Gen Z po has vështirësi me networking-un, nuk dinë si të krijojnë lidhje profesionale

30 September 2026, 22:56 / TRENDING ALFA PRESS
Gen Z po has vështirësi me networking-un, nuk dinë si të

Të gjesh një vend pune në fillim të karrierës është bërë më e vështirë në një treg ku punësimet po ecin ngadalë. Për të rinjtë e Gen Z, sfidës së konkurrencës për një vend pune i shtohet edhe një tjetër: krijimi i lidhjeve profesionale që mund t’i ndihmojnë të hyjnë në tregun e punës.

Të dhënat e reja të LinkedIn, të bazuara në një anketë me mbi 18 mijë profesionistë, tregojnë se Gen Z e kupton rëndësinë e networking-ut, por nuk di gjithmonë si ta kthejë atë në marrëdhënie reale profesionale.

Rreth 53% e profesionistëve të Gen Z thonë se nuk janë të sigurt se si të nisin ndërtimin e një marrëdhënieje profesionale, ndërsa 52% kanë vështirësi për t’i kthyer kontaktet e tyre në lidhje të mirëfillta.

Problemi, sipas Kory Kantenga, drejtues i ekonomisë për Amerikën në LinkedIn, është diferenca mes shtimit të dikujt si kontakt dhe krijimit real të një marrëdhënieje profesionale. Networking-u, argumenton ai, nuk duhet parë si një veprim që bëhet vetëm kur kërkon punën e parë pas universitetit. Është një aftësi që ndërtohet dhe përdoret gjatë gjithë karrierës.

Rëndësia e lidhjeve bëhet më e dukshme edhe në procesin e rekrutimit. Sipas të dhënave të LinkedIn të cituara nga Forbes, aplikantët për punë në SHBA që kanë një lidhje të brendshme në kompaninë ku aplikojnë kanë shtatë herë më shumë gjasa të punësohen.

Katër këshilla për ta kthyer networking-un në mundësi pune

Mos u mjafto me butonin “Connect”

Dërgimi i një kërkese për lidhje apo i një mesazhi të ftohtë nuk është domosdoshmërisht mënyra më efikase për të ndërtuar një marrëdhënie. Një alternativë është angazhimi gradual me njerëzit që dëshiron të kesh në rrjetin tënd: komentimi i postimeve të tyre, pjesëmarrja në diskutime dhe përfshirja në komunitete profesionale online. Ideja është që personi tjetër të mos shohë vetëm një emër në listën e kontakteve, por të kuptojë edhe çfarë perspektive apo vlere mund të sjellësh në një diskutim profesional.

Mos kërko lidhje vetëm me drejtuesit

Një nga gabimet e të rinjve është përpjekja për të krijuar kontakte kryesisht me drejtues, menaxherë apo njerëz në pozicione të larta. Sipas Kantenga, po aq e rëndësishme është krijimi i marrëdhënieve me bashkëmoshatarët, studentët që sapo janë diplomuar apo profesionistët që janë vetëm disa vite përpara në karrierë. Ata mund të jenë më të gatshëm të ndajnë eksperiencën e tyre, të shpjegojnë se si e siguruan punën e parë ose të krijojnë një urë drejt profesionistëve të tjerë brenda kompanisë. Një kontakt që sot duket shumë “junior” mund të jetë pas disa vitesh drejtues, koleg, klient apo personi që të hap një mundësi të re profesionale.

Trego çfarë mund të ofrosh

Mungesa e vetëbesimit është një tjetër pengesë. Rreth 37% e Gen Z thonë se shqetësohen se mos bezdisin të tjerët ose gjykohen kur përpiqen të krijojnë lidhje profesionale. Këshilla është që networking-u të mos nisë gjithmonë me pyetjen “Çfarë mund të marrë prej këtij personi?”, por edhe me “Çfarë mund të sjell unë?”.

Në fillim të karrierës mund të mos kesh një vend pune për t’i ofruar dikujt apo mundësi biznesi, por mund të ofrosh informacion dhe njohuri. Mund të jetë një këndvështrim mbi teknologjitë e reja, një trend që njeh mirë, eksperienca nga një projekt apo një ide që lidhet me punën e personit me të cilin dëshiron të krijosh kontakt.

Marrëdhëniet profesionale nuk krijohen brenda natës

Networking-u nuk duhet aktivizuar vetëm kur humbet punën ose kur nis kërkimin për një pozicion të ri. Marrëdhëniet profesionale kërkojnë kohë dhe investim të vazhdueshëm.

Ato funksionojnë në të dy drejtimet dhe nuk duhet të ndërtohen vetëm mbi pritshmërinë se personi tjetër do të të ofrojë diçka. Kjo nënkupton të mbash kontakte, të angazhohesh, të ndash informacion dhe të jesh aktiv në rrjetin profesional edhe kur nuk ke nevojë të menjëhershme për një punë.

Në një treg pune ku konkurrenca për pozicionet entry-level është e fortë, aftësia për të krijuar marrëdhënie profesionale po bëhet pothuajse po aq e rëndësishme sa CV-ja. Dhe për Gen Z, sfida duket se nuk është të krijojë kontakte online, por t’i shndërrojë ato në marrëdhënie që kanë vlerë reale profesionale./ Monitor

Po ndodh...

ide