Erdogan paralajmëron kaos global: Rendi i vjetër botëror po shembet! Nuk dihet se çfarë do të vijë

20 November 2026, 10:28 / BOTA ALFA PRESS

Erdogan paralajmëron kaos global: Rendi i vjetër botëror po

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi se bota po përjeton një periudhë të thellë paqëndrueshmërie gjeopolitike, duke deklaruar se “rendi i vjetër botëror po shembet” dhe ende nuk dihet se çfarë do ta zëvendësojë atë.

Gjatë fjalimit para grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, Erdogan tha se pas zhvillimeve të dukshme diplomatike zhvillohet një garë për pushtet më e ashpër dhe më shkatërruese nga ajo që pasqyrohet në media. Ai përmendi luftën Rusi–Ukrainë, me humbje të rënda për të dyja palët, si dhe vendosjen e aeroplanmbajtëseve amerikane në Gjirin Persik si shembuj të tensioneve në rritje.

Një pjesë të fjalimit Erdogan ia kushtoi situatës në Gaza, duke akuzuar Izraelin për vazhdimin e vrasjeve, izolimit dhe vështirësive të rënda humanitare, të cilat sipas tij do të rëndohen edhe më shumë me afrimin e dimrit. Ai e cilësoi Gazën si “kampin më të madh të përqendrimit në botë”, veçoi gjendjen e fëmijëve pa strehim të përshtatshëm dhe u bëri thirrje vendeve muslimane të rrisin presionin ndaj Izraelit dhe ndihmat humanitare. Erdogan bëri të ditur se Turqia është e gatshme të dërgojë strehime të përkohshme me kontejnerë në Gaza.

Në fund të fjalimit, presidenti turk iu rikthye historikut 24-vjeçar të AKP-së që nga fitorja zgjedhore e 3 nëntorit 2002 dhe mbledhjes së parë parlamentare më 18 nëntor të po atij viti, duke deklaruar se partia nuk është larguar nga parimet e saj themeluese dhe vijon të gëzojë mbështetje në të 81 provincat e Turqisë.

Po ndodh...