Oligarkia e opozitës, hegjemonia e pushtetit dhe pengmarrja e ndryshimit

1 November 2026, 13:39 / IDE NGA ADRI NURELLARI

Oligarkia e opozitës, hegjemonia e pushtetit dhe pengmarrja e ndryshimit
Kryeministri Rama mund të largohet nga pushteti vetëm nëse dëshiron vetë. Me këtë deklaratë të bërë dy ditë më parë në A2 duket se Zoti Sali Berisha ka ngritur flamurin e bardhë.

Pas mbi 13 vjetësh në opozitë, udhëheqësi që pretendon të udhëheqë ndryshimin u shpjegon shqiptarëve se ndryshimi varet nga vullneti i atij që duhet të ndryshohet.

Kjo nuk është thjesht një deklaratë pesimiste, por një predikim i pafuqisë që ushqen apatinë, shuan shpresën dhe zhvlerëson vetë kuptimin e opozitës. Në vend që t'u japë qytetarëve arsye për të besuar te ndryshimi, u shpjegon pse ndryshimi qenka i pamundur. Por ajo që e bën këtë deklaratë veçanërisht problematike është se nuk vjen nga propaganda qeveritare, por nga vetë drejtuesi i opozitës, institucionit politik që duhet të kundërshtojë përqendrimin e pushtetit dhe t'u japë qytetarëve besimin se ndryshimi është i mundur.

Ky është defetizëm i ngritur në doktrinë politike. Një dorëzim që paraqitet si realizëm, një kapitullim që shitet si analizë dhe një shfajësim paraprak për çdo dështim të ardhshëm apo paaftësi për të ofruar alternativë shpresëdhënëse.

Nëse pranohet se Rama nuk mund të mundet me votë, atëherë Berisha ka një justifikim të përhershëm për çdo humbje. Nuk ka më rëndësi sa e dobët është strategjia e opozitës, sa i konsumuar është lidershipi apo sa pak besim ngjall alternativa e saj. Faji i mbetet gjithmonë Ramës, ndërsa Berisha nuk ka pse të japë llogari dhe as të hapë rrugën për dikë tjetër.

Dhe ky kapitullim politik vjen pikërisht në momentin kur zhvillimet në Serbi po tronditin alibinë e shtetit të kapur. Një vend me tregues demokratikë më të dobët se Shqipëria, me një trashëgimi të rëndë të krimeve të luftës, me probleme të thella të krimit të organizuar, tregon se edhe një regjim autokrat mund të shembet me votë nëpërmjet një alternative të re.

Pikërisht kur përvoja serbe kërkon të diskutohet se si mund të kapërcehen pengesat e një regjimi hibrid, Berisha shpall se në Shqipëri ndryshimi varet nga dëshira e Ramës.

Më shumë se kaq, ndërsa deri dje Vuçiçi përdorej si “vëllai i Ramës” dhe si njësia matëse për të dëshmuar autokracinë e këtij të fundit, ndërsa sot përfaqësues të PD-së po përpiqen ta paraqesin regjimin e Vuçiçit si më demokratik se atë të Ramës, vetëm për të shmangur pyetjen se përse lidershipi i konsumuar i PD-së vazhdon të humbasë zgjedhjet pa mbajtur kurrë përgjegjësi.

Jo vetëm zhvillimet në Serbi, por edhe përvojat e Hungarisë së Orbanit dhe Malit të Zi të Gjukanoviçit dëshmojnë se edhe në shtete të kapura, pushteti mund të ndryshojë me votë, nëse pakënaqësia qytetare arrin të shndërrohet në një alternativë politike të besueshme.

Megjithatë, deklarata fataliste e liderit të opozitës duhet parë gjithashtu si simptomë e një problemi shumë më të gjerë, që lidhet me mënyrën se si konceptohet dhe ushtrohet pushteti në Shqipëri, jo vetëm në institucionet shtetërore e politike. Partitë opozitare, shoqatat profesionale, federatat sportive, sindikatat, institucionet akademike, organizatat e shoqërisë civile, megjithëse kanë misione të ndryshme, mund të zhvillojnë të njëjtat prirje për përjetësimin e elitave drejtuese.

Kudo ku një pakicë kontrollon për një kohë të gjatë vendimmarrjen, kufizon konkurrencën dhe e identifikon institucionin me veten, ekziston rreziku i oligarkizimit.

Më shumë se një shekull më parë Robert Michels, duke studiuar partitë socialiste europiane, formuloi atë që njihet si Ligji i Hekurt i Oligarkisë. Ai konstatoi se edhe organizatat e krijuara për të luftuar privilegjet, pabarazinë dhe përqendrimin e pushtetit, krijonin hierarki drejtuese që fitonin autonomi nga anëtarësia dhe kishin qëllim ruajtjen e pozitave të tyre.

Sipas Michels, drejtuesit e organizatave grumbullojnë përvojë, informacion, kontroll mbi aparatin organizativ dhe ndikim mbi shpërndarjen e burimeve, që u japin avantazhe dhe e bëjnë të vështirë konkurrencën e brendshme ndaj tyre.

Kjo është një nga kontradiktat më të mëdha të organizatave politike, sepse kemi parti që, ndërsa predikojnë demokracinë për shtetin, njëkohësisht zhvillojnë mekanizma oligarkikë brenda vetes.

Nëse udhëheqësi i një partie mbijeton politikisht pavarësisht humbjeve të përsëritura, nëse çdo sfidim dhe konkurrim ndaj tij shpallet i dyshimtë, atëherë qëllimi kryesor që i shërben organizata bëhet ruajtja e lidershipit brenda saj dhe jo fitorja ndaj kundërshtarëve politikë.

Kjo qasje i kthen institucionet në pronë personale. Ato humbasin aftësinë për të vetëkorrigjuar përmes ndryshimit të drejtimit me anë të konkurrencës së lirë dhe meritokratike.

Por sundimi oligarkik brenda organizatave nuk varet vetëm nga kontrolli i procedurave dhe burimeve nga udhëheqësi, por edhe nga mënyra si anëtarët e perceptojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin. Kur anëtarët dhe publiku fillojnë ta konsiderojnë zëvendësimin e tij si diçka të pamundur, të panevojshme ose të rrezikshme, pushteti i udhëheqësit bëhet i paprekshëm.

Kur partitë, organizatat, shoqëritë mësohen me drejtues të pazëvendësueshëm, autoriteti personal fillon të perceptohet si pjesë normale e funksionimit institucional.

Prandaj kur drejtuesi i opozitës shpall se kryeministri nuk mund të largohet pa dëshirën e tij, ai rrezikon t'i japë legjitimitet idesë se pushteti është një pozitë personale dhe jo një mandat që qytetarët mund ta revokojnë përmes votës.

Kjo retorikë mund të ketë pasoja më të mëdha sesa një humbje elektorale e radhës, pasi minon besimin te vetë instrumentet e demokracisë.

Nëse zgjedhjet nuk mund të sjellin ndryshim, vota zhvlerësohet; nëse protestat nuk mund të ndikojnë pushtetin, mobilizimi qytetar humbet kuptimin; dhe nëse gjithçka varet nga vullneti i kryeministrit, pjesëmarrja politike zëvendësohet nga pritja pasive.

Rrjedhimisht, disfatizmi i opozitës mund të kthehet në një profeci vetëpërmbushëse. Sa më shumë qytetarë binden se ndryshimi është i pamundur, aq më pak arsye shohin për t'u angazhuar, duke dobësuar pikërisht presionin demokratik që mund ta bëjë ndryshimin të mundur.

Kjo situatë krijon një paradoks të politikës shqiptare. Ramës mund t'i interesojë që Berisha të mbetet kundërshtari i tij, sepse mund të mobilizojë kundër tij votues që nuk duan rikthimin e së shkuarës.

Ndërsa Berishës mund t'i interesojë që Rama të vazhdojë të paraqitet si i pamposhtshëm, sepse kështu justifikon humbjet e veta dhe shmang përgjegjësinë për ndryshimin e lidershipit të opozitës.

Nuk nevojitet ndonjë marrëveshje e fshehtë mes tyre për të kuptuar se si një rivalitet i përhershëm mund të krijojë interesa të përbashkëta simbiotike në ruajtjen e të njëjtit konfigurim politik.

Përqendrimi i pushtetit, abuzimi me institucionet dhe pabarazia në konkurrencën elektorale janë probleme që duhen denoncuar dhe luftuar. Por ato nuk e çlirojnë opozitën nga përgjegjësia për strategjinë, programin, organizimin dhe lidershipin e saj.

Nëse një parti nuk arrin të fitojë besimin e shumicës, ajo duhet të shqyrtojë edhe arsyet e veta të dështimit, në vend që ta paraqesë çdo humbje si rezultat të pashmangshëm të fuqisë së kundërshtarit.

Për këtë arsye, debati mbi ndryshimin politik në Shqipëri nuk mund të kufizohet te pyetja se si largohet Rama.

Ai duhet të përfshijë edhe mënyrën se si partitë dhe institucionet që pretendojnë të sjellin ndryshimin i nënshtrohen vetë konkurrencës, meritokracisë dhe llogaridhënies.

Në fund të fundit, problemi nuk është vetëm se kush e mban pushtetin, por edhe se kush e kontrollon mundësinë për ta ndryshuar atë.

Nëse opozita e shpall të pamundur largimin e kryeministrit me votë, ndërsa humbjet e njëpasnjëshme nuk prodhojnë përgjegjësi për drejtimin e vetë opozitës, atëherë kush e mbron demokracinë nga përjetësimi i elitave në të dyja anët e politikës?

Sepse pa mundësinë për të ndryshuar edhe qeverinë, edhe drejtuesit e opozitës, qytetarëve u mbetet vetëm e drejta për të zgjedhur se cilës oligarki duhet t'i nënshtrohen ose të zgjedhin kur e ku duhet të emigrojnë.

 

Shpërndaje te miqtë

Po ndodh...