Sali, rinia dhe shqiptarët të thonë largohu, Rama të do me çdo kusht aty ku të vuri!

2 November 2026, 15:13 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA
Sali, rinia dhe shqiptarët të thonë largohu, Rama të do me

Thirrjet e të rinjve, studentëve, intelektualëve dhe të gjithë atyre qytetarëve që kundërshtojnë Sali Berishën, sot u përpoq dëshpërimisht t’ua shiste si pasojë të tmerrit që ai i shkaktonte Edi Ramës. Mosha dhe sikleti me dosjet në SPAK bën të vetën dhe Berisha, tani sdi më as çfarë thotë.

Por faktet tregojnë të kundërtën.

Nëse Edi Rama do ta kishte kaq shumë frikë Sali Berishën, pse urdhëroi mbështetjen e foltoreve?!

Pse nuk i hoqi mandatin parlamentar?!

Pse i dha mbrojtje përballë vendimit të SHBA-së, për ta shpallur "non grata"?!

Dhe, mbi të gjitha, pse do të ndërhynte, përmes vendimeve gjyqësore, në betejën për vulën e Partisë Demokratike, duke i krijuar Berishës mundësinë të rikthehej në krye të saj?!

Nëse do të kishte vërtet frikë prej tij, Rama nuk do të kishte mbështetur një zgjidhje që e mbante Berishën në krye të opozitës, por do të kishte miratuar edhe një ndryshim ligjor që do të pengonte personat e shpallur "non grata", nga SHBA-ja të merrnin pjesë në Parlament, përmes ligjit të dekriminalizimit.

Prandaj, ashtu siç u bashkuan në vitin 2021 Rama, Berisha dhe Meta për të penguar rotacionin politik, po ashtu u bashkuan, për të mbajtur kontrollin e Partisë Demokratike. Një PD me Berishën në krye ishte garancia që Rama të vazhdonte të qeveriste i qetë. 

Kjo është arsyeja pse sot Berishën se takon askush prej zyrtarëve europianë, britanikë dhe amerikanë. Madje Departamenti i Drejtësisë i SHBA e nxorri qesharak, duke treguar zyrtarisht për mediet amerikane, se Berisha i kishte zënë rrugën në një holl hoteli për një foto të shpejtë, Prokurorit të Përgjithshëm. 

Pas vitit 2021, kur praktikisht e humbi pushtetin, Rama e kuptoi se i duhej një opozitë me Berishën në krye: Më e dobët, më e izoluar ndërkombëtarisht dhe më pak e aftë të krijonte një alternativë të besueshme qeverisëse. Për këtë i duhej Sali Berisha, të cilin e kishte peng të tij.

Që nga viti 2013, ndërsa demokratët dhe një pjesë e madhe e shqiptarëve përballeshin me varfërinë dhe vështirësitë ekonomike, pasuria e familjes Berisha shtohej përmes kullave, apartamenteve dhe bizneseve. Kjo ndodhte në një kohë kur Edi Rama ishte në pushtet dhe firmoste leje e vendime që favorizonin interesat e familjes Berisha.

Rama e dinte se një Berishë i pasur, i konsumuar politikisht dhe i izoluar ndërkombëtarisht, mund dhe do ishte pengu i tij më i vlefshëm. Një kundërshtar që mund ta përdorte sa herë i duhej. Dhe pikërisht këtë ka bërë.

Nuk është më sekret as në kancelaritë ndërkombëtare dhe as tek shqiptarët, koordinimi politik mes Ramës, Metës dhe Berishës në vitin 2021 për të mos lejuar rotacionin politik për shkak të mungesës së garancive që mund t’i jepnin njëri-tjetrit, në rast ndryshimi të pushtetit. Sepse, pavarësisht akuzave të ndërsjella gjatë viteve, kur kanë qenë në pushtet, nuk kanë ndërmarrë masa reale, që të çonin në një përgjegjësi të plotë politike dhe institucionale njëri-tjetrin.

Këtë status quo e tronditën SHBA-ja dhe Bashkimi Europian, ndërsa SPAK-u nisi të hetonte çështje që preknin figura të rëndësishme politike, duke dobësuar garancitë e pandëshkueshmërisë që politika shqiptare kishte ndërtuar ndër vite.

Por sa herë Rama ka nevojë, Berisha, si kundërshtari që i shërben më shumë mbijetesës së tij politike, i përgjigjet.

Çdo ditë përpiqet të bindë shqiptarët se nuk është populli ai që kundërshton Ramën, por vetëm disa anëtarë të Partisë Demokratike. Edhe sot doli të thoshte se studentët që protestuan ishin të PD-së dhe se protesta e pedagogëve ishte organizuar nga opozita. Për këtë të fundit, Berisha nxori edhe vajzën e tij në skenë, në një përpjekje për t’i dhënë pretendimit një mbështetje publike.

Berisha mori edhe autorësinë dhunës së ushtruar në protestë, dhe i dha Ramës një tjetër kartë në dorë. Dhuna dhe Berisha janë sinonim i njëra- tjetrës. Ai madje nuk kurseu as vetë PD nga dhuna. Përmes dhunës dhe kaosit, protesta masive e studentëve dhe qytetarëve u zhvendos nga thelbi i saj: Pakënaqësia ndaj qeverisjes, korrupsionit, varfërisë dhe mungesës së perspektivës.

Madje këto ditë shërbimin e ka çuar deri në deklarata absurde. Pasi tha se kryeministri i Shqipërisë nuk largohet me protesta po nuk deshi vetë, këtë të hënë pasi doli nga SPAK dhe tha se Vuçiç është më i mirë se Rama, pasi nuk instaloi narkoshtet si ky, edhe pse mundej.

E tha këtë ndërkohë që mediet serbe po sot, kishin nxjerrë investigime tronditëse të lidhjeve të ish-presidentit serb dhe djalit të tij me klane të mëdha të drogës në Serbi, rajon dhe Europë.

Sali Berisha për të justifikuar shkatërimin e PD dhe opozitës, për të mbuluar pengmarrjen dhe rolin e tij si patericë e Ramës, po arrin deri aty sa të nxjerrë edhe Aleksandër Vuçiç si "engjëll"!

Por mjaft është mjaft. Berisha nuk mund t’ua hedhë më shqiptarëve. Dhe këtë herë as Rama nuk mund ta shpëtojë dot.

"Rama në burg, Berisha në burg", nuk është thjesht një slogan proteste. Është shprehja e një kërkese për barazi para ligjit dhe fundin e pandëshkueshmërisë politike. Është kërkesa për llogaridhënie ndaj dy figurave që kanë dominuar politikën shqiptare për dekada, janë përballur me akuza të rënda politike dhe publike dhe që, për shumë qytetarë, përfaqësojnë një të shkuar nga e cila Shqipëria duhet të shkëputet. Janë ata që mbajnë peng sistemin apo siç thoshte një student protestues: Pjesë integrale e të njëjtit pushtet!

Kjo nuk vihet më në dyshim nga asnjë shqiptarë, sepse tashmë ka dalë nën dritë të diellit që interesi personal dhe mbijetesa politike për Ramën dhe Berishën,  janë mbi dhe kundër interesit të Shqipërisë. 

Se Rama dhe Berisha mund të konsiderohen nga shqiptarë më si e ardhmja e këtij vendi, do të ishte njësoj sikur të rikthehej Haxhi Qamili dhe Baba Dovleti nga skutat e errëta të historisë së Shqipërisë!./Alfapress.al

Po ndodh...