Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete, mbi rrënojat e një perandorie

10 November 2026, 16:37 / JETË ALFA PRESS
Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete, mbi

Nga Evarist Beqiri

Sot, më 10 nëntor, në orën 09:05, Turqia ndalet për një minutë heshtjeje solemne në nderim të Atatürk-ut. Ndërkohë, vetëdija jonë publike i detyrohet ende një borxh të madh Ismail Qemal Vlorës. Vetvetiu vëmendja shkon te një paralele e rrallë e kapërcyellit të shekullit XX. Perandoria Osmane dhe politika europiane njohën dy burra shteti me epitetin e nderuar “Qemal” (Kemal), që dolën nga e njëjta perandori dhe u bënë themelues të dy shteteve moderne.

Mustafa Qemali udhëhoqi luftën që mundësoi themelimin e Republikës së Turqisë dhe më pas drejtoi transformimin e saj politik. Ismail Qemali, përkundrazi, e realizoi projektin e shtetësisë shqiptare përmes diplomacisë, aftësisë juridike dhe shfrytëzimit të ekuilibrave gjeopolitikë, pa pasur në dispozicion një ushtri kombëtare të konsoliduar.

Nëse për latinët Nomen Omen nënkuptonte emrin si parathënie të fatit, te të dy udhëheqësit emri “Qemal” nuk erdhi si trashëgimi atërore, por si një epitet i merituar (Epitheton) gjatë rrugëtimit të tyre vetjak. Në etikën dhe gjuhën jozyrtare të administratës osmane, kjo fjalë nënkuptonte “përsosmëri”, “shkëlqim intelektual” ose “pjekuri të madhe”. Rëndësia e tyre nuk qëndron te epiteti që ndajnë, por te përvoja e përbashkët brenda sistemit osman dhe aftësia për ta shndërruar atë në themelin e dy projekteve të ndryshme kombëtare.

Ismail Qemal bej Vlora lindi me emrin Ismail (njihet si İsmail Kemal Bey). Ai ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme në administratën osmane, ku dëshmoi aftësi reformuese e talent të rrallë diplomatik e juridik, duke marrë emërtimin “Qemal” qysh herët në jetë. Mustafa Qemal Atatürk-u lindi thjesht me emrin Mustafa (Ali Rıza oğlu Mustafa). Në shenjë admirimi mori po ashtu qysh herët emrin “Qemal”.

Dallimi mes dy rrugëve të shtetformimit nuk e zvogëlon peshën e asnjërit prej tyre. Përkundrazi, na jep një arsye më shumë për të reflektuar mbi mënyrën se si secili shtet e trajton trashëgiminë e themeluesit të vet. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për nderimin e një njeriu, por për rregullin dhe disiplinën shtetërore që shndërrohen në refleks kombëtar. 

Nga zhvendosja e skulpturave ikonike në lulishte anësore, deri te mjaftimi me një fotografi zyrtare në mur, ne e kemi reduktuar shpesh Themeluesin në një simbol ceremonial të festave të nëntorit. Në vend të nderimit të përditshëm institucional, ne kemi zgjedhur përkujtimin rastësor. Një komb me shtetësi të pjekur e mban gjallë Themeluesin në institucionet dhe vlerat mbi të cilat ndërton shtetin.

Turqia e ka institucionalizuar kujtesën e Atatürk-ut në jetën publike, ndërsa Shqipëria ende nuk ka arritur ta shndërrojë trashëgiminë e Ismail Qemalit në një kulturë të qëndrueshme institucionale. 

Kujtesa e Themeluesit nuk është thjesht kult individi. Ajo është vetëdije për vazhdimësinë e shtetit. Të kuptuarit e kësaj paraleleje është një ftesë për ta parë atë jo përmes miteve folklorike, por përmes staturës së një burrështetasi sovran që e ktheu përvojën perandorake në armën më të fortë të pavarësisë sonë.

Një komb nuk e nderon vërtet themeluesin e vet vetëm duke e përkujtuar një herë në vit. E nderon duke ndërtuar shtetin që ai synoi të krijonte.

Po ndodh...