Të shtunën molotov, të enjten pazar!

14 Maj 2026, 17:32 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Të shtunën molotov, të enjten pazar!

Drama e Partisë Demokratike sot është një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët vazhdojnë të vidhen çdo ditë nga bashkëpunimi i heshtur mes pozitës dhe opozitës.

PD-ja, e marrë peng nga Sali Berisha dhe halli i tij personal, mbahet e bllokuar nga një grup parazitësh politikë që nuk kanë ndërtuar kurrë asgjë në jetën e tyre jashtë politikës. E ata pak që kanë pasur ndonjë angazhim tjetër publik, mbartin mbi supe hijet e korrupsionit që i kanë detyruar të largohen nga zonat ku kanë vepruar, për ta vazhduar karrierën politike në qytete të tjeta.

Nuk është aspak e re që deputetët e PD-së bëjnë spektakël në Parlament dhe studio televizive, ndërsa pas kamerave ndajnë pazare, interesa dhe biznese me kundërshtarët që gjoja sulmojnë. Sali Berisha ka sharë e mallkuar pa pushim, brenda dhe jashtë Kuvendit, vetëm për të mbuluar pazarin e radhës me Edi Ramën. Sa më shumë bërtet Berisha, aq më i madh duket kompromisi mes tyre. Sa herë akuzon “armikun”, në prapaskenë është duke negociuar marrëveshjen tjetër.

Edhe sot ndodhi e njëjta skenë. Ndërsa Berisha vazhdonte sulmet publike dhe retorikën e zjarrtë, lajmet konfirmuan se PD dhe PS, kishin arritur dakordësi për rezolutën e integrimit dhe ndryshime të tjera parlamentare. Marrëveshja ishte mbyllur në mesnatë, ndërsa tymnaja e sulmeve vazhdonte në mëngjes për konsum mediatik.

Sepse me një njeri që e quan të lidhur me krimin nuk negociohet; ai ose përballet, ose rrëzohet. Kurse akuzat e Berishës shpesh duken si mjete për t’u hedhur hi syve demokratëve që ende vazhdojnë ta ndjekin verbërisht.

Nësë Europa, siç pretendon Berisha, e ka bllokuar integrimin për shkak të Ramës, sot Berisha i bëri nderin më të madh atij.
Në rezolutë opozita vlerëson progresin e bërë siç thotë Rama dhe “angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.
Pra pavarësisht pretendimeve të Sali Berishës dhe atyre që po e tërheqin për hunde duke e berë qesharak përballë shqiptarëve për të kapur ndonjë post në garën e partisë, opozita do të jetë një dele në kopenë e Ramës në parlament.

Që nga momenti kur Edi Rama i dha vulën dhe legjitimitetin politik, Sali Berisha, i është nënshtruar në çdo çështje kyçe. I ka votuar apo lehtësuar çdo proces jetik për pushtetin e Ramës, deri te mbështetja për emrin e tij në borde e forume ndërkombëtare, në një mënyrë të paprecedentë për një opozitë europiane.

Sali Berisha e di se nuk rikthehet më në pushtet. Dhe gjithçka që bën sot është mbajtja peng e Partisë Demokratike, për të garantuar mbijetesën politike dhe interesat financiare të rrethit të tij familjar e klientelist. Ndërsa demokratëve u serviret çdo ditë revolucioni në ekran dhe pazari pas dyerve të mbyllura./Alfapress.al

Po ndodh...

ide