Sorosi, Berisha dhe hipokrizia politike
Nga Eva Idrizllari
Për parantezë:
Unë, personalisht, kurrë nuk kam marrë financime nga fondacione, as nga Soros. Madje jam skeptike ndaj mënyrës se si George Soros dhe fondacionet e tij kanë ushtruar ndikimin e tyre në Shqipëri. Mendoj se çdo ndërhyrje e huaj duhet parë me kujdes, transparencë dhe frymë kritike. Ajo që më shtyu në këtë shkrim është fakti se nuk e duroj hipokrizinë, që na serviret në politikën tonë provinciale.
Po vazhdoj me argumentin e shkrimit tim.
Pse Berisha dhe PD sulmojnë Sidorela Vatnikajn dhe Edison Likën për lidhje me fondacione të financuara nga rrjeti i George Soros, kur vetë familja Berisha dhe figura të rëndësishme të PD-së kanë përfituar nga i njëjti fondacion?!
Është një kontradiktë politike që meriton të diskutohet publikisht. Le të kthehemi pas në histori.
Në fillim të viteve '90, kur Sali Berisha ishte President i Republikës, George Soros dhe fondacioni i tij nisën aktivitetin në Shqipëri. Madje, vetë Berisha ka pranuar publikisht se investimi i Sorosit në krijimin dhe mbështetjen e shoqërisë civile në Shqipëri ishte shumë i mirëpritur prej tij. Sipas të dhënave duke iu referuar regjistrave financiarë të Fondacionit Soros, rezultojnë këto financime:
Viti 1994
Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi, së bashku me Rezarta Meçen, morën pjesë në një aktivitet trajnimi në Gjermani. Shpenzimet e udhëtimit: 2.332 dollarë. Klubi Studentor "Perla", i drejtuar nga Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi, organizoi një aktivitet mjedisor me një buxhet prej 7.350 dollarësh.
Viti 1999
Jamarbër Malltezi përfitoi një bursë të pjesshme prej 1.500 dollarësh për studime në SHBA. Shoqata "Perla" përfitoi 3.870 dollarë për projektin mjedisor "Njohja e Thesareve të Bregdetit".
Viti 2000
Shoqata "Perla" përfitoi edhe 4.900 dollarë për projektin "Pjesëmarrja e Komunitetit në Nivel Lokal". Por këta nuk janë të vetmit që përmenden si përfitues nga Fondacioni Soros. Në listë figurojnë edhe emra që sot janë figura të PD-së: Gazmend Bardhi, Ivi Kaso, Enno Bozdo, Jorida Tabaku, Belind Këlliçi, Alfred Lela, e të tjerë. Pra, financimet nga Sorosi nuk ishin ndonjë tabu për njerëzit, që më vonë do të bëheshin pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike.
Konflikti politik i Sali Berishës me George Sorosin filloi gjatë viteve 2016 - 2017, në kohën e debatit për reformën në drejtësi. Berisha e akuzonte Sorosin për ndikim në institucionet shqiptare dhe e lidhte reformën me kryeministrin Edi Rama. Dhe për të qenë objektive, kishte të drejtë. Edhe pse Berisha në kundërshtim me veten, e votoi reformën më 21 Korrik 2016. Për ironi, votat ishin unanime, 140.
Më 19 maj 2021, administrata amerikane, përmes Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, e shpalli Sali Berishën të padëshiruar në SHBA, duke përmendur përfshirjen në korrupsion madhor. Në vendim u përfshinë edhe bashkëshortja, djali dhe vajza e tij, Argita Berisha Malltezi. Berisha e akuzoi Sorosin se kishte ndikuar në vendimmarrjen e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Duke qenë se bëhet fjalë për një konflikt personal, nuk mund të gjykoj qëndrimin e Berishës në këtë rast. Por sot, pse ky sulm i instrumentalizuar ndaj dy aktivistëve Lika & Vatnikaj që janë ndër organizatorët e protestës "Flamingo"?
Sipas Berishës dhe PD-së, emrat e Sidorela Vatnikajt dhe Edison Likës, përfshihen në pagesa përmes strukturave të financimit të organizatave të shoqërisë civile, organizata dhe projekte të mbështetura nga fondacione ndërkombëtare, edhe nga Soros. Nëse financimi nga fondacionet e Sorosit ishte i pranueshëm për familjen Berisha kur i interesonte, pse u kthye në argument akuzues kundër personave të tjerë?
Ku qëndron problemi?
A është e paligjshme të përfitosh nga një fondacion ndërkombëtar?
A është e turpshme të financosh projekte të shoqërisë civile?
Apo këto bëhen probleme vetëm kur përfituesit nuk janë në të njëjtin kamp politik me Berishën?
Ironia është se emrin e Sorosit si armë politike, e përdorin ata që kanë qenë vetë pjesë e skemave të përfitimit të fondacionit të tij. Nëse financimi nga Sorosi është argument për të sulmuar dikë, atëherë ky standard duhet të vlejë për të gjithë. Edhe për familjen Berisha, edhe për figurat e Partisë Demokratike të financuara më parë nga fondacioni "Shoqëria e Hapur".
Nuk mund të kesh dy standarde: një për veten dhe një për kundërshtarin. Nuk mund të jesh dje përfitues i mbështetjes politike, diplomatike apo financiare të një strukture dhe sot ta përdorësh atë si argument për të delegjitimuar kundërshtarin politik. Nuk mund të ndryshosh standardet sipas interesit personal dhe të pretendosh se po mbron parimet. Çështja e Sorosit nuk mund të jetë as alibi për dështimet e politikës shqiptare dhe as shpjegim universal për çdo problem që ka ky vend.
Problemi me politikën e vjetër është kur parimet kthehen në mall propagande që përdoren sa herë ju duhen në situata krizash dhe hidhen poshtë, sapo ndryshojnë interesat. Madje shpikin armiq sa herë duhet të mbulojnë një përgjegjësi të tyren. Kështu, ndërkohë që aktivistët dhe qytetarët protestojnë për kauzat e shitjes së Shqipërisë dhe shpopullimit, Berisha dhe PD luftojnë aktivistët për pushtetin e kontrollit politik.
Në fund të fundit, qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga ata që dje kishin një qëndrim, sot kanë të kundërtin dhe nesër, nëse u leverdis, do të kenë edhe një të tretë.
Parimet nuk janë çadër që hapet kur bie shi dhe mbyllet kur del dielli.
Po ndodh...
Çfarë janë socialistët pa Ramën, "mut"?!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

