Pas refuzimit të dorëheqjes së Sveçlës e Gërvallës, aktivistet paralajmërojnë vazhdimin e protestave

30 October 2026, 14:31 / KOSOVA ALFA PRESS

Pas refuzimit të dorëheqjes së Sveçlës e

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka thënë se nga dokumentacioni që u shqyrtua krijohet bindja se vrasja e Arlinda Zekajt “me shumë gjasë mund të ishte parandaluar”. Për analistë të sistemit të drejtësisë dhe aktiviste për të drejtat e grave, këmbëngulja e ministres Gërvalla, dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për të mos dhënë dorëheqje, tregon se ata duan t’i ikin përgjegjësive institucionale dhe politike.

Ministritë e tyre, të cilat janë përgjegjëse për politikat e drejtësisë dhe sigurisë së brendshme në vend, përpiluan raporte me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, dhe gjetën një varg dështimesh zinxhirore në rastin e dhunës në familje të raportuar vazhdimisht nga 49-vjeçarja nga Peja. Dështimet zinxhirore çuan në një varg pezullimesh, nga prokurorë te zyrtarë policorë por u ndalën në nivel rajonal, si dhe shtuan thirrjet për protesta që nisën dy ditë më parë.

Ministrat refuzojnë dorëheqjen, aktivistet këmbëngulin në largimin e tyre

Të dy paraqitën një kronologji të ngjarjes bazuar në raportet e tyre, të cilat konfirmuan dështimin e zinxhirit institucional për ta mbrojtur Zekajn. Por, i hodhën poshtë kërkesat e protestuesve për dorëheqje, duke thënë se “nuk është çasti” dhe se largimi i tyre “nuk ndihmon” në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

Gërvalla tha se sikur ta mendonte se dorëheqja do të ishte mekanizmi “për të cilin do të kontribuonim për një identifikim më të saktë më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do kisha dhënë dorëheqje”.

“Unë mendoj që pikërisht e kundërta është. Unë ju siguroj që viktimat e dhunës në familje aleatin më të fuqishëm sot e kanë te koordinatorja kombëtare”, tha ajo, duke iu referuar postit të saj si koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore.

Sveçla, ndërkohë, tha se “nuk mendoj që dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, në mbrojtjen e të drejtave të saj sepse ne jemi të angazhuar 100% në përmbushjen e detyrave tona në këtë pikë”.

“Të ju them të drejtën, unë jam bashkë me protestuesit në këtë pikë, e kuptoj indinjatën dhe mllefin e protestuesve”,Sveçla.

Megjithatë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IDK) thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se konferenca e tyre ishte dashur të fillonte “me një kërkim falje” dhe të mbaronte “me dorëheqjen e tyre” për vdekjen e Arlinda Zekaj “në dorë të shtetit”.

“Shteti, në vend që t’i ofrojë mbrojtje dhe siguri, e bëri të kundërtën, e tradhtoi dhe e vrau me mosveprim. Konferenca do të duhej të mbyllej me dorëheqjen e tyre në emër të përgjegjësisë institucionale, morale dhe etike”,thotë Miftaraj për REL.

Neri Ferizi, udhëheqëse e organizatës “Fourth Wave”, e cila merret me avancimin e drejtësisë shoqërore përmes ideologjisë feministë, thotë për REL-in se refuzimi i dorëheqjes nga ana e ministrave “nuk është për ne”. Ajo paralajmëroi se kërkesat për largimin e tyre do të vazhdojnë me protesta edhe në qytete të tjera. Në dy ditët e kaluara u zhvilluan protesta në Prishtinë, ndërsa pati edhe një protestë para ndërtesës së Qeverisë sot derisa ministrat po flisnin në konferencë për shtyp.

“Ne do të vazhdojmë të protestojmë deri në dorëheqjen e tyre. Kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe morale. Nuk mund të ushtrosh pushtet, të kesh kompetenca dhe përgjegjësi për funksionimin e institucioneve, e pastaj, përballë dështimit të tyre, të refuzosh të mbash përgjegjësi. Dorëheqja është minimumi i përgjegjësisë politike që duhet të marrin”, thekson Ferizi.

Dështimet zinxhirore

Gërvalla i radhiti lëshimet zinxhirore që kishin ndodhur nga 10 korriku deri më 25 tetor, natën kur u vra Arlinda Zekaj. Zekaj, 49 vjeçe, dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj, derisa bashkëshorti i saj ishte ndaluar nga policia në mbajtje për 48 orë për kanosjen e saj.

Gërvalla tha se raporti është pjesërisht i plotë pasi Zyra e Koordinatores nuk ka marrë ende përgjigje të hollësishme nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Megjithatë, dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze: vonesa dhe mosveprime institucionale, tha ajo.

“Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj”, tha Gërvalla

Arlinda Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë duke raportuar dhunë në familje, përfshirë edhe disa orë para se të vritej.  Ndër kërkesat kryesore të protestuesve ishin përgjegjësia institucionale, përfshirë dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në rastin e vrasjes së Zekajt qartazi shihet se kishte një zinxhir lëshimesh nga institucionet përgjegjëse. Ai u ka dhënë atyre afat deri të enjten në orën 18:00 t’i paraqesin raportet e tyre të hollësishme mbi dëshmitë dhe lëshimet në secilin zinxhir të institucioneve.

Tetë gra janë vrarë deri tanië këtë vit në Kosovë. Për vrasjen e tyre të dyshuar janë bashkëshortët apo anëtarë të tjerë të familjes. Sveçla nënvizoi se gjetjet e raportit tregojnë shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë. Ndër shkeljet e identifikuara përfshihen mosekzekutimin e urdhrit të parë për mbrojtjen, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, mospërfillja e kërkesës për vlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për mbrojtjen e Arlindës.

Dështimet nxitën pezullimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokurores së rastit të Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferi. Gjithashtu u pezulluan dhe 11 zyrtarë policorë lidhur me mënyrën se si ishin marrë me rastin e Zekajt. Por për aktivisten Ferizi përgjegjësia nuk mund të ndalet aty ku fillon pushteti politik. Sipas saj, nuk mund të shkëputet zinxhiri i përgjegjësisë dhe të lihet një sistem i tërë pa llogaridhënie.

“Nuk do të lejojmë që rasti i Arlindës të shndërrohet në një tjetër rast që prodhon konferenca për media, deklarata keqardhjeje dhe asnjë përgjegjësi konkrete. Ne nuk kërkojmë vetëm që institucionet të na dëgjojnë. Kërkojmë që ato të mbajnë përgjegjësi. Arlinda nuk mund të kthehet, por drejtësia dhe përgjegjësia nuk mund të presin”, thekson Ferizi.

Ajo nënvizon se gratë me të cilat organizata që drejton ajo mban kontakt, janë “të frikësuara, sepse nuk po ndihen të mbrojtura as kur kërkojnë ndihmë në një sistem të dështuar institucional”.

“Rasti i Arlindës i ka tronditur thellë. Është krejt e kuptueshme që ato po stepen, po hezitojnë të kërkojnë ndihmë dhe po humbin shpresën se mund të gjejnë drejtësi në këtë sistem”, përfundon ajo.

Miftaraj, ndërkaq, rikujton se IKD-ja ka kërkuar vazhdimisht vetting në sistemin e drejtësisë, një proces që e kishte premtuar edhe vetë Qeveria. Vettingu, një proces i posaçëm i verifikimit dhe rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka për qëllim që të sigurohet se personat që ushtrojnë funksione në sistemin e drejtësisë janë profesionalisht të aftë, të pavarur, të paanshëm dhe me integritet të lartë.

“Ky proces për katër vjet ka mbetur ne Kuvend. Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë kanë përgjegjësi për vonesat e përfundimit të këtij procesi, mungesa e të cilit po sjell edhe raste si vrasja e Arlinda Zekajt”, thotë Miftaraj.

Ai shton se dështimi i vettingut mundëson që sistemi gjyqësor dhe prokurorial të mbajë persona jokompetentë që nuk i përmbushin obligimet e tyre ligjore edhe në mbrojtjen e grave. Protestat tashmë janë zgjeruar edhe në Pejë dhe në Mitrovicë./REL

Po ndodh...