Irani paralajmëron gjyqe të shpejta për protestuesit e arrestuar: Asnjë tolerancë për fajtorët

25 Janar 2026, 22:51 / BOTA ALFA PRESS

Irani paralajmëron gjyqe të shpejta për protestuesit e arrestuar:

Kreu i autoriteteve gjyqësore të Iranit premtoi sot se gjyqet ndaj protestuesve të arrestuar gjatë valës së fundit të demonstratave në vend do të caktohen “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke paralajmëruar se nuk do të ketë “asnjë tolerancë” për ata që shpallen fajtorë.

“Populli, me të drejtë, kërkon që të akuzuarit dhe nxitësit kryesorë të trazirave, si dhe të veprimeve terroriste dhe të dhunshme, të dalin sa më shpejt para drejtësisë”, deklaroi Gholamhossein Mohseni Ejei, sipas agjencisë Mizan, organi mediatik i sistemit gjyqësor iranian.

Ai theksoi se hetimet do të zhvillohen me “ashpërsinë më të madhe”, duke shtuar se drejtësia duhet të gjykojë dhe të ndëshkojë pa asnjë mëshirë “kriminelët që morën armët, vranë njerëz apo kryen zjarrvënie, shkatërrime dhe masakra”.

Organizatat për të drejtat e njeriut vlerësojnë se mijëra, madje dhjetëra mijëra persona janë arrestuar gjatë protestave kundër qeverisë, ku raportohet se janë vrarë edhe mijëra njerëz, në fillim të janarit. Në ato ditë, televizioni shtetëror transmetonte pamje ku Ejei shfaqej duke marrë personalisht në pyetje të arrestuarit.

Organizata joqeveritare me seli jashtë Iranit kanë denoncuar shtypjen e përgjakshme të protestave, por theksojnë se është e vështirë të jepet një bilanc i saktë, pasi interneti në vend vazhdon të mos funksionojë.

Sipas shumë dëshmive, forcat e sigurisë kanë qëlluar protestuesit me municion të vërtetë. Megjithatë, shefi i njësive speciale të policisë, kolonel Mehdi Sharif Kazemi, deklaroi sot se “në realitet, policia nuk ka përdorur armë zjarri”.

“Ne përdorëm mjete jo-vdekjeprurëse për të garantuar sigurinë e popullsisë dhe për të shmangur çdo humbje jete”, tha ai për agjencinë Mehr, duke përmendur “mjete parandalimi si topat e ujit, hedhësit e bojës (paintball) dhe automjete të pajisura me sisteme zanore për menaxhimin e turmave”.

Po ndodh...

ide