Gjigandi i kriptomonedhave Binance goditet nga një sulm kibernetik, preken 6.3 miliardë dollarë asete dixhitale

30 October 2026, 09:57 / BOTA ALFA PRESS

Gjigandi i kriptomonedhave Binance goditet nga një sulm kibernetik, preken

Gjiganti i kriptomonedhave Binance ka njoftuar se rreth 6.3 miliardë dollarë në asete dixhitale janë prekur nga një sulm kibernetik, i cili mund të konsiderohet si një nga hakerimet më të mëdha në historinë e industrisë së kriptomonedhave.

Kompania më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave bëri të ditur se rreth gjysma e aseteve të prekura janë ngrirë, ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë nën kontrollin e hakerëve. Binance ka deklaruar se do të mbulojë të gjitha humbjet e shkaktuara nga incidenti.

Sipas verifikimeve paraprake të kompanisë, sulmi mund të ketë nisur nga komprometimi i laptopit të një inxhinieri, përmes të cilit një person i paautorizuar ka arritur të kryejë tërheqje të paligjshme të fondeve.

Dy kompani të specializuara në analizën e transaksioneve të kriptomonedhave kanë ngritur dyshime se pas sulmit qëndron grupi koreano-verior i hakerëve i njohur si “TraderTraitor”.

Kompania TRM Labs, e specializuar në hetimet e mbështetura nga inteligjenca artificiale, ka evidentuar ngjashmëri mes sulmit ndaj Binance dhe incidenteve të mëparshme që u janë atribuar grupeve të lidhura me Korenë e Veriut, përfshirë edhe hakerimin e platformës Bybit.

Kreu global i politikave në TRM Labs, Ari Redbord, e ka cilësuar sulmin si një moment vendimtar për industrinë, duke theksuar se përmasat e tij janë të paprecedenta.

Sipas tij, një shumë e konsiderueshme e aseteve të vjedhura vijon të jetë në duart e sulmuesve, çka do ta bëjë të vështirë gjurmimin dhe rikuperimin e plotë të fondeve.

Edhe kompania tjetër analitike, Chainalysis, deklaroi se ka një nivel të lartë besueshmërie se grupi koreano-verior është i lidhur me këtë sulm.

Po ndodh...