Agjentët rusë planifikuan vrasjen e Garry Kasparov në SHBA

30 September 2026, 22:32 / BOTA ALFA PRESS
Agjentët rusë planifikuan vrasjen e Garry Kasparov në SHBA

Një rrjet i lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës dyshohet se kishte hartuar plane për vrasjen e disa prej figurave më të njohura të opozitës ruse në mërgim.

Zbulimi është raportuar nga gazeta spanjolle “El Mundo”, e cila shkruan se në shënjestër të rrjetit RIS kishin qenë ish-kampioni i botës në shah Garry Kasparov, ish-deputeti i Dumës Shtetërore Ilya Ponomaryov dhe disidenti rus Vladimir Kara-Murza.

Rasti doli në dritë pas një operacioni të FBI-së dhe agjencive të tjera amerikane të ligjzbatimit. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, rrjeti kishte rekrutuar persona kundrejt pagesës për të gjurmuar dhe më pas eliminuar dy disidentë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa një tjetër objektiv ndodhej në Lituani.

Në dosjen e autoriteteve amerikane përmendet ish-koloneli 63-vjeçar i FSB-së, Yuri Khrameyev, i njohur si “Kolonel Yuri”, si dhe djali i tij 27-vjeçar, Kirill Khrameyev, i cili është oficer i FSB-së.

Në rrjet dyshohet se kanë marrë pjesë edhe shtetas kubanezë dhe venezuelianë. Sipas hetuesve amerikanë, 35-vjeçari Oemis Romagosa Durruti, që jeton në Rusi, si dhe 35-vjeçari kubanez Yaidel Delgado Suarez, i njohur si “Viking”, dhe 22-vjeçari venezuelian Angel Eduardo Castro, dyshohet se janë përfshirë në rekrutimin e personave në SHBA për të mbikëqyrur dhe tentuar vrasjen e një disidenti rus.

Autoritetet amerikane thonë se personat e rekrutuar nuk do të kufizoheshin vetëm në survejimin e objektivave, por do të paguheshin për të kryer edhe eliminimin e tyre.

Rasti rikthen në vëmendje shqetësimet e autoriteteve perëndimore për operacione të dyshuara të shërbimeve ruse kundër kundërshtarëve të Kremlinit jashtë territorit të Rusisë.

Kremlini dhe Ambasada Ruse në Uashington nuk kanë komentuar akuzat e bëra nga autoritetet amerikane. Moska, ndërkohë, ka mohuar në të kaluarën përfshirjen në vrasje të synuara të kundërshtarëve politikë jashtë vendit.

Po ndodh...

ide