtë rast lind dyshimi që po ndajnë lekët bashkë sepse nuk ka asnjë arsye pasi ligji e përmban se në rast se sekuestrohet një pasuri, ndërtesë apo çfarëdo qoftë ajo, prokuroria merr çelësat, i vë drynin!”, shprehet i revoltuar Shefa.

Sefedin Shefa tregon se ka bërë ankesa për këtë gjë te Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, por gjërat do të komplikoheshin.

“Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, duke marrë parasysh të gjitha kërkesat që i kam bërë, i mbajti ato katër vite në sirtar ankesat dhe kthen përgjigje “nuk ka shkelje”. Si mor vëlla, nuk ka shkelje kjo prokurore?”, tha Sefedin Shefa, duke i bërë apel ILD-së.

Për 4 vite, ankesa do të qendronte në zyrën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe pas 4 vitesh, Inspektoriati do të dilte me vendimin se nuk kishte shkelje.

Në të njëjtën kohë, pallati 12-katësh ka qenë dhë vazhdon të shfrytëzohet nga personi me letra të falsifikuara, që supozohet se është në sekuestro duke sfiduar të gjitha institucionet e drejtësisë.

Po ndodh...

ide