"RNB-BNB", si thirrje për t’i dhënë fund tranzicionit!
Nga Edison Lika
Thirrja, RNB-BNB, në revolucionin Flamingo, mund të themi se ka qenë një thirrje që fillimisht e shpëtoi atë revolucion dhe e bëri praktikisht të pa sulmueshëm dhe më pas i hapi horizontin politik, të cilin as që kishim ëndërruar se mund ta shikonim, të paktën jo kaq shpejt.
Fillimisht, duhet të sqarojmë se kjo thirrje nuk është as sulm dhe as akuzë për demokratët. Sigurisht që kjo mund të jetë edhe sulm, edhe akuzë për berishistët. Veçse edhe ata duhet të kuptojnë se këtu ka një kontradiktë të papajtueshme, sepse të jesh demokrat do të thotë të mos jesh berishist, dhe të jesh berishist do të thotë të mos jesh demokrat.
Kjo për shkak se vetë Partia Demokratike lindi si një nevojë për të kundërshtuar një regjim që ishte monopartiak, me një lider të pakontestueshëm dhe të vetëmjaftueshëm si regjim, pa një nevojë për reformim. Kurse të jesh berishist është njësoj si të jesh enverist, zogist apo pjesë e çfarëdo kulti individi që mund të na vijë në mendje. Pra, nuk ke nevojë të kërkosh për asgjë tjetër, për shkak se je i plotësuar nga profeti të cilin ndjek.
Tani, le të kthehemi te tema kryesore dhe të kuptojmë pse thirrja, RNB-BNB, ishte mbrojtja më e mirë që kjo protestë kishte.
Çdo protestë civile në këtë vend është sulmuar sikur të ishte një protestë e cytur nga Partia Demokratike, pra pa ndonjë problem real, por vetëm me një qëllim politik. Lufta për jetën, lufta për ajrin, lufta për detin, lufta për dinjitetin, lufta për pronën, sidomos përballë partisë-shtet dhe mediave rreth saj, lexoheshin si një luftë Berisha-Rama, duke e futur qytetarin në një betejë që nuk ishte e tij.
Sikur të mos mjaftonte që pushteti përdorte çdo mekanizëm për t'i devijuar kauzat qytetare drejt Partisë Demokratike, dukej sikur edhe kjo e fundit e kishte luajtur përherë rolin e një “opozite totalitariste”, që do të thotë se çdo veprim i qytetarëve që e anashkalonte opozitën zyrtare ishte, në fakt, veprimtari ose e segmenteve të ndryshme brenda PS-së, ose e Sorosit, ose e dreqit e të birit, ama vetëm individë dhe grupime që janë kundër pushtetit nuk mund të ishin. Pra, nuk mund të perceptohej që ne mund të ishim kundër Ramës dhe të mos ishim me Berishën.
Në këtë mënyrë, ky binom, në një mënyrë a një tjetër, sulmonte njëri-tjetrin dhe, në të njëjtën kohë, i mbante qytetarët në një lloj qerthulli prej të cilit nuk dilnin dot.
Pikërisht, slogani, RNB-BNB, nxori nga binarët si propagandën qeveritare, ashtu edhe sulmin e opozitës zyrtare në fillimin e revolucionit. Sigurisht, nuk mund të mos e pranojmë se në këtë revolucion, që prej fillimit të tij, kanë pasur si pjesëmarrës në protestë pafund demokratë opozitarë, po ashtu edhe deputetë të pabindur, të cilët, pavarësisht se çfarë thuhej nga qendra e selisë, e kuptuan se qendra e demokracisë ishte zhvendosur para Kryeministrisë.
RnB-BnB si horizont politik, si mundësi për të parë atë që deri tani nuk dukej dhe për të ëndërruar atë që kishim frikë.
Gabimi i parë që mund të bëhej në lidhje me këtë slogan ishte nevoja për ta reduktuar atë, në shpjegimin literal të thirrjes. Pra, me pak fjalë, ne i duam të dy në burg, këta janë të barabartë, këta janë njësoj dhe arsyetime të këtij lloji. Në fakt, kjo fjali ishte pikënisje, jo përfundim. Për mua, është tmerrësisht e ngjashme me shprehjen e shkruar në Majin e ’68-s në Paris: “Bëhu realist, kërko të pamundurën”.
Në këtë kuptim, pasi ky binom të kishte rënë, ne do të ishim të lirë, të paktën për një moment, për një protestë apo për një periudhë të caktuar, të imagjinonim një Shqipëri ndryshe. Një Shqipëri ndryshe varet prej atij që është duke imagjinuar. E kjo mund të përfshijë gjithçka. Prej një Shqipërie ku të gjithë të jenë zotër të fatit të tyre, një Shqipëri në të cilën askush nuk duhet ta shohë emigrimin, ikjen, si zgjidhjen e vetme të problemit. Një Shqipëri në të cilën ligjin nuk e bën i forti, krimineli apo oligarku. Një Shqipëri në të cilën arsimi nuk është privilegj dhe strehimi luks.
Një Shqipëri në të cilën nuk duhet të mundohesh të gjesh një kafene, ku të mos ekzistojë mundësia e ndonjë atentati. Një Shqipëri në të cilën ka pluralitet partish dhe mendimesh, një Shqipëri në të cilën ka garë dhe demokraci, një Shqipëri në të cilën ka Shkëlqim dhe Rënie.
Një Shqipëri në të cilën, dreqi e marrtë, të bëjmë gjithë këto gjëra që në dukje janë utopike, por që në një shoqëri tjetër janë të drejta bazike. Pra, në fund të fundit, kjo protestë dhe pikërisht kjo thirrje, që na fton të dalim nga status quo-ja, nga stabiliteti iluziv që kemi, është një thirrje për një Shqipëri normale.
Pikërisht për këtë është e rëndësishme thirrja RNB-BNB. Ajo është një thirrje për të parë përtej dhe, kur themi përtej, nuk kam parasysh një numër të caktuar alternativash, por kam parasysh pafundësinë e alternativave.
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
"RNB-BNB", si thirrje për t’i dhënë fund tranzicionit!
Pse Rama e ka humbur pushtetin?
Atdheu pa semaforë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
