Rama sulmon protestuesit nga Parisi: Janë radikalizuar nga propaganda antisemite e Iranit

10 November 2026, 21:12 / POLITIKË ALFA PRESS
Rama sulmon protestuesit nga Parisi: Janë radikalizuar nga propaganda

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara javët e fundit në Tiranë, gjatë fjalës së mbajtur në Forumin e Paqes në Paris, ku ndodhet me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.

Rama i cilësoi protestat si një situatë komplekse, duke bërë dallimin mes manifestimeve të para, ku sipas tij morën pjesë qytetarë nga fusha të ndryshme të jetës, dhe protestave të mëvonshme, të cilat, sipas kryeministrit, janë përshkallëzuar në dhunë.

Ai iu referua edhe protestave të lidhura me projektin e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se ato nisën si reagim ndaj këtij projekti, por më pas morën një tjetër drejtim.

Kreu i qeverisë pretendoi se një pjesë e protestuesve janë radikalizuar nga propaganda antisemite, për të cilën fajësoi Iranin, ndërsa akuzoi edhe partitë opozitare se fshihen pas të rinjve që, sipas tij, janë radikalizuar nga ideologjia e ANTIFA-s.

 

“Është një situatë komplekse në mbarë Europën, që do ta përkufizoja si përplasje mes botës reale dhe botës së mediave sociale, ku shumë të rinj marrin informacion dhe dezinformacion, të cilat i çojnë drejt përshkallëzimit në protesta”, u shpreh Rama.

Më tej, kryeministri përmendi një sërë faktorësh që, sipas tij, ndikojnë në situatën e krijuar, duke përfshirë shqetësimet mjedisore, kostot e jetesës, propagandën antisemite, ndikimin e Iranit, partitë opozitare dhe persona që, sipas tij, janë të lidhur me krimin.

“Një mori gjërash që janë njësoj si një tenxhere ku zien gjithçka: nga shqetësimi për mjedisin, gjepura antisemite të ushqyera nga armiqtë e vendit, Republika Khomeiniste e Iranit, dhe parti të opozitës që fshihen pas fëmijëve të radikalizuar me iluzionet e ANTIFA-s”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se protestat duhen trajtuar në mënyra të ndryshme, duke u përpjekur të krijohet dialog dhe të reflektohet mbi arsyet që i nxisin ato.

Rama shtoi se qeveria ka reflektuar përmes buxhetit dhe institucioneve shtetërore, ndërsa për personat që kanë ushtruar dhunë duhet të veprojnë Policia, Prokuroria dhe gjykatat.

 

Po ndodh...