Absurditeti i "logjikës" së Berishës, që edhe Jonesko do ta kishte zili!
Nga Ardi Stefa
Hajde të bëhemi bashkë të rrëzojmë Ramën! Pastaj, pasi ta kemi rrëzuar, kthehemi secili në llogoren e vet, rifillojmë të urrehemi, të shajmë njëri-tjetrin dhe të luftojmë për të provuar se kush ishte më opozitari, më i pastri dhe më i denji për të marrë pushtetin.
Kjo është pak a shumë formula e re e bashkimit opozitar shqiptar propozuar nga PD. Në fakt, një aleancë me afat skadence, një bashkëjetesë politike pa asnjë projekt të përbashkët dhe një marrëveshje që ka vetëm një pikë: “Të ikë Rama!”. Për gjithçka tjetër, mbetemi armiq!
Në këtë teatër absurd të politikës shqiptare, ku edhe Eugjen Jonesko do ta kishte të vështirë të gjente një dialog të denjë për personazhet e tij, kundërshtarët e njëri- tjetrit zbulojnë papritur se kanë një armik të përbashkët. Por nuk zbulojnë dot se çfarë i bashkon përtej urrejtjes ndaj tij.
Shumë pak flasin seriozisht për çfarë do të bëhet ditën pas Ramës. Për modelin ekonomik, drejtësinë, shtetin, institucionet, administratën, oligarkët, arsimin, shëndetësinë. Askush nuk shpjegon se si do të qeverisin së bashku ata që sot nuk pranojnë as të ulen në të njëjtën tryezë.
Është e vërtetë që vetëm një front i gjerë opozitar ka numrat dhe mund ta rrëzojë Ramën. Por kjo është një zgjidhje brenda sistemit, e cila, në fakt mban në këmbë sistemin dhe forcon Ramën, pasi bashkimi është pothuajse i pamundur.
Duket sikur për PD mjafton të rrëzohet Rama dhe demokracia do të vijë vetë. Sikur largimi i Ramës është program politik dhe jo objektiv elektoral.
Por pushteti nuk fitohet vetëm duke mbledhur të gjithë ata që e urrejnë mbajtësin e tij. Sepse edhe po u fitua nuk mbahet dot.
Dhe opozita nuk është një strehë ku mund të bashkohen përkohësisht të gjithë kundërshtarët, pa pasur nevojë të bien dakord për asgjë, sepse dita pas do të jetë katastrofike.
Çështja nuk është vetëm se Rama ka qëndruar gjatë në pushtet. Por se një pjesë e opozitës vazhdon ta konceptojë politikën si një luftë kundër një personi, jo si një përpjekje për të ndërtuar një alternativë ndaj një sistemi.
Një opozitë që nuk arrin të bashkëjetojë me vetveten, si mund t'i premtojë vendit se do të dijë të qeverisë me të tjerët?
Absurdi qëndron te mentaliteti i opozitës që kërkon të ndërtojë një Shqipëri tjetër me të njëjtën logjikë që na solli këtu. Kërkon ndryshimin duke refuzuar ndryshimin e vetvetes.
Në fund të fundit, nuk mund të kërkosh votën e qytetarëve për një të ardhme të përbashkët, ndërkohë që vetë ofron vetëm një armëpushim mes armiqsh.
Hajde të rrëzojmë Ramën dhe pastaj të vazhdojmë të jemi armiq!
Eugjen Jonesko do të duartrokiste. Jo për nivelin e absurdit, por sepse edhe teatri i tij kishte një kufi logjik. Nuk pretendonte të ishte program qeverisës.
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

