Atdheu pa semaforë

8 November 2026, 14:01 / IDE NGA ERVIN QAFMOLLA
Atdheu pa semaforë

Në kryqëzimin e Brrylit, kur vjen nga Rruga “Bajram Curri” me Dajtin pas krahëve, për të hyrë në atë segment vertikal të Unazës që të çon drejt qendrës së Tiranës, ndodhet një nga semaforët më famëkeqë në qytet. Ulur përbri taksistit të lagjes, i cili turfullon ndër dhëmbë, pres me durim të stërvitur dritën e gjelbër, e cila do të qëndrojë e hapur më pak se tridhjetë sekonda dhe nuk do të lejojë që të na vijë radha të kalojmë pa u shpenzuar edhe tre minuta të tjera.

“Këtë semafor duhet të kishin thyer… ky është shumë i poshtër”, – vëren ai dhe kthen kokën duke e plotësuar ligjërimin me një shikim kriminal.

Por varet se kë pyet. Taksisti tjetër i lagjes këmbëngul se “semafori më i poshtër” është ai pararendës që komandon qarkullimin mbi urën që lidh të njëjtën rrugë me anën tjetër të saj, ku ndodhet edhe i ashtuquajturi Materniteti i Ri. Teksa pajisja i lë kohë trafikut kryesor vetëm njëzet sekonda që të kalojë, qarkullimit anemik mbi urë i lë plot një gjysmë minute. Duke përsiatur mbi këtë dallim prej plot dhjetë sekondash, i them se ndoshta po u jepet përparësi këmbësorëve. Por ai ngre supet qetësisht: “Duhet ta djegin.”

Kur më në fund na vjen radha të kalojmë, vetura merr djathtas drejt Rrugës “Arkitekt Kasemi”. Tridhjetë sekonda dhe kalojmë nëpër kryqëzimin e kësaj me Unazën. Aty një polic drejton trafikun me gjeste të trazuara, ndërsa në fytyrë mund t’ia lexosh qartë frustrimin ekzistencial. Si ai janë me dhjetëra efektivë të Policisë Rrugore që këto ditë protestash të egra kanë zëvendësuar semaforët në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit.

“Kurse ky semafori ishte në rregull; këtë edhe mund ta kishin lënë”, – vëren taksisti i parë.

Krahas kazanëve të plehrave, tabelave të sinjalistikës rrugore, stolave, stacioneve të autobusit dhe objekteve të tjera që lehtësojnë lëvizjen dhe jetën në mjedisin urban, semaforët kanë qenë ndër viktimat e para të zemëratës së protestuesve. Shkatërrimi i tyre është edhe simbolik.

Semafori jo vetëm orienton qarkullimin, por ai ndalon dhe lejon; është njëherësh arbitër i kufizimit dhe i lirisë, si edhe i përgjegjësisë dhe rendit qytetar. Mbi të gjitha, semafori është një simbol i autoritetit shtetëror. Ai tregon se këtu ka rregulla dhe ligje, se dora frenuese e shtetit dhe syri i padukshëm i vigjilencës institucionale sundojnë edhe mbi diçka kaq të mirëqenë sa kalimi i një rruge.

Rrjedhimisht, thyerja e tyre ka sinjalizuar një shprishje të rendit ekzistues. Në kryqëzimet e kryeqytetit, një sinjalistikë e re, jomateriale, ka zëvendësuar atë të vjetrën pjesërisht funksionale. Intuitivisht, kjo mund të ishte edhe simbolikë e një shoqërie pa rregulla, ku mbizotëron kaosi dhe ku ligjin e bën më i forti, jo institucionet.

Kundërintuitivisht, eliminimi i dhunshëm i drejtuesve të automatizuar të qarkullimit ka sjellë një lehtësim të përgjithshëm të trafikut, në një vend ku edhe me semaforë dhe pavarësisht atyre, mbizotëron kaosi dhe ligjin e ka bërë më i forti.

Të parët që reaguan kundër dhunës së protestuesve – duhet thënë, pa surprizë – ishin partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Njëherazi përmes përfaqësive të tyre lokale dhe foltoreve qendrore, ata thuajse njëzëri dënuan dhunën. Nëpër këto qëndrime nxirrte kokën herë pas here slogani tradicional “Dhuna nuk është zgjidhje”.

Partnerëve strategjikë të Shqipërisë befasisht iu bashkua edhe një trumbë intelektualësh kosovarë, të cilët, në amnezi të plotë ndaj metodologjisë që kryengritësit e atjeshëm, krahas aleatëve ndërkombëtarë, kishin përdorur me sukses në farkëtimin e rrugës për pavarësi, mësynë rrjeteve sociale me thirrje të një pacifizmi vegan.

Një postimi të këtij kalibri në Facebook nga një artist i shquar kosovar iu përgjigj një aktivist nga Tirana, i cili po ashtu drejton një OSHC, çka logjikisht do ta rendiste në krahun ultra-pacifist të ekuacionit. Por, në mënyrë të përmbledhur, ky i tha se protestën paqësore e tentuan për mbi 120 ditë dhe si përgjigje morën vetëm shpërfillje, përtallje dhe bullizimin e pushtetit; ndaj, në këtë pikë, konfirmimi kishte mbetur e vetmja zgjidhje elokuente.

Një tjetër supozoi se intelektualët urbanë kosovarë kishin përqafuar një paradigmë të paqes pa kushte si rrjedhojë e traumës së luftës. Por një tjetër-tjetër (edhe ky kosovar) vuri në dukje se kjo dorë mendimtarësh neogandistë (qartazi një referencë e hollë dhe e helmuar për Rugovën) ishin thjesht Jugonostalgjikët 3.0. Çështja është se pas vdekjes së Marshallit Tito, i cili ishte arkitekti dhe mirëmbajtësi i parajsës jugosllave, shpërthyen luftërat më tragjike që Ballkani kishte përjetuar në shumë kohë.

Por si kosovarët, ashtu edhe ndërkombëtarët, janë nga natyra institucionalistë dhe stabilokratë. Kjo qasje, duhet thënë parimisht e virtytshme, vlen për aq kohë sa demokracia është vërtet përfaqësuese dhe institucionet egalitare.

Në raste alternative, si ky i yni, pacifizmi mund të shndërrohet në problem. “Sepse, ndërmjet të këqijave të tjera që sjell të qenit i paarmatosur, është se të bën të përbuzesh”, – tha Niccolo Machiavelli në veprën e tij Princi.

Kjo ndodhi gjatë atyre 120 e kusur ditëve paqësore të Revolucionit Flamingo, kur një grup keqbërësish agresivë, nën parullën e “Antisosorianëve” dhe sipas gjasave i mbështetur nga partitë tradicionale, tentoi pareshtur ta përçajë e ta shuajë protestën përmes dhunës, jo ndaj pushtetit, por kundër protestuesve paqësorë. Dhe kur protesta u bë konfrontuese dhe e dhunshme ndaj pushtetit, këta u zhdukën pa nam e nishan.

Pjesëmarrës në të dyja formatet e rebelimit qytetar betohen se që kur krisën gurët e molotovët, nuk kanë parë më asnjë prej tyre.

Por “ne dënojmë dhunën”. Sepse përveç pronës publike, për të thënë të përbashkët, u dëmtua edhe prona private. (Fakti që kjo e dyta shkakton alarmizëm më të lartë sesa e para është më vete tregues i bjerrjes së vlerave shoqërore dhe dinjitetit qytetar.) Por edhe në këtë rast, pati një farë prioritizimi e mandej sekuencimi. Kështu, shënjestrat e para të spikatura ishin institucionet financiare (lexo: bankat), ku në krye të shënjestrës brenda sektorit ishin institucionet e mikrokredisë. Mandej, u erdhi radha bankave konvencionale, e rrugës, edhe ndonjë butiku e kioske cigaresh dhe croissant-ësh.

Dhe këtu – siç vinte re një protestues i maskuar në ligjërim disi më të thjeshtë se ky riformulim – të thuash që është në rregull të thyhet banka, por jo dyqani i rrobave aty përbri, është sikur t’i kërkosh zemërimit të turmës të ketë syçeltësi institucionale në një vend ku institucionet janë fantazmat e vetvetes. Është sikur të kërkosh, në fjalët e taksistit tim, që të shkatërrohej ky semafori këtu e jo ai tjetri më lart.

Zemërata ka të brendashkruar verbërinë e vet.

Kështu, çdo sistem qeverisës i organizuar priret që dhunën ta përkufizojë si monopol të rendit sundues. Por nëse i kthehemi historisë, rezulton se të drejtat tona (europiane), jetët tona (të përbotshme), të drejtat tona (universale) nuk janë garantuar edhe aq mes dialogut paqësor mes qafës dhe shpatës, por janë lartësuar përmes kryengritjeve.

Rrëzimi i skllavërisë pati nevojë edhe për Revolucionin (jopaqësor) Haitian (1791-1804). Të drejtat e gejve dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit LGBT u skalitën edhe përmes Kryengritjes së Stonewall (1969). Të mos flasim për Revolucionin Francez (1889-99), apo shumë më vonë, për Lëvizjen e të Drejtave Civile në Amerikë (1950-1960).

Dhe duke u aventuruar më thellë në të shkuarën, në vitin 1215, një grup baronësh anglezë u rebeluan kundër Mbretit Gjon dhe përmes përpjekjes së armatosur arritën, ndër të tjera, diçka universalisht kushtetuese mbi të drejtat e njeriut që e gëzojmë edhe sot dhe që e njohim si “Magna Carta”. Gjithçka kemi vjen nga sakrifica e gjithçka ndodhi.

Para se miqtë e Shqipërisë të dënonin dhunën, atëherë kur protesta paqësore kundër padrejtësisë dhe kapjes së shtetit dhe të tokës dhe detit e ajrit nga narkodiktatura dhe grabitja e pafre ishte në zenitin e vet, zyrtarët e lartë europianë, teksa vizituan vendin, njoftuan se Shqipëria ishte në radhën e parë të garës drejt integrimit europian.

Dhe teksa protesta kishte hyrë në rrjedhën e saj (edhe) të dhunshme, vetëm pak ditë pasi vula për arrestimin e kreut të shërbimeve sekrete shqiptare, Vlora Hyseni, nga SPAK ende nuk ishte tharë, titullarët e Bashkimit Europian njoftuan arritje të reja rreth progresit të vjetër të vendit drejt BE-së. Ndër fushat e përmendura përfshihen edhe sukseset në politikat e përbashkëta të sigurisë; të drejtat gjyqësore dhe themelore; drejtësia, liria dhe siguria; politikat e sipërmarrjes dhe ato industriale. Te këto të fundit bëjnë pjesë edhe prokurimet publike. Dikush mund të vërejë një farë ironie.

Së fundmi, në fjalën e saj rreth Raportit të Progresit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Brukseli e di mirë se kush po proteston, duke bërë kështu një dallim mes protestuesve të dhunshëm dhe atyre paqësorë. Ajo vuri në dukje se vija zyrtare e Unionit mbështeste (pa dyshim) paqësorët dhe se për këtë arsye Shqipëria duhet të ndryshonte ligjet për mjedisin, specifikisht atë për investimet strategjike.

Problemi është se ai tren ka kohë që ka ikur. Tani stacioni është i zbrazët. Në këtë pikë edhe arketipi imagjinar i protestuesit pacifist është tejkaluar. Shumë prej paqësorëve janë arrestuar me duar në xhepa e më pas janë radikalizuar duke u përfshirë në rezistencë fizike.

Flamingot janë bërë tashmë simbol dytësor, zëvendësuar nga silueta e një të riu të maskuar që, i errët, qëndron mes gazit lotsjellës që ka pushtuar bulevardin. Njerëzit janë rebeluar për shumëçka dhe përtej shqetësimeve mjedisore.

Ndaj etiketat i dhunshëm vs. paqësor janë jo vetëm joreale, por edhe të pafrytshme. Ato nuk kanë ndikim në realitetin material. Imagjinojini ata të rinj e të reja, shpirt-rilindur mes brutalitetit policor, që pasi dëgjojnë qëndrime të tilla, supozohet të tronditen dhe të thonë: “Po flasin për ne! Sa turp! Nga sot e tutje do të jemi protestues ekskluzivisht paqësorë!”

Por këtu meriton një reflektim pak më serioz vetë intensiteti në etiketim. Për shembull, protestat e studentëve në Serbi, të cilat së fundmi u kurorëzuan pas dy vitesh në rrëzimin e nomenklaturës së Aleksandër Vuçiç, edhe pse fillimisht u përmendën si pjesërisht të dhunshme, nuk u denoncuan asnjëherë si vërtet të dhunshme nga liga epërore e zyrtarëve europianë e as u dënuan si të tilla.

Në protestat popullore të viteve 2013-2014 në Ukrainë, u ngritën barrikada dhe pati konfrontime të përgjakshme me policinë: molotovë, madje edhe rezistencë të armatosur. Por edhe pse mbi këto, në një farë pike, pati njëfarë shqetësimi rreth rasteve të dhunës, në asnjë pikë nuk u dënuan si të dhunshme. Madje, të gjithë ne duartrokitëm, me jehona që u shtrinë deri në Bruksel e Uashington, kur zyrtarët e regjimit të vjetër ukrainas u hodhën në kazanë plehrash.

Dikush, me të drejtë, mund të bërtasë: “hipokrizi, hipokrizi!” Por çështja është pak më komplekse, sa edhe e thjeshtë. Këto raste i shërbenin konsensusit eurocentrik për çimentimin e mantrës perëndimore të demokracisë liberale. Shqipëria jo. Shqipëria, përveçse është sakaq pjesë e algoritmit fitimtar, nuk prodhon naftë, grurë apo çfarëdo produkti të shënuar. Shqipëria është eksportuese neto e stabilitetit rajonal. Si rrjedhojë, çdo gjë që cenon këtë ekuilibër bëhet e dënueshme. Jo më kot, perëndimorët institucionalë përmenden edhe si stabilokratë.

Pyetja e vërtetë është se sa shumë duhet shthurur stabiliteti i brendshëm që të rrezikojë eksportin e të njëjtit stabilitet për së jashtmi. Sado e pakëndshme të tingëllojë, ndoshta vetëm atëherë shqiptarët mund të kenë një shans real për ndryshim të vërtetë e të noterizuar edhe nga aleatët. Ndoshta duhet të bëhet më keq para se të bëhet mirë.

Në nivel anekdotik, ata që Ramën e njohin që në rininë e tij vënë në dukje se çfarëdo pritshmërie për dorëheqje në këto kushte do të ishte një shpresë e rreme, një iluzion. Si në jetë, ashtu edhe në fushën e basketbollit, ai nuk pranonte të dilte nga një lojë apo situatë edhe kur shkaktonte dështime të përsëritura dhe çdokush i kërkonte të tërhiqej.

Të njëjtat prirje i ka dëshmuar edhe në jetën e tij politike, përfshi 13 vjet si Kryeministër i Shqipërisë dhe 11 të tjerë në krye të Bashkisë së Tiranës. Mjaftojnë vitet në krye të qeverisë për ta renditur atë si udhëheqësin e dytë më jetëgjatë në pushtet pas Enver Hoxhës. Disa thonë se si rrjedhojë, atij Shqipëria më nuk i mjafton, prej nga është materializuar fiksimi i tij i vazhdueshëm si lider rajonal, më pas europian dhe tani botëror.

Por është pikërisht kjo pika ku udhëheqësi tashmë autoritar i Shqipërisë filo-europiane ka marrë goditjen më të madhe. Gjithë ajo makineri e imazhit e investuar me kaq mund e kohë për të ndërtuar profilin e një udhëheqësi perëndimor liberal, i drejtpërdrejtë, vizionar i së ardhmes së demokracisë, ligjërues brutalisht i sinqertë, thumbues pa doreza, drejtues frymëzues, Artisti që u bë Kryeministër, më europiani ndër europianët dhe… që një ditë zgjohet diktator.

Gjithë ky prestigj i hedhur në plehra, në të njëjtin kazan ku u fluturuan zyrtarët e Viktor Janukoviçit në Revolucionin e Dinjitetit, në Ukrainën e vitit 2014.

Kjo është një nga arritjet e menjëhershme të protestave. Kjo ndodhi tani. Ndodhi vërtet. Dhe është e pakthyeshme. Po ashtu, urrejtja e jetësuar nga fjala në mish është arritja tjetër. Shqiptarët guxuan të imagjinojnë se pushteti mund të urrehet. Dhe filluan ta urrejnë. Dhe kjo është një urrejtje e pazhbëshme. Një trumbë flamingosh dhe ca çeta të rinjsh me gurë e molotovë kanë pushtuar sferat digjitale dhe kanë përmbysur rendin e botës materiale.

Siç shkroi në Facebook një ndër të rinjtë tanë të artikuluar, Gentjan Tufa: Na thanë: “Kush nuk e ka vjedhur këtë vend të hedhë gurin i pari”. Kur fëmijët kapën gurët dhe nisën t’i qëllonin, [ata] nxorën policinë.

Dhe kështu, Edi Rama u bë diktatori i radhës. Askush nuk do ta presë me respekt të sinqertë; qarqet intelektuale të Perëndimit (apo Lindjes) nuk do ta honepsin më. Dhe pensioni i tij imagjinar nëpër sallonet e artit dhe sallat e gjeostrategjisë sapo u degradua në një darkë sekrete me ca kabalistë, në një restorant gjysmë të fshehtë buzë Senës, prej nga do të dalë syçakërrisur se mos i shfaqet ndonjë bashkëkombës që ta shajë e pështyjë. Me kaq mbaroi gjithçka.

Ndaj, Edi Rama nuk do ta japë dorëheqjen. Nuk mund ta japë dorëheqjen. Ai nuk ka asnjë alternativë tjetër përpos pushtetit. Dhe nëse do t’i duhet të mbretërojë mbi një pirg gërmadhash… ashtu qoftë. Çështja është se partnerëve euroatlantikë të Shqipërisë nuk u pëlqejnë gërmadhat. Dhe këtu kthehemi te çështja e gogolit të eksportimit të in/stabilitetit.

Tashmë është bërë e qartë se nuk ekziston më asnjë dinamikë e qëndrueshme që ta mbajë Ramën në pushtet. Është po aq e qartë që ai nuk ka ndër mend të dorëhiqet. Por është e imagjinueshme mundësia që një ditë ta dorëheqin. Siç citohet Buda të ketë thënë:

“Gjithçka është, është prej mendimeve tona. Me mendimet tona bëjmë botën.”

Sërish: Duhet të bëhet më keq para se të bëhet më mirë.

Ata çunakë veshur me të zeza e të maskuar, duke gjuajtur gurë e flakadanë, duke ngrënë dajak, duke iu thyer këmbët e dhëmbët, duke iu nxjerrë sytë, duke i rreshtuar e shtrirë si bagëti mbi dyshemetë e rajoneve të policisë, duke u mbajtur pa ngrënë nëpër qeli, duke u brutalizuar rrugëve, furgonave e stacioneve.

Këta janë ata që në rrethana të tjera, po veshur me të zeza, qëndrojnë qosheve të lagjeve të periferisë, duke ngrënë patatina dhe duke folur për ëndrra që kurrë nuk do të fluturojnë më larg sesa fryma e lagësht e imagjinatës nëpër natë.

Asnjë mundësi këtu. Asnjë perspektivë reale atje. Asnjë hapësirë për të ushtruar çfarëdo talenti e krijimtarie, përveç hijes së betonit në lagje.

Këta janë të dhunshmit. Këta janë ata që nuk ua ndjen edhe aq për zogjtë, por që kryengrihen nga terrori i një humnere metafizike. Këtyre kemi kurajën t’u themi që të mos hedhin gurë, të mos përdhosin fasada, të mos thyejnë vitrina, në një Shqipëri që vetëm për ta nuk është gatuar dhe që përditë e më shumë po ndërtohet për t’i përjashtuar.

Le të ngrihen dhe ta shembin falsitetin kanibal. Dhe të rindërtojnë Shqipërinë e Re. Dhe kush ka kurajë dhe vetërespekt, t’u bashkohet në çfarëdo forme që mundet.

Dhe kush nuk mundet, t’i përkrahë të paktën me zemër. Ashtu që, sikur edhe përmes mosbindjes apo konfrontimit të dinjitetshëm, të arrihet një paqe e dinjitetshme.

Ashtu që ky vend frytet t’i japë për të gjithë. Dhe ku i dihet… atëherë edhe semaforët do të punojnë si duhet./Shteg.org

Po ndodh...

ide