Eunukët e pushtetit kanë gjithçka, përveç guximit për dinjitet

20 November 2026, 11:21 / IDE NGA ANDRI NURELLARI

Eunukët e pushtetit: kanë gjithçka përveç guximit

Në Partinë Socialiste ka politikanë që kanë kaluar tridhjetë vjet duke u ngjitur në hierarkinë e pushtetit, vetëm për të përfunduar në një pikë ku nuk guxojnë të hedhin hapin kulmor, të sfidojnë kryetarin.

Për dekada me radhë ata kanë gëzuar privilegjet e pushtetit, kanë siguruar mirëqenien materiale e statusin shoqëror dhe kanë arritur në një moshë kur çdo njeri publik mendon natyrshëm për gjurmën që do të lërë pas. Por edhe në këtë stad të jetës, ata vazhdojnë të matin çdo fjalë e çdo gjest nga droja se mos cenojnë humorin e kryetarit.

Po çfarë u ka mbetur ende për të fituar, për të cilën sakrifikojnë lirinë e mendimit, dinjitetin personal dhe emrin e ndërtuar përgjatë një karriere të tërë? Tragjedia e tyre politike është se, pasi kanë marrë gjithçka nga pushteti, vazhdojnë të sillen sikur kanë gjithçka për të humbur.

Në oborret perandorake të lashtësisë mbizotëronin eunukët, të cilët shërbenin si roje, administratorë dhe njerëz të afërt të sundimtarit. Ata gëzonin besimin e oborrit sepse ishin të tredhur e, si të tillë, e kishin të pamundur të krijonin një dinasti rivale apo të pretendonin fronin për pasardhësit e tyre. Edhe kur disa prej tyre arrinin të grumbullonin pushtet të madh administrativ, e gjithë ekzistenca e tyre politike varej nga vullneti e mëshira e monarkut.

Kjo figurë historike shpjegon një dukuri të rrënjosur në politikën tonë, të mbushur me politikanë që ngjiten lart duke hequr dorë nga pavarësia dhe ambicia për të rivalizuar udhëheqësin. E gjithë energjia e tyre përqendrohet te shërbimi ndaj udhëheqësit dhe ruajtja e afërsisë me të.

Mbledhja e fundit e Asamblesë së Partisë Socialiste e shpërfaqi kulturën politike të eunukut në formën e saj më të qartë. Në partitë demokratike europiane, forumet partiake funksionojnë si hapësira ku anëtarët analizojnë punën e udhëheqjes, debatojnë për drejtimin politik dhe i kërkojnë llogari kryetarit. Brenda Partisë Socialiste, mekanizmi është kthyer përmbys. Kryetari thërret forumin për t'u kërkuar llogari të zgjedhurve, i qorton publikisht, përcakton kufijtë e sjelljes së lejuar dhe vendos tonin e diskutimit, ndërsa salla ndjek me vëmendje të kujdesshme çdo sinjal që vjen nga foltorja.

Kur organet kolegjiale humbasin peshën e tyre demokratike statutore, vetëcensura kthehet gradualisht në refleks të përditshëm mbijetese. Anëtarët rrjedhimisht mësojnë të parashikojnë reagimet e kryetarit dhe shmangin çdo qëndrim që mund të lexohet si sfidë ndaj autoritetit të tij.

Diskutimet e fundit mbi masat disiplinore ndaj Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës e tregojnë qartë këtë klimë. Ndërhyrja e veteranëve si Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erion Braçe për të kundërshtuar propozimin e përjashtimit dëshmon se sa e ngushtë është bërë hapësira e mendimit ndryshe brenda partisë. Kur edhe një vërejtje apo mospajtim i zakonshëm rrezikon të trajtohet si shkelje e rëndë disiplinore, gara e hapur për drejtimin e partisë bëhet praktikisht e pamundur.

Në demokracitë me traditë parlamentare, konkurrenca për lidershipin përbën një proces të natyrshëm të jetës partiake. Kryetarët përballen me kandidatë rivalë, i nënshtrohen votës së anëtarësisë, japin dorëheqjen kur humbasin besimin dhe u hapin rrugën kolegëve të tyre. Një garë e tillë sjell ide të reja, ndihmon në korrigjimin e gabimeve qeverisëse dhe garanton qarkullimin e elitave.

Brenda Partisë Socialiste është ngulitur një model tjetër karriere, ku politikanët kalojnë tridhjetë vjet në jetën publike duke pranuar heshturazi se posti i kryetarit i përket përgjithmonë një njeriu të vetëm. Karriera reduktohet në ruajtjen e mandatit të radhës, sigurimin e një funksioni ekzekutiv dhe zgjatjen e qëndrimit pranë pushtetit, duke konsumuar për mbijetesë personale energjinë që duhej t'i shërbente debatit dhe ripërtëritjes politike.

Rasti i Braçes mbetet domethënës për të kuptuar këtë ngërç. Me mbi tridhjetë vjet veprimtari politike, me mandate të njëpasnjëshme parlamentare dhe me përvojën e ish-zëvendëskryeministrit, ai është një nga figurat më jetëgjata të së majtës shqiptare. Braçe ka shprehur herë pas here kritika publike ndaj politikave apo vendimeve të qeverisë, gjë që e dallon nga heshtja e përgjithshme e grupit parlamentar.

Por edhe pas kaq shumë mandatesh e postesh, ai sërish voton për diçka që e ka kundërshtuar haptazi. Ç'vlerë ka të kesh zërin e deputetit, përvojën e ministrit dhe autoritetin e veteranit, nëse në fund voton kundër asaj që thua dhe hesht për atë që beson?

Veliajt është një tjetër rast domethënës. Për vite me radhë, ai ishte ndër figurat më me ndikim të Partisë Socialiste, duke drejtuar Bashkinë e Tiranës dhe strukturat politike të kryeqytetit, si dhe duke luajtur rol vendimtar në promovimin e dhjetëra zyrtarëve që sot mbajnë poste të rëndësishme. Megjithatë, në çastin kur ai humbi mbështetjen politike të Ramës, solidariteti publik nga po këta bashkëpunëtorë u zhduk thuajse krejtësisht.

Pushteti i përqendruar në duart e një njeriu të vetëm krijon rrjete varësie, dhe varësia prodhon gjithmonë besnikëri të kushtëzuar nga interesi i çastit. Kur marrëdhëniet brenda një force politike mbështeten te frika dhe shpërblimi, llogaritë e bashkëpunëtorëve ndryshojnë sapo lëkundet qendra e gravitetit. Heshtja e atyre që u rritën politikisht pranë Veliajt pasqyron faktin se duartrokitjet u drejtohen zyrës dhe fuqisë që ajo mbart.

Shpesh heshtja dhe bindja ndaj udhëheqësit justifikohen me refrenin e përsëritur se partia është një familje e madhe dhe se shqetësimet e saj duhen mbajtur brenda mureve të shtëpisë. Në realitet, partia politike është një organizatë publike e rregulluar me ligj, e financuar nga taksat e qytetarëve, e cila konkurron për të qeverisur vendin dhe merr vendime që prekin administratën, ekonominë, drejtësinë dhe jetën e përditshme të çdo familjeje shqiptare.

Trajtimi i saj si një rreth i mbyllur ku heshtja vlerësohet si besnikëri dhe mendimi ndryshe shihet si tradhti, e zhvesh partinë nga roli i saj kushtetues dhe demokratik.

Pikërisht këtu shfaqet deinstitucionalizimi i partisë: statuti dhe forumet drejtuese vazhdojnë të ekzistojnë në letër, ndërsa vendimmarrja reale përqendrohet në një rreth gjithnjë e më të ngushtë. Kur një udhëheqës rrethohet vetëm nga njerëz që miratojnë çdo fjalë të tij, informacioni i sinqertë shteron, problemet zbuten, dështimet mbulohen dhe skandalet relativizohen derisa kostoja bëhet e papërballueshme për të gjithë.

Historia politike njeh mjaft figura që e gjejnë guximin për të folur hapur vetëm pasi largohen nga pushteti. Atëherë nisin të rrëfejnë gabimet që kishin vërejtur prej kohësh, vendimet që i kishin kundërshtuar me zë të ulët në korridore dhe padrejtësitë që nuk kishin guxuar t'i ndalonin kur kishin firmën në dorë. Mirëpo pesha morale dhe politike e një qëndrimi lidhet drejtpërdrejt me çastin kur ai mbahet.

Veteranët e Partisë Socialiste kanë qenë ministra, deputetë dhe drejtues të lartë për dekada të tëra, duke marrë nga politika gjithçka që ajo mund t'u jepte. Pas tridhjetë vjetësh karrierë, ajo që mbetet për t'u mbrojtur është dinjiteti personal dhe integriteti i një jete publike.

Nëse edhe në këtë moshë dhe pas gjithë kësaj përvoje mungon liria për të mbrojtur një bindje, për të kundërshtuar një padrejtësi dhe për t'i kërkuar llogari udhëheqësit, atëherë historia do t'i kujtojë vetëm si vegla të bindura të kryetarit./exit

Po ndodh...