Revista e njohur italiane: Në shënjestër të protestuesve në Shqipëri është qeveria e korruptuar e Ramës, por të distancuar edhe nga Berisha!

Ajo që nisi si një protestë kundër ndërtimit të një hoteli luksoz, të lidhur me familjen Trump, brenda një zone të mbrojtur natyrore, është shndërruar tashmë në një lëvizje të vazhdueshme kundër qeverisë së Edi Ramës. Prej më shumë se 150 ditësh, protestat janë shtrirë në të gjithë Shqipërinë, ndërsa javët e fundit është vënë re një pjesëmarrje gjithnjë e më e madhe e të rinjve, e shoqëruar edhe me episode të dhunshme.
E shtuna e 7 nëntorit, shënoi një tjetër ditë tensioni në kryeqytet. Rrugët e Tiranës u kthyen në skenë përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë demonstratës u hodhën gurë dhe kokteje molotovi, u dogjën kontejnerë mbeturinash, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën. Të nesërmen, autoritetet njoftuan arrestimin e katër personave, procedimin penal të shtatë të tjerëve dhe vendosjen e 12 gjobave administrative.
Në qendër të protestave qëndron sërish qeveria e kryeministrit Edi Rama, e cila akuzohet nga protestuesit për korrupsion, mungesë transparence në proceset vendimmarrëse dhe përdorim të pushtetit për të favorizuar interesa private të individëve pranë qeverisë.
Megjithatë, protesta e së shtunës nxori në pah edhe një tjetër problem brenda vetë frontit kundër qeverisë: përçarjen mes të rinjve protestues dhe opozitës së drejtuar nga Sali Berisha.
Në Tiranë ishin organizuar dy tubime të veçanta. I pari, i thirrur nga studentët, nisi në orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit. Ndërsa protesta e dytë u organizua nga Partia Demokratike, me mbështetësit e saj që marshuan nga selia e partisë drejt Kryeministrisë, përpara se t'i bashkoheshin tubimit të studentëve.
Në protestën e opozitës ishin të pranishëm deputetët Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti dhe Tedi Blushi, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk mori pjesë.
Prania e përfaqësuesve të Partisë Demokratike shkaktoi pakënaqësi te studentët, të cilët kundërshtuan përfshirjen e forcave politike në protestën e tyre. Për të bërë të qartë distancimin nga opozita, të rinjtë krijuan një kordon ndarës mes dy grupeve dhe shpalosën një banderolë me mesazhin: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Situata u tensionua shpejt. Përplasjet verbale mes protestuesve të rinj dhe mbështetësve të opozitës kaluan në konfrontime fizike, duke e vënë përkohësisht në vështirësi organizimin e demonstratës.
Ndërkohë, një pjesë e protestuesve u përfshinë në akte dhune ndaj policisë. Disa prej tyre u vunë flakën dy kontejnerëve të mbeturinave dhe i shtynë në drejtim të efektivëve, ndërsa të tjerë hodhën gurë dhe sende të forta. Policia reagoi me spraj irritues dhe gaz lotsjellës.
Teksa marshimi vijonte, disa protestues tentuan të bllokonin qarkullimin rrugor duke përdorur gurë dhe kontejnerë mbeturinash. Persona të tjerë, me fytyrat e mbuluara, hodhën gurë në drejtim të forcave të rendit.
Përplasjet më të ashpra u regjistruan pranë Kryeministrisë, ku protestuesit hodhën kokteje molotovi dhe mjete piroteknike. Për të neutralizuar flakët dhe për të shpërndarë turmën, policia përdori autobotët me ujë, duke i shtyrë protestuesit në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes.
Pas disa orësh tensioni, situata nisi të qetësohej gradualisht dhe turma u shpërnda. Më pas, punonjësit dhe mjetet e shërbimeve publike nisën pastrimin e rrugëve nga gurët dhe mbeturinat e lëna pas përleshjeve.
Katër të arrestuar dhe shtatë persona nën procedim penal
Një ditë pas protestës, Policia e Shtetit bëri publike masat e marra ndaj personave të përfshirë në incidentet e së shtunës.
Në total, katër persona u arrestuan, mes tyre tre të rinj të moshës 19 dhe 24 vjeç, si dhe një 34-vjeçar. Ndaj shtatë protestuesve të tjerë nisi procedimi penal, ndërsa u vendosën 12 gjoba administrative.
Sipas policisë, gjatë përplasjeve ndaj efektivëve u përdorën sende të forta dhe mjete piroteknike. Një nga gjobat më të larta, në vlerën e 500 mijë lekëve, iu vendos një protestuesi të akuzuar për hedhjen e gurëve në drejtim të efektivëve dhe godinës së Kryeministrisë.
Sipas autoriteteve, personi në fjalë kishte mbuluar fytyrën me kapuç dhe kishte vijuar veprimet e tij, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të policisë.
Përtej episodeve të dhunës, protesta e 7 nëntorit nxori në pah një realitet të ri të lëvizjes kundër qeverisë: një pjesë e të rinjve kërkon të mbajë distancë jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga opozita tradicionale, duke artikuluar një pakënaqësi që duket se shkon përtej ndarjeve të zakonshme politike./ Përshtati në shqip Alfapress.al
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
Pse Rama e ka humbur pushtetin?
Atdheu pa semaforë
Historia nuk mund të përsëritet më!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
