Jo një 1990 i dytë! Këtë herë deri në fund! 

4 November 2026, 13:18 / IDE NGA RED VARAKU
Jo një 1990 i dytë! Këtë herë deri në fund! 

Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër marrëveshje mes elitave të reja apo të vjetra, që po tentohet të inskenohet së fundmi, për të dalë nga kriza e thellë ku ështē zhytur vendi. 

Ajo ka nevojë për një transformim radikal që prek rrënjët e sistemit dhe jo për një tjetër spektakël si në 1990 që prodhon zhurmë, por 'ruan' të paprekur mekanizmin e pushtetit.

Ajo që ka nisur në rrugët e Shqipërisë nuk mund të përfundojë me një 'pazar' të radhës gatuar në kuzhinat historike të establishmentit të korruptuar politik shqiptar.

Kjo duhet të jetë një përballje finale dhe duhet t'i shkojë deri në fund, deri në çmontimin e plotë të strukturave që kanë kapur shtetin dhe kanë deformuar demokracinë.

Sepse, korrupsioni si dikur komunizmi, jo vetëm që nuk është thjesht një problem i disa individëve, por ai është shndërruar në një sistem kapilar që jo vetëm riprodhon vetveten, por ai po pengon çdo përpjekje për ndryshim.

Prandaj, largimi i disa figurave apo një riorganizim sipërfaqësor me figura gjoja të reja jo vetëm që nuk mjafton, por duhet një ndërhyrje kirurgjikale në mēnyrë që të ndryshojnë totalisht mekanizmat që e mbajnë në këmbë këtë sistem.

Kështu, çdo marrëveshje e re që në thelb synon të shuajë revoltën ama pa adresuar shkaqet e e vërteta të saj, jo vetëm që nuk është zgjidhje, por eshtë një tradhti ndaj aspiratave të qytetarëve.

Është një tjetër thikë pas shpine ndaj besimit të tyre se Shqipëria mund të bëhet një vend ku dinjiteti dhe liria nuk janë privilegje, por janë të drejta te patjetërsueshme.

Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër rotacion të elitave. Shqipëria ka nevojë për një çlirim përfundimtar nga klika që i ka mbajtur peng për dekada.

Po ndodh...