Dy botë në një shesh: Studentët dhe “Flamingot” refuzojnë deputetët e Berishës

1 November 2026, 11:55 / POLITIKË ALFA PRESS
Dy botë në një shesh: Studentët dhe “Flamingot”

Protesta e së shtunës në Tiranë nisi ndryshe nga tubimet që kanë mbushur rrugët e kryeqytetit që prej fundit të majit. Në mesditë, dy grupe protestuesish u mblodhën në vende të ndryshme, me të njëjtin kundërshtar politik, por me qëndrime të papajtueshme për rolin e opozitës në protestë.

Përpara Kryeministrisë u mblodhën disa qindra mbështetës të thirrur nga Partia Demokratike. Megjithëse nuk kishte një tribunë, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, foli për mediat, duke këmbëngulur se partia e tij mbështeste protestën e studentëve dhe se kundërshtimi ndaj pranisë së demokratëve vinte nga drejtuesi i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorri.

“Koha tregoi se disa nga emrat u blenë si derrat dhe e katandisën protestën e flamingove në shërbim të Edi Ramës”, deklaroi Noka, ndërsa akuzoi Qorrin se i kishte dhënë kryeministrit mundësinë ta lidhte protestën me lëvizjen “Antifa”.

Pas deklaratës, Noka dhe deputetë të tjerë të PD-së udhëhoqën mbështetësit e tyre drejt Rrugës së Durrësit, ku ndërkohë ishin mbledhur qindra studentë, të rinj dhe aktivistë, shumë prej të cilëve pjesëmarrës prej muajsh në protestat e pagëzuara si “Revolucioni i Flamingove”.

Lëvizja kishte nisur në fund të majit si një reagim mjedisor për mbrojtjen e lagunës së Nartës dhe zonës së Zvërnecit nga projektet e investimeve strategjike, për t’u shndërruar gradualisht në një protestë të vazhdueshme kundër qeverisë dhe elitës politike.

Por mbërritja e demokratëve në Rrugën e Durrësit nxori në pah një ndarje që nuk ishte vetëm politike, por edhe brezash.

Në njërën anë qëndronin mbështetësit e PD-së, kryesisht burra në moshë, ndërsa përballë tyre një turmë më e re, me studentë dhe aktivistë, mes të cilëve binte në sy pjesëmarrja e vajzave të reja.

Këta të fundit kishin zgjedhur ta ndërthurnin protestën me simbolikën e Halloween-it. Mes pankartave dhe posterave të krijuar me inteligjencë artificiale, kryeministri Edi Rama, kreu i opozitës Sali Berisha dhe politikanë të tjerë paraqiteshin si vampirë, me dhëmbë të përgjakur dhe tufa parash në duar.

Disa protestues kishin vendosur maska me fytyrat e Ramës dhe ministrave të tij, duke imituar në mënyrë satirike thirrjet e qeverisë për dialog.

Por atmosfera festive u ndërpre kur marshimi i demokratëve iu afrua turmës.

“Rama n’burg, Berisha n’burg”, shpërthyen thirrjet nga grupi i studentëve dhe aktivistëve, duke e bërë të qartë se kundërshtimi ndaj qeverisë nuk nënkuptonte mbështetje për opozitën tradicionale.

Ndryshe nga pretendimet e drejtuesve të PD-së, koret kundër Berishës nuk vinin vetëm nga një grup i vogël aktivistësh të Lëvizjes Bashkë, por nga një pjesë e konsiderueshme e protestuesve. Mes atyre që u dolën përpara deputetëve kishte edhe të rinj që nuk shfaqnin ndonjë lidhje të dukshme partiake.

Përballja e ndau protestën në dy kampe.

Një grup i vogël mbështetësish të PD-së arriti të përzihej me protestuesit e tjerë, ndërsa pjesa më e madhe mbeti përballë studentëve dhe aktivistëve që kërkonin largimin e deputetëve.

Në njërën anë u dëgjuan thirrjet “Opozitë e shitur” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”. Në tjetrën, mbështetësit e PD-së iu përgjigjën me “Poshtë komunizmi”, “Poshtë sorosistët” dhe kore fyese ndaj Arlind Qorrit.

Mes studentëve, ambientalistëve, aktivistëve të Lëvizjes Bashkë, përfaqësuesve të partisë Mundësia dhe grupeve nacionaliste, kundërshtimi ndaj pranisë zyrtare të PD-së u shpreh në mënyra të ndryshme, por me një mesazh të përbashkët: protesta nuk duhej të drejtohej nga deputetët e Berishës.

“Demokratët si qytetarë mund të protestojnë si përherë”, tha një prej të rinjve, duke bërë dallimin mes pjesëmarrjes individuale të mbështetësve të opozitës dhe përpjekjes së drejtuesve të saj për të marrë rol udhëheqës.

Ai e konsideronte Berishën dhe deputetët e tij pjesë të problemeve kundër të cilave ishte ngritur protesta.

Të tjerë ishin më të ashpër. Në debatet ballë për ballë me mbështetësit e PD-së, protestuesit sollën në vëmendje skandalet e qeverisë së mëparshme të Berishës dhe akuzuan dy partitë kryesore për përgjegjësi të përbashkët mbi gjendjen e vendit.

“Me Sorosin është ulur Berisha”, i bërtiti një protestues grupit të demokratëve që thërriste “Poshtë sorosianët”.

Për gati një orë, përplasja vijoi mes koreve, debateve dhe dhjetëra kamerave televizive. Pavarësisht tensionit dhe disa shtyrjeve, ajo nuk u shndërrua në përleshje fizike. Një pjesë e protestuesve ndërhynë vazhdimisht për të ulur tonet, duke u kujtuar të dyja palëve se kundërshtimi ndaj qeverisë ishte një kauzë e përbashkët.

Megjithatë, asnjëra palë nuk u tërhoq nga qëndrimi i saj.

Disa metra më tutje, deputetët e partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, e interpretuan lëvizjen e PD-së si një përpjekje për t’u imponuar në protestë.

“Mesazhi i protestuesve është i qartë: nuk i duan partitë e vjetra”, tha Shehaj.

Ndërsa Arlind Qorri, i cili ndodhej disa dhjetëra metra më tej, tha se nuk shqetësohej nga akuzat e Nokës dhe përpjekja e PD-së për t’u bërë pjesë e protestës.

“Gënjeshtrat e Flamur Nokës nuk na shqetësojnë”, deklaroi ai.

Për Lëvizjen Bashkë, prania e aktivistëve të saj që nga protesta e parë në Zvërnec ishte dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm, në një kohë kur PD-ja jo vetëm nuk e mbështeste lëvizjen, por kishte qenë fillimisht kundërshtare e saj.

Në fund të majit, eksponentë të afërt me PD-në i akuzuan protestuesit se po përdoreshin nga Rama për t’i bërë presion Jared Kushnerit, investitori amerikan i lidhur me projektin e kontestuar në zonën e Zvërnecit.

Vetë Noka publikoi në atë periudhë profile të disa protestuesve në Facebook, duke kërkuar përjashtimin e tyre nga lëvizja.

Por ndërsa protestat u zgjeruan dhe tërhoqën dhjetëra mijëra pjesëmarrës, qëndrimi i demokratëve ndryshoi. Përfaqësues më të moderuar të PD-së nisën të merrnin pjesë rregullisht në tubime, pavarësisht se një prej thirrjeve më të përsëritura ishte ajo që kërkonte burgosjen si të Ramës, ashtu edhe të Berishës.

Për muaj me radhë, PD-ja u përpoq të minimizonte faktin se në protestat kundër qeverisë, lideri i saj vendosej në të njëjtën kategori me kryeministrin.

Thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’burg” shpesh u kundërpërgjigjeshin me variante si “Rama n’burg, Belinda n’burg” apo me kore antikomuniste, duke krijuar një përplasje të vazhdueshme për mesazhin politik të protestës.

Një skenë e ngjashme u përsërit edhe të shtunën, kur aktivistët demokratë tentuan t’i mbulonin thirrjet kundër Berishës me kore të tjera.

Përplasja nuk u përshkallëzua, por as nuk prodhoi pajtim.

Ndërkohë, vëmendja e protestës u zhvendos pak më tutje, ku një grup prej rreth 20 deri në 30 të rinjsh nisi të përplasej me policinë.

Fillimisht, drejt forcave të rendit u hodhën gurë dhe pllaka trotuari. Disa persona që qëndronin mënjanë furnizonin grupin me pllaka të pathyera, ndërsa u kërkonin të pranishmëve të mos i filmonin. Më pas, në shesh u shfaqën edhe shishe me lëndë djegëse, të sjella në çanta, të cilat u hodhën drejt policisë.

Ndryshe nga protestat e mëparshme, kur ndërhyrjet policore ishin shoqëruar me përdorim të gjerë të forcës edhe ndaj protestuesve që nuk merrnin pjesë në përplasje, këtë herë policia fillimisht tregoi përmbajtje.

Efektivët përdorën megafonët për t’u bërë thirrje protestuesve të ndalonin hedhjen e sendeve të forta dhe aktet e dhunës, një mënyrë komunikimi që nuk ishte vënë re në përplasjet e mëparshme.

Vetëm pas hedhjes së molotovëve, policia përdori një nga automjetet me ujë me presion për të shpërndarë grupin.

Thuajse në të njëjtën kohë, mbi Tiranë shpërtheu një shi i rrëmbyeshëm, i cili ndryshoi dinamikën e protestës.

Mbështetësit e PD-së nisën të largoheshin, ndërsa disa qindra studentë dhe aktivistë vijuan marshimin drejt Kryeministrisë, një pjesë nën çadra dhe të tjerët të lagur nga shiu.

Për orë të tëra, protesta para godinës së qeverisë ishte paqësore.

Megjithatë, numri më i vogël i pjesëmarrësve, krahasuar me tubimet e mëparshme, u prit me zhgënjim nga një pjesë e protestuesve.

“Në fillim Berisha, pastaj shiu, e ndihmuan Ramën”, tha analisti Agim Baçi, i pranishëm në protestën përpara Kryeministrisë.

Baçi iu referua deklaratave të fundit të liderit demokrat dhe qëndrimit të Nokës përpara protestës, duke e interpretuar ndërhyrjen e PD-së si një përpjekje për të marrë kontrollin e një lëvizjeje që nuk e kishte nisur.

Sipas tij, sjellja e demokratëve pasqyronte një logjikë politike sipas së cilës, nëse protesta nuk mund të zhvillohej nën drejtimin e tyre, ishte më mirë që ajo të mos kishte sukses.

Pavarësisht tensioneve të mesditës dhe largimit të një pjese të turmës, protestuesit që mbetën përpara Kryeministrisë vijuan tubimin paqësisht edhe për rreth dy orë.

Por mbrëmja solli një tjetër përballje.

Policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit, duke përdorur forcën dhe gazin lotsjellës. Efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe automjete policore ndoqën grupet e protestuesve në rrugët dhe rrugicat përreth qendrës së Tiranës.

Po ndodh...