Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan

5 November 2026, 15:40 / EDITORIAL NGA INDRIT GJYZELI
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët

Nga Indrit Gjyzeli

Sali Berisha shpalli sot qartazi qëndrimin kundër mundësisë, që të krijohet një opozitë ndryshe nga ajo që drejton ai. Sipas tij, versioni i një lëvizjeje politike studentore si në Serbi ishte një version i sponsorizuar nga Rama, për të krijuar një opozitë tjetër. 

Por, si mundet të krijojë Rama një opozitë që nuk e akuzon dot për asgjë, kur ka Berishën që e akuzon për Marsin '97, për 21 Janarin 2011, apo që është "non grata" dhe i shpërfillur nga çdo kancelari dhe me çështje hetimi në SPAK?!

Për çfarë do i nevojitej Ramës një opozitë me të rinj që nuk kanë asnjë akuzë për të shkuarën e tyre, por veç kanë pyetje vitale për të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë?!

Kushdo që e ka parë Ramën në ditët e fundit, ka kuptuar lehtësimin e tij politik pas daljes hapur të Berishës për organizimin e protestës nga ana e tij. Madje, Berisha doli te Fevziu në TV Klan të thoshte se, edhe lëvizjen Flamingo e kishte organizuar ai, veç pjesës së "paparashikuar të Arlind Qorrit që thërret- Rama burg, Berisha burg". 

Në fakt, Rama, duke mos pasur më asnjë moral qeverisës, i ka mbetur vetëm "Gogoli Berisha", një rol që kreu i PD e luan plot pasion, duke goditur këdo që nuk e mendon të ardhmen e Shqipërisë pa të, si dhe pa Ramën.

Në këto kushte, Berisha është "opozita e duhur" me të cilën Rama vijon të jetë i qetë edhe kur Brukseli ja thotë shkoqur se protesta e të rinjve është e drejtë dhe se ai ka tejkaluar dhunën mbi to, se ka vënë shtetin në favor të Belinda Ballukut duke sulmuar SPAK dhe se ka shkatërruar parlamentarizmin.

Por Berisha, kur i referohet rastit serb nuk thotë asgjë për mosbesimin e thellë që kishin studentët atje për opozitën, që fiks si në Shqipëri, ishte kthyer në pengesë për rotacionin politik, një pengesë që ata e hoqën për shkak se nuk kishin mbi vete asnjë akuzë. 

Në Shqipëri është e vërtetë, se versionin serb e morën frikë si Rama ashtu dhe Berisha. Madje u dëgjua me zë të lartë se si në një takim pak ditë përpara zgjedhjeve serbe, Vuçiç këshilloi Ramën të mos i toleronte studentët pasi ata mund t'i marrin pushtetin, siç edhe ndodhi.

Ndaj në Tiranë, Rama, u sul me ligje të tipit diktatorial, me gjoba e ndalime, ndërsa Berisha mori flamurin e shkatërrimit të protestës duke këmbëngulur hapur që është ai dhe vetëm ai që e mban.

Të dy njëlloj besojnë se janë të pazëvendësueshëm dhe se shqiptarët pa to, nuk ëndërrojnë dot për asgjë. Fiks për këtë megalomani të pandreqshme ata meritojmë një revolucion që t'u tregojë pensionimin politik, duke i treguar se kanë kohë që janë pengesë. Padyshim që mëkatet më të mëdha i bart Rama për keqqeverisjen dhe talljen me shqiptarët, ndërsa Berisha mban përgjegjësinë e të qenurit një pengesë kaq kokëfortë që të ndërtohet një alternativë për rotacion normal pushteti./Alfapress.al

Po ndodh...