Rama në sinkron me Berishën, sulmojnë televizionet: Pronarëve lejet e ndërtimit dhe favoret, gazetarëve fajin për pasqyrimin

Në Shqipëri ka një paradoks që vetëm Edi Rama dhe Sali Berisha mund ta shpjegojnë: të dy kanë qeverisur një vend ku pronarët e televizioneve kanë përfituar leje ndërtimi, kontrata dhe favore nga pushteti, por sot të dy ankohen se mediat janë kundër tyre. Sikur ekranet të ishin zaptuar nga ndonjë forcë e panjohur dhe jo të drejtoheshin nga pronarë me të cilët politika ka ndërtuar prej dekadash marrëdhënie interesash. Madje, Rama dhe Berisha kanë arritur deri aty sa të përdorin të njëjtin fjalor për të akuzuar televizionet, vetëm duke ndërruar emrin e atij që pretendojnë se glorifikohet.
Në Asamblenë e PS-së, Rama deklaroi se mediat shqiptare prodhojnë “60% përmbajtje kundër qeverisë, afro 30% përmbajtje neutrale dhe vetëm rreth 10% përmbajtje pro qeverisë”. Ai akuzoi televizionet se janë rreshtuar “ekran më ekran për të glorifikuar dhunën” gjatë protestave.
Më 31 gusht, Berisha kishte paraqitur një tjetër statistikë, sipas së cilës 69% e kohës televizive në katër televizionet kombëtare i ishte kushtuar mazhorancës dhe vetëm 24.8% Partisë Demokratike. Ai i cilësoi televizionet “qeveritare antikombëtare”, duke i akuzuar për glorifikimin e qeverisë dhe censurimin e opozitës.
Pra, për Berishën ekranet glorifikojnë Ramën, ndërsa për Ramën glorifikojnë dhunën e protestuesve. Njëri pretendon se mediat janë nën kontrollin e qeverisë dhe oligarkëve, tjetri se ato janë kthyer në zëdhënëse të kundërshtarëve të tij. Të dy përdorin përqindje për të provuar të kundërtën e njëri-tjetrit, ndonëse njëri mat kohën televizive dhe tjetri pretendon të masë qëndrimin e përmbajtjes.
Por në këtë përplasje të dy lënë jashtë një fakt që e njohin mirë: minutat televizive nuk i zotërojnë gazetarët, por pronarët e televizioneve. Dhe marrëdhënia e politikës me këta pronarë nuk ka nisur sot. Gjatë qeverisjeve të Berishës dhe Ramës, ajo është shoqëruar me leje ndërtimi, favore ekonomike, kontrata dhe fonde publike, një histori që kërkon të shqyrtohet përmes përfituesve dhe vendimeve konkrete.
Prandaj, kur dy politikanët ankohen për mënyrën si shpërndahet koha televizive, nuk mund të lihet jashtë marrëdhënia që pushteti ka ndërtuar prej vitesh me pronarët e ekraneve. Është një marrëdhënie ku kufiri mes interesit ekonomik dhe pavarësisë editoriale ka qenë vazhdimisht objekt pikëpyetjesh.
Por fatkeqësia e Ramës dhe Berishës është se beteja e komunikimit publik po zhvendoset nga televizionet në rrjetet sociale, ku pushteti i lejeve të ndërtimit dhe tenderave publikë nuk vlen më si dikur. Sepse mund të blesh heshtjen e një ekrani me favore për pronarin e tij, por nuk mund të kontrollosh mijëra njerëz që komunikojnë drejtpërdrejt, pa pasur nevojë për një studio, një drejtor lajmesh apo një pronar televizioni. Në fund, tragjedia e dy liderëve është se mund të kenë ndarë leje ndërtimi për gjysmën e Tiranës, por ende nuk kanë gjetur një mënyrë për t’i dhënë një kullë çdo studenti që nxjerr telefonin dhe filmon atë që ata do të preferonin të mos shihej./Marrë nga VNA
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
Nuk na duhet një marrëveshje PS-PD, na duhet demokracia!
"RNB-BNB", si thirrje për t’i dhënë fund tranzicionit!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

