PD është gati të rehabilitojë edhe Vuçiç-in, vetëm që të mos pranojë largimin e Berishës!
Nga Adri Nurellari
Nga “Rama, vëllai i Vuçiçit” kaluan te “Vuçiçi ka qenë shumë më demokrat” dhe prandaj rrëzimi i tij me votë paska qenë i mundshëm.
Dje Vuçiçi ishte prova e autokracisë së Ramës ndërsa sot Vuçiçi i rrëzuar u bë prova e demokracisë serbe. Nesër, po t’iu duhet, do ta shpallin edhe themelues të pluralizmit. PD-ja është gati të rehabilitojë edhe Vuçiçin, vetëm që të mos pranojë nevojën për të ndryshuar Berishën.
Por renditjet më të fundit ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria vlerësohet përpara Serbisë në treguesit kryesorë të demokracisë liberale, shtetit të së drejtës, lirive politike e civile, lirisë së medias dhe perceptimit të korrupsionit. Ato nuk e mohojnë kapjen e shtetit në Shqipëri, por tregojnë që Serbia është mē keq.
Po të pranojë që edhe një autokrat në një shtet më të kapur se Shqipëria mund të mposhtet me votë, PD-së i bie alibia e preferuar për dështimet e veta elektorale, për paaftësinë për të ndërtuar një alternativë shpresëdhënëse, për mungesën e epërsisë morale ndaj pushtetit dhe, mbi të gjitha, për mungesën e vullnetit për t’i hapur rrugë një lidershipi të ri.
Kjo e bën edhe më flagrante përgjegjësinë e PD-së. Nëse Serbia arriti të ndërtojë një alternativë fituese, pse nuk e arrin PD-ja? Përgjigjja është se PD-ja kërkon ndryshimin e pushtetit pa pranuar ndryshimin e vetvetes. Denoncon monopolin e Ramës mbi shtetin, ndërsa mbron monopolin e Berishës mbi opozitën. Kërkon rotacion në qeveri, por e trajton rotacionin në krye të partisë si tradhti. Pretendon se përfaqëson të ardhmen, ndërkohë që u ofron shqiptarëve rikthimin e një lidershipi prej tri dekadash, me dy mandate të mëparshme në pushtet.
Në vend që të ndërtojë një ofertë të re politike, të tërheqë të pakënaqurit dhe të krijojë një shumicë për ndryshim, harxhon energji për të ruajtur kontrollin mbi opozitën dhe për të delegjitimuar çdo alternativë që mund t’ia konkurrojë udhëheqjen e cënojë monopolin e opozitës.
Për të ruajtur karrigen e një njeriu, mbahet peng alternativa e një vendi të tërë. Sot PD-ja e përdor kapjen e shtetit për të justifikuar kapjen e opozitës, ndërkohë që kapja e opozitës është kthyer në një nga garancitë më të forta të vazhdimit të kapjes së shtetit.
Kështu, Rama dhe Berisha mund të vazhdojnë të paraqiten si armiq të papajtueshëm, ndërsa politikisht mbeten të domosdoshëm për mbijetesën e njëri-tjetrit.
Po ndodh...
Studentët dhe shqiptarët nuk të duan ty Sali, jo PD-në!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
