Fotoreporterja palestineze dhe protagonistja e Dokumenarit në Festivalin e Filmit në Kanë vritet gjatë sulmit izraelit në Gazë

17 Prill 2025, 19:38 / BOTA ALFA PRESS

Fotoreporterja palestineze dhe protagonistja e Dokumenarit në Festivalin e

Artistja dhe fotoreporterja palestineze, Fatima Hassouna vdiq dje në moshën 25-vjeçare – gjatë një sulmi ajror izraelit në Gazë, sipas të përditshmes franceze “Le Monde”.

Hassouna është në qendër të një filmi dokumentar me regji të Sepideh Farsi, e përzgjedhur në premierën e Festivalit të Filmit në Kanë 2025.

Sipas shifrave të publikuara nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) më 16 shkurt, të paktën 157 gazetarë dhe punonjës të medias u vranë në Gazë – dhe shumë të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës.

Hassouna – e cila kishte fituar njohje ndërkombëtare – duke pasqyruar ndikimin e ofensivës ushtarake izraelite ndaj popullatës civile të Rripit të Gazës –  shfaqet si protagoniste ne dokumentarin e regjisores franko-iraniane Sepideh Farsi, “Vëre shpirtin në dorë dhe ec”.

Më herët, ajo kishte publikuar imazhe mbresëlënëse të perëndimit të diellit, të marra nga shtëpia e saj, të shoqëruara me këto fjalë: “Është perëndimi i parë pas kaq shumë kohësh”.

Ajo u vra dje më 16 prill – së bashku me 10 anëtarë të familjes së saj të ngushtë – gjatë bombardimit të shtëpisë së tyre – që ndodhet në lagjen Al-Touffah, në veri të Gazës.

E diplomuar në multimedia në Kolegjin Universitar të Shkencave të Aplikuara në Gazë, palestinezja, Hassouna kishte dokumentuar që nga 7 tetori 2023, jetën e përditshme të banorëve të enklavës, në të cilën Izraeli ka ndaluar aksesin e gazetarëve të huaj.

Ajo i kapi të gjitha momentet: zhvendosjet e detyruara pas urdhrave të evakuimeve nga ushtria izraelite, rrënimet e shkaktuara nga goditjet, vdekja e bashkatdhetarëve të saj nga bombardimet, kthimi i tyre pas armëpushimit nga 19 janari deri më 18 mars, por edhe buzëqeshjet e fëmijëve mes rrënojave.

Që nga fillimi i ofensivës izraelite, rreth 200 gazetarë janë vrarë. E kontaktuar për vdekjen e Hassouna, ushtria izraelite deklaroi se kishte në shënjestër “një anëtar të Hamasit” të përfshirë në sulme kundër ushtarëve dhe civilëve izraelitë”.

Shoqata e Francës për Difuzionin e Kinemasë së Pavarur – e cila promovon filmat gjatë gjithë vitit në kinematë në të gjithë Francën – dha një deklaratë duke shprehur “tmerrin” për lajmin e vdekjes së Hassouna.

“Ne u takuam me Fatima Hassouna kur zbuluam filmin e Sepideh Farsi “Vëre shpirtin në dorën tënde dhe ec”.

“Buzëqeshja e saj ishte po aq magjike sa këmbëngulja e saj: për të dëshmuar, fotografuar Gazën, shpërndarë ushqim pavarësisht bombave, pikëllimit dhe urisë. Historia e saj arriti tek ne dhe ne u gëzuam. Dje mësuam se një raketë izraelite kishte në shënjestër ndërtesën e saj, duke vrarë Fatima dhe familjen e saj”, tha Shoqata.

 

Po ndodh...