“Rama ka urdhëruar mercenarë të paguar”, Berisha thirrje demokratëve t’i bashkohen protestës kombëtare

30 October 2026, 13:08 / POLITIKË ALFA PRESS

“Rama ka urdhëruar mercenarë të paguar”, Berisha

Sali Berisha u ka bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së në të gjithë vendin që t’i bashkohen protestës kombëtare të thirrur për nesër, në orën 12:00, në mbështetje të revoltës studentore.

Në një deklaratë për mediat, Berisha vlerësoi qëndrimin e studentëve gjatë protestave të ditëve të fundit, duke e cilësuar revoltën e tyre si një dëshmi të guximit qytetar. Ai tha se protestat kanë fituar edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Kreu i demokratëve ngriti akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se gjatë protestave të fundit janë përdorur persona të paguar për të qëlluar me armë ndaj protestuesve, në zona ku një veprim i tillë ndalohet nga ligji shqiptar dhe ai ndërkombëtar.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, nesër në ora 12:00, PD fton të gjithë anëtarët, anëtaret, mbështetësit e saj nga mbarë vendi në protestë kombëtare të fuqishme në mbështetje të revoltës studentore. Studentët në revoltën e tyre shumëditore kanë dëshmuar guximin e paparë ndonjëherë të qytetarëve në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Studentët në revoltën e tyre kanë gjunjëzuar narkoshtetin jo një po disa herë. Me trimërinë e tyre, vajzat dhe djemtë e gjimnazeve dhe të universiteteve kanë fituar një simpati botërore. Studentët kanë bërë krenarë sot me trimërinë, guximin e tyre çdo shqiptar. Protesta të shumta ka kudo, por mediat ndërkombëtare më të mëdha, rrjetet më të fuqishme sociale, janë të mbushura me skenat e heroizmit studentor dhe barbarisë qeveritare në rrugët e Tiranës. Ata kanë lartësuar emrin dhe dinjitetin e shqiptarëve”, tha Berisha.

“Edvin Kristaq Xhelati, i kthyer në genet e etërve të tij, tregoi fytyrën e vërtetë në këtë protestë duke urdhëruar mercenarë të paguar, vrasës me pagesë të qëllojnë me armë absolutisht në zona të ndaluar me ligj shqiptar dhe ndërkombëtar. Urdhëroi barbarët të shkelmojnë trupat gjysëm me ndjenja dhe gjysëm pa ndjenja të protestuesve të rënë nga goditjet e tyre t’u thyejnë kockat. I përplasi ata në salla të mëdha torture. Askush në Evropë dhe në botë nuk i besoi akuzat e tij për ANTIFA”, shtoi ai.

Po ndodh...